Pas rreth një muaji kërkimesh intensive, është gjetur trupi i pajetë i Jurgen Karajt, 30-vjeçarit që humbi jetën pasi ra në lumë më 10 janar, së bashku me shokun e tij.
Trupi u lokalizua pranë fshatit Urakë, gjatë një patrullimi me gomone nga forcat e ushtrisë dhe FSK. Familjarët kanë konfirmuar identitetin e viktimës, ndërsa trupi do të dërgohet në morg për procedurat e mëtejshme.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 01:30 të 10 janarit, kur automjeti që drejtohej nga 24-vjeçari Andi Losha, me pasagjer Jurgen Karajn, doli nga rruga dhe përfundoi në përrua.
Sipas policisë, drejtuesi i mjetit u largua nga vendngjarja pa njoftuar autoritetet dhe pa i dhënë ndihmë pasagjerit, i cili dyshohet se u mor nga rrjedha e ujit. Andi Losha u arrestua më pas nga policia, ndërsa testi i alkoolit tregoi se ai kishte drejtuar automjetin në gjendje të dehur. a.b




