Pamje të publikuara në rrjet tregojnë momentin kur disa gra reagojnë me mosbesim dhe tronditje, pasi mësojnë se kompleksi i Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, në Teheran, është goditur nga një sulm ajror.
Në video shihet tym i dendur që ngrihet mbi zonën e kompleksit, ndërsa nga një çati aty pranë dëgjohen britma dhe reagime të forta emocionale nga persona që po vëzhgonin ngjarjen. “O Zot, e goditën. E goditën. O Zot”, dëgjohet të thotë një grua, teksa të tjerë reagojnë me të qeshura nervoze dhe thirrje të habitura.
Sipas raportimeve, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë shënjestruar Khamenein dhe Presidentin iranian Masoud Pezeshkian gjatë sulmeve të së shtunës, megjithatë rezultati i tyre mbetet ende i paqartë, sipas një zyrtari izraelit.
Raportohet se goditja e parë ka ndodhur pranë zyrave të Khameneit. Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në një video të publikuar në rrjetet sociale se SHBA-të kishin nisur “operacione të mëdha luftarake në Iran”.
Trump pretendoi se Irani ka vijuar zhvillimin e programit të tij bërthamor dhe se synon të prodhojë raketa me rreze të gjatë veprimi, të afta për të arritur territorin amerikan. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa zhvillimet po ndiqen me vëmendje nga komuniteti ndërkombëtar.




