Një mision faktmbledhës i Partia Popullore Europiane (PPE) ka zhvilluar një vizitë në Shqipëri, ku në fokus kanë qenë zgjedhjet dhe çështje që lidhen me funksionimin e shtetit ligjor. Në këtë kuadër, përfaqësues të 28 partive simotra europiane zhvilluan një takim me kreun e Partia Demokratike, Sali Berisha.
Sipas njoftimit për shtyp, vizita e misionit vjen pas dy rezolutave të miratuara nga PPE për Shqipërinë, njëra në Maltë në vitin 2024 dhe tjetra në prill 2025, të cilat i kushtohen zhvillimeve zgjedhore në vend. Kërkesa për ngritjen e një misioni faktmbledhës ishte bërë më herët, me qëllim verifikimin në terren të situatës politike dhe institucionale.
Berisha e cilësoi praninë e përfaqësuesve të 28 partive si një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm për opozitën shqiptare. Ai bëri të ditur se takimet janë zhvilluar mbi bazën e rregullit të konfidencialitetit, sipas parimit “Chatham House”, ndaj nuk dha detaje konkrete nga diskutimet.
Sipas tij, tema qendrore e bisedimeve ishte procesi zgjedhor në Shqipëri, për të cilin u paraqit një ekspoze e zgjeruar, e shoqëruar me dokumentacion të përmbledhur në një dosje voluminoze me mijëra faqe. Gjithashtu, në fokus të diskutimeve kanë qenë edhe çështje që lidhen me atë që opozita e cilëson si “narkoshtet”, si dhe pretendimet për asgjësim të sistemit të drejtësisë. a.b





