Raporti i fundit i Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2025, i publikuar nga Transparency International, tregon se Shqipëria ka pësuar një regres të ndjeshëm në luftën kundër korrupsionit.
Sipas raportit, vendi ka marrë 39 pikë nga 100, duke humbur 3 pikë krahasuar me vitin 2024, kur vlerësohej me 42 pikë. Ky rezultat reflekton probleme serioze në transparencë, llogaridhënie dhe menaxhimin e burimeve publike.
Në renditjen globale, Shqipëria pozicionohet në vendin e 91-të, duke rënë me 11 vende krahasuar me një vit më parë, kur renditej e 80-ta mes 182 shteteve të përfshira në indeks.
Transparency International evidenton si një nga shqetësimet kryesore mungesën e procedurave konkurruese në dhënien e kontratave dhe statusit të investitorëve strategjikë.
Gjithashtu, Transparency International thekson se në disa vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, reagimi i dobët i sistemit gjyqësor mbetet një nga pengesat kryesore për luftën efektive kundër korrupsionit. Raporti nënvizon se gjyqtarët dhe prokurorët po bëhen gjithnjë e më shumë objekt i sulmeve nga qeveritë.
“Në disa vende të Ballkanit Perëndimor, reagimi i dobët gjyqësor është një nga pengesat kryesore për të luftuar me sukses korrupsionin, ndërkohë që gjyqtarët dhe prokurorët janë gjithnjë e më shumë në shënjestër të sulmeve qeveritare”, thuhet në raportin e Transparency International. a.b





