Nga Sonila Meço
Pra problemi nuk qenka pushteti, por reagimi ndaj tij. Jo regjimi, por përpjekja e çdo lloji për t’i dalë përballë.
Pra s’duhet të ketë pyetje për sjelljen e shtetit, për proporcionalitetin e forcës, për vendimmarrjen policore, për molotovin e skaduar, për protokollet, për raportin mes rendit dhe të drejtës për protestë. Mor po as për arsyet pse ngrihen njerëzit me sa e si mundin.
“Dhuna” është më e dobishme sepse shkakton emocione, ndarje morale, show. Ndërsa korrupsioni sistemik dhe kriminalizimi shtetar kanë nevojë për vëmendje, durim dhe kujtesë. Gjëra që propaganda i urren.
Por me gjithë talentin e propagandës për ta kanalizuar zemëratën shoqërore tek oxhaku i tymit të molotovit,
me gjithë neverinë e thirrur nga zgavrat psiqike të frikës së Kryeministrit si ajo e Sfinksit të Kadaresë,
me gjithë dekonspirimin pa dashje që orkestra e dirigjuar mediatike i bën pasigurisë së pushtetit,
me gjithë shpërfaqjen e cinizmit, sarkazmës e poshtërimit ndaj një proteste opozitare,
me gjithë përpjekjen e pamjaftueshme të opozitës për kapërcimin nga reagimi në alternativë,
me gjithë sehirin e cave, manipulimin e të tjerëve,
me gjithë lobistët që megjithëse të ngarkuar me hallet globale kujdesen edhe për spektaklin e klientit ballkanik,
me gjithë skenarët e konkurencës për kapjen e Trump-in më të parë,
sërish neurozat e fundit të pashmangshëm dëshmojnë jo tmerrin nga dhuna….por nga kundërshtimi pa orar, pluralizmi funksional, çarja e brendshme.
Problemi i Shqipërisë është se, ndërsa ne flasim për molotov, pushteti vijon të qeverisë pa llogaridhënie, më egër, më korruptueshëm. Dhe kjo është forma më e rrezikshme e dhunës politike.
Për të cilën regjimi derdh miliona që të flitet sa më pak…
Në fakt nëse ka një shërbim, sot, dje, tani, këtu që opozita mund t’i bëjë këtij vendi është të vijojë të protestojë, jo në episode me datë e orë të përcaktuar, jo me fjalime patetike, por me një këmbëngulje konstante presioni të pandalshëm, duke u rigjeneruar njëkohshëm me energji e mendje të freskëta.
Ky pushtet është i fortë në cikle të shkurtra, show, reagime emocionale.
Ama është i dobët përballë presionit të zgjatur, përsëritjes, fokusit që nuk zhvendoset.
Ndaj duhen përvijuar pandalshëm kauzat e saj, një nga një, pa u lodhur dhe shteruar nga guximi e ambicja për të qenë jo vetëm Parti Demokratike, por epiqendër gravitacionale e opozitës ndaj regjimit, alternativë e qartë e Shqipërisë 1 minutë pas rënies së pashmangshme të një pushteti që as pushtuesit nuk ia dolën ta ushtrojnë me kaq urrejtje ndaj shqiptarëve.
Pluralizmi në derë e tmerron këtë pushtet, që s’la marrëveshje, kooptim e strategji të ndyrë pa kryer për të luajtur i vetëm shah në skakierë.
Përmbysi tavolinën, bleu ushtarë kundërshtari, korruptoi arbitër, bëri hile sa deshi veç që të kish kundërtshtar të vetëm veten.
Ky pushtet nuk ka frikë nga molotovi, as nga një protestë e radhës, por nga normalizimi i kundërshtimit, nga pluralizmi real, nga ideja se mund të ketë më shumë se një rrugë, më shumë se një të ardhme të mundshme. Andaj e kriminalizon reagimin dhe e estetizon pushtetin.
Por mu për këtë opozita (e këtu nuk llogaris veç një parti, por një lëvizje shoqërore edhe me të) duhet ta kthejë në simultane betejën. Aty mbreti humbet jo sepse sulmohet fort, por sepse s’di të luajë me kundërshtarë e s’mund të jetë kudo njëkohësisht. Sado të brohorasin e çirren lolot e oborrit të vet. Madje ka gjasa ta hutojnë e shpërqendrojnë edhe më shumë. E me gjasë do heshtë ata para se të gjejë derën më të afërt drejt daljes.



