Foto familjare e Bordit
Po mbahet në Uashington takimi i parë i Bordit të Gazës, i drejtuar nga presidenti amerikan Donald Trump. Mbledhja u hap me realizimin e fotos familjare të liderëve pjesëmarrës, ndërsa më pas Trump mbajti fjalën përshëndetëse të mirëseardhjes.
Në vijim të seancës, anëtarë të bordit ekzekutiv, mes tyre Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, si dhe të dërguarit e SHBA-së Steve Witkoff dhe Jared Kushner paraqitën raportime mbi ecurinë e planit amerikan për Gazën, objektivat e realizuara deri tani dhe hapat e mëtejshëm.
Takimi përkon me themelimin zyrtar të një strukture të përhershme ndërkombëtare për menaxhimin e krizave dhe zgjidhjen e konflikteve, ku marrin pjesë liderë dhe delegacione nga mbi 25 vende të botës.
Në tryezë është edhe delegacioni shqiptar, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama, i cili do të mbajë fjalën e tij gjatë mbledhjes në vijim të programit që përfsjin 2 minuta fjalë nga të gjithë vendet anëtare të Bordit. Ai shoqërohet nga ministri për Qeverisjen Lokale, Ervin Demo, si dhe nga drejtuesja e Shërbimit Informativ, Vlora Hyseni.
Nga Kosova merr pjesë presidentja Vjosa Osmani.
Aleatët kryesorë të Uashingtonit në Lindjen e Mesme, të përfshirë në arritjen e marrëveshjes së paqes mes Izraelit dhe Hamasit, janë bashkuar në këtë nismë, ndërkohë që pjesa më e madhe e vendeve europiane kanë zgjedhur të mos bëhen pjesë.
Fokusi i mbledhjes së sotme është sigurimi i fondeve për rindërtimin e Gazës. Presidenti Trump ka deklaruar më herët se vendet pjesëmarrëse kanë premtuar rreth 5 miliardë dollarë.
Disa shtete, përfshirë edhe Shqipërinë, nuk do të japin kontribute financiare, por janë angazhuar të dërgojnë personel në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit për të garantuar sigurinë dhe paqen për banorët e Gazës.
Bordi i Paqes u krijua fillimisht me synimin për të ndërmjetësuar paqen mes Izraelit dhe Hamasit, ndërsa më pas presidenti amerikan njoftoi se iniciativa do të zgjerohet edhe në trajtimin e konflikteve të tjera ndërkombëtare.





