Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare, pas dështimit për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Osmani bëri të ditur se vendimi është marrë në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe pas zhvillimeve të fundit në Kuvend, ku nuk u arrit kuorumi i nevojshëm për vijimin e procedurës së zgjedhjes së kreut të shtetit.
“Në përputhje me nenin 82 dhe 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kam vendosur ta shpërndaj Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të shpallë zgjedhjet e reja, pas konsultimeve të cilat do t’i mbaj me partitë politike. Qytetarët s’kanë dashur zgjedhje, këtë situatë e ka krijuar dështimi i Kuvendit për ta kryer detyrën e tyre kushtetuese. Askush s’do duhet të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet, por këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm dhe me qëllime të rrezikshme”, tha Osmani.
Presidentja theksoi se afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit ka përfunduar në mesnatën e së enjtes, duke bërë të pamundur vijimin e mëtejshëm të procedurës.
“Procedura për zgjedhjen e presidentit edhe pse mund të fillojë deri 60 ditë para afati të fundit, nuk mund të shtyhet më tej, por patjetër duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Afati përfundimtar është i qartë, ka qenë mbrëmë në mesnatë dhe Presidenti nuk mund të zgjidhet pas këtij momenti”, shtoi ajo.
Sipas rregullave kushtetuese, në dy raundet e para për zgjedhjen e presidentit kërkoheshin të paktën 80 vota, ndërsa në raundin e tretë mjaftonin 61 vota. Në seancën e fundit të Kuvendit ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë nga koalicioni qeverisës, ndërsa deputetët e opozitës munguan, duke bërë që të mos plotësohej kuorumi.
Për shkak të mungesës së kuorumit dështoi edhe seanca për shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga presidentja Osmani, të cilat synonin që presidenti i Kosovës të zgjidhej drejtpërdrejt nga qytetarët. a.b




