Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamenti Evropian ka publikuar draft-raportin për Shqipërinë.
Në raport kërkohet një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe në përputhje me rekomandimet e OSCE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias.
Raporti shpreh gjithashtu shqetësim për polarizimin politik dhe diskursin përçarës, të cilat, sipas tij, dëmtojnë funksionimin normal të institucioneve demokratike. Theksohet nevoja për forcimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit dhe për rritje të transparencës në proceset ligjvënëse.
Shteti i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit
Komisioni përshëndet vijimin e reformës në drejtësi dhe procesin e rivlerësimit (vetting), por evidenton sfida të vazhdueshme, si vonesat dhe mbingarkesa me çështje, mungesa e qëndrueshmërisë në jurisprudencë dhe përpjekje për ndikim të padrejtë.
Kërkohet forcimi i organeve të qeverisjes së sistemit gjyqësor, si dhe investime në infrastrukturë dhe digjitalizim. Korrupsioni cilësohet si një shqetësim serioz, duke kërkuar konsolidim të rezultateve konkrete në hetime dhe dënime, veçanërisht në nivele të larta.
Raporti thekson gjithashtu nevojën për një luftë më efektive kundër krimit të organizuar, përfshirë pastrimin e parave dhe trafikun e drogës, si dhe bashkëpunim më të ngushtë me agjencitë e BE-së.
Të drejtat themelore dhe liria e medias
Në kapitullin mbi të drejtat themelore, kërkohen masa për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik. Nënvizohet nevoja për transparencë mbi pronësinë e mediave dhe për mbrojtje të gazetarëve nga presioni politik apo ekonomik.
Më poshtë gjeni draft-raportin e Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian për Shqipërinë:
1. Konteksti i përgjithshëm dhe ecuria e procesit të anëtarësimit
Parlamenti Evropian:
Vlerëson se zgjerimi i BE-së është një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropë.
Përshëndet orientimin e qartë strategjik të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe përafrimin e plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
Thekson se Shqipëria është vend kandidat që nga viti 2014, ka nisur negociatat në korrik 2022, ka përfunduar procesin e “screening” në nëntor 2023 dhe ka hapur të gjitha kapitujt/klasterat e negociatave midis tetorit 2024 dhe nëntorit 2025.
Nënvizon se procesi duhet të bazohet në meritë dhe në zbatim real të reformave, jo vetëm në miratimin formal të ligjeve.
Përshëndet ambicien e Shqipërisë për të përmbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027.
2. Demokracia, zgjedhjet dhe funksionimi i institucioneve
Vlerësohet se kuadri zgjedhor është përgjithësisht i përshtatshëm për zgjedhje konkurruese.
Megjithatë, shprehen shqetësime për:
mungesë të barazisë së kushteve,
përdorim të burimeve shtetërore,
pretendime për blerje vote dhe presion ndaj votuesve.
Kërkohet reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.
Shprehet shqetësim për polarizimin politik dhe diskursin përçarës, që dëmtojnë funksionimin e institucioneve demokratike.
Kërkohet forcim i rolit mbikëqyrës të Kuvendit dhe rritje e transparencës në proceset ligjvënëse.
3. Shteti i së drejtës, drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit
Përshëndetet vazhdimi i reformës në drejtësi dhe procesi i rivlerësimit (vetting).
Megjithatë, theksohen sfida të vazhdueshme si:
vonesat dhe mbingarkesa me çështje,
mungesa e qëndrueshmërisë në jurisprudencë,
përpjekje për ndikim të padrejtë.
Kërkohet forcim i organeve të qeverisjes së sistemit gjyqësor dhe investime në infrastrukturë dhe digjitalizim.
Korrupsioni mbetet shqetësim serioz; kërkohet konsolidim i rezultateve konkrete në hetime dhe dënime, veçanërisht në nivele të larta.
Theksohet nevoja për luftë më efektive kundër krimit të organizuar, përfshirë pastrimin e parave dhe trafikun e drogës, si dhe bashkëpunim më i ngushtë me agjencitë e BE-së.
4. Të drejtat themelore dhe liria e medias
Kërkohen masa për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik.
Nevojitet transparencë mbi pronësinë e mediave dhe mbrojtje e gazetarëve nga presioni politik apo ekonomik.
Inkurajohet forcimi i mbrojtjes së pakicave dhe grupeve vulnerabël (romë, egjiptianë, persona me aftësi të kufizuara, punëtorë migrantë, komuniteti LGBTIQ+).
Shprehet shqetësim për retorikën anti-gjinore në diskursin politik.
Theksohet nevoja për përmirësim të aksesit në drejtësi për grupet e margjinalizuara. a.b





