Mijëra qytetarë u përfshinë sot në marshim proteste në rrugë e sheshe të Tiranës me thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Policia ndaloi marshimin drejt Policisë së Shtetit me gaz lotsjellës e ujit ndërsa më pas qytetarët ndryshuan drejtim drejt bllokut të miniatrive.
Marshimi vijoi nga ministria e Brendshme dhe ndoqi Unazën e Vogël deri tek 15 katëshi, më pas nga selia e PS në drejtim të Parkut Rinia përgjatë rrugës Ibrahim Rugova.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se protesta e sotme e opozitës në Tiranë është një marshim revolte kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Në një deklaratë Berisha theksoi se ajo që ai e cilësoi si kryengritje paqësore ka formën e një marshimi në rrugët e kryeqytetit për të shprehur zemërimin popullor ndaj kreut të qeverisë.
“Ky është një marshim revolte. Asgjë nuk e mbron Edi Ramën nga kjo revoltë popullore. Edhe nëse largon një apo disa ministra, ai do të mbetet objekti kryesor i revoltës sonë deri në largimin e tij”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se largimet individuale në qeveri janë përpjekje për të shmangur përgjegjësinë politike, ndërsa theksoi se beteja e opozitës do të përqendrohet te largimi i kryeministrit. m.k





