Gjatë protestës së sotme të opozitës në Tiranë, protestuesi Ilir Tusha është qëlluar me plumb plastik, duke pësuar një goditje në zonën e ballit. Sipas deklarimeve, ngjarja ka ndodhur pranë Kryeministrisë, në momentin kur i riu ishte duke transmetuar live nga protesta.
Vetë Tusha ka deklaruar se pas goditjes ka humbur orientimin për disa çaste. “Isha duke bërë live dhe papritur mu errësuan sytë. Nuk pashë gjë tjetër,” është shprehur ai.
Lidhur me këtë incident, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se përdorimi i plumbave të gomës përbën rrezik serioz për jetën, duke theksuar se në raste të caktuara ato mund të shkaktojnë dëmtime të rënda. Sipas tij, goditja ndaj protestuesit ka qenë e pajustifikuar dhe e dokumentuar në pamje filmike.
Berisha u ndal gjithashtu te deklaratat zyrtare të Policisë së Shtetit, e cila pretendoi se gjatë protestës janë dëmtuar 14 efektivë. Kreu i PD-së i cilësoi këto pretendime si mashtrim publik, duke deklaruar se pas vizitës së tij në Spitalin e Traumës, mjekët i kanë konfirmuar se nuk kishte asnjë polic të plagosur apo të shtruar për ndihmë mjekësore.
“Shkova vetë në spital dhe më thanë qartë se nuk ka asnjë polic, as të plagosur dhe as të paplagosur. Sollën disa policë vetëm për statistikë,” deklaroi Berisha, duke akuzuar drejtues të policisë për manipulim të situatës.
Në të njëjtën deklaratë, Berisha bëri të ditur se Partia Demokratike do të vijojë protestat, të cilat i cilësoi si “kryengritje paqësore”, deri në largimin e qeverisë aktuale. Ai paralajmëroi se protesta e radhës do të zhvillohet më 20 shkurt, duke e cilësuar atë si një moment historik për opozitën dhe qytetarët.
“Vendimmarrja jonë është e qartë: vazhdim i kryengritjes paqësore deri në largimin e kësaj narkokracie, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira,” u shpreh Berisha, duke shtuar se forma dhe skenari i protestave do të bëhen të ditura në vijim.
Sipas tij, protestat do të jenë gjithëpërfshirëse dhe në koordinim me të gjithë qytetarët opozitarë, ndërsa theksoi se lëvizja nuk do të ndalet pa arritur objektivin e saj politik.m.k





