Prokuroria e Tiranës
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka paraqitur kërkesë për konfiskimin e pasurive të familjarëve të shtetasit S.A., i identifikuar si Saimir Alimehmeti, i dënuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 22 vite burg për vepra penale në fushën e akteve terroriste.
Saimir Alimehmeti është shpallur fajtor nga autoritetet amerikane për sigurim ose tentativë për sigurim të mbështetjes materiale për individë apo grupe të përfshira në veprimtari terroriste, si dhe për deklarim të rremë me qëllim pajisjen me pasaportë. Ai njihet gjithashtu edhe me inicialet A.Q.
Ndërkohë, në Shqipëri, Alimehmeti po hetohet për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Hetimet pasurore në kuadër të procedimit nr. 8 të vitit 2025 janë nisur pas informacioneve të siguruara nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar.
Sipas Prokurorisë, nga verifikimet rezulton se babai dhe nëna e tij, shtetasit Z.A. dhe V.A., kanë kryer transaksione financiare në banka të nivelit të dytë në Shqipëri dhe veprime të tjera ekonomike me vlera të konsiderueshme, të cilat nuk justifikohen nga të ardhurat e ligjshme të deklaruara ndër vite.
Familjarët kanë pretenduar se të ardhurat janë krijuar nga qiratë dhe kursimet, por nuk kanë paraqitur dokumentacion që të provojë këto deklarime. Sipas organit të akuzës, vlerat monetare objekt i kërkesës për konfiskim nuk kanë prejardhje të ligjshme dhe nuk justifikohen me burime të dokumentuara.
Në përfundim të hetimit pasuror, Prokuroria ka kërkuar konfiskimin dhe kalimin në pronësi të shtetit të këtyre pasurive bankare:
- Llogaritë e shtetasit Z.A. me gjendje: 39.49 lekë, 4.74 USD, si dhe depozita në vlerën 50,109.56 USD dhe 3,862,244.93 lekë;
- Llogaritë e shtetases V.A. me gjendje 15,001.09 euro;
- Llogaritë e përbashkëta të shtetasve Z.A. dhe V.A. me gjendje 11,734,250.00 lekë.
Prokuroria vlerëson se këto pasuri janë të pajustifikuara dhe kërkon konfiskimin e tyre si produkte të veprimtarisë kriminale. a.b



