Kryeministri Edi Rama gostisi Ivanka Trump, vajzën e Presidentit të SHBA, Donald Trump me një darkë mbrëmjen e së mërkurës gjatë vizitës së shkurtër të saj në qytetin e Vlorës. Të shoqëruar edhe nga persona të tjerë Trump dhe Rama kanë darkuar në restorantin “Gjurma” në kompleksin “Lungomare 2” duke tentuar të mbajnë larg kamerat e mediave.
Restoranti i përket kuzhinierit të njohur Aldo Mehmeti ndërsa kompleksi është ndertuar nga kompania “Adhenis” që figuron në emër të Artur Shehut, një emër i njohur në Vlorë dhe jo vetëm për shkak të përmendjes prej vitesh në aktivitete të paligjshme
Kush është Artur Shehu
Një vit më parë emri i tij u përmend gjerësisht në atë që njihe si takimi i bos-ëve të krimit në Aruba.
Sipas një investigimi të gjatë të bërë në 2021 nga rrjeti i gazetarëve OCCRP dhe të botuar edhe në “Miami Herald” në fillim të viteve ‘90 Artur Shehu shërbente në Gardën e Republikës, por shumë shpejt u konvertua në biznesmen në qytetin e tij të lindjes. Fillimisht, një lokal; më pas, një hotel dhe një kazino, e cila ishte e para në qytetin e Vlorës. Përplasja me njërën prej bandave më të forta shënoi për herë të parë emrin e Artur Shehut në defterët e policisë shqiptare.
Kronikat e kohës, të cilat i referohen Ministrisë së Brendshme, tregojnë se në lagjen Pavarësia të qytetit të Vlorës, brenda lokalit të Artur Shehut, ka pasur shkëmbim zjarri ku u vranë 3 persona dhe u plagosën 2 të tjerë. Një prej të plagosurve ishte Zani Çaushi.
Sipas ish-oficerit të policisë Dritan Zagani, kjo ngjarje u pasua me ekzekutimin e 3 personave të tjerë në shtator të atij viti. “Artur Shehu ishte një ndër personat e dyshuar, por asnjëherë nuk u gjetën prova të mjaftueshme për ta proceduar”, – është shprehur Zagani. Pas këtyre ngjarjeve askush nuk e ka parë më Artur Shehun në Shqipëri.
Ai siguroi azil politik në SHBA në vitin 2001. Në vitin 2019 mori green card, duke i hapur rrugën kështu fitimit të nënshtetësisë amerikane. Ndonëse iku nxitimthi, ai thuhet se vazhdoi të drejtonte operacionet në vendlindjen e tij nga një rezidencë e madhe e stilit neokolonial në brigjet e Floridës.
Emri i tij u përmend sërish në vitin 2010, kur një eksponent i mafies italiane u arrestua në Shqipëri. Albino Prudentino, anëtar i klanit “Sacra Corona Unita”, u prangos më 29 shtator 2010, në Vlorë. Sipas hetimeve të italianëve, Shehu konsiderohej si një pikë shumë e rëndësishme referimi për aktivitetin e paligjshëm të Prudentino-s në fushën e pastrimit të parave. Prudentino u shpall fajtor në vitin 2013, për pastrim të paligjshëm parash ndërsa për Shehun hetimet u kaluan autoriteteve shqiptare, por ato nuk ngritën ndonjëherë akuza.
Akuzat për grabitje pronash
Duke filluar nga viti 2006, nga pozicioni i tij i rehatshëm në Miami, Shehu filloi të grumbullojë një portofol të gjerë pronash rreth Vlorës – përmes mjeteve që banorët lokalë thonë se ishin të paligjshme.
Megjithëse ai dhe familja e tij përfituan, Shehu nuk është akuzuar kurrë drejtpërdrejt për çështjet e tokës. Sidoqoftë, një bashkëpunëtor i ngushtë i tij, Pëllumb Petritaj, u dënua në vitin 2018 për falsifikim të dokumenteve të tokës për të uzurpuar 187 hektarë tokë.
Në çështje të tjera gjyqësore që përfshijnë një total prej gati 300 hektarësh shtesë pranë Vlorës, Shehu dhe anëtarët e familjes së tij akuzohen për rrëmbimin e pronës përmes falsifikimeve të ngjashme. Kjo përfshin tokën në brigjet e Lagunës së Nartës ku fshatarët e tij thonë se u janë vjedhur atyre.
E përfolur ka qenë edhe marrëveshja me një fondacion bamirësie që kishte misionin e rimarrjes së pasurisë stërgjyshore të Eftimiadis, një familje që emigroi nga Vlora në Itali në fillim të shekullit të 20-të. Si i përfshirë në këtë çështje doli edhe emri i sekretarit të Përgjitshëm të Kryeministrisë Engjëll Agaçi. Sipas emisionit “Report” në RAI3, ai kishte ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjes si avokat. Vetë Agaçi i mohoi lidhjet.
Pasi zbuloi se një pjesë e pasurisë ishte marrë nga Shehu, bordi i fondacionit (ku bënte pjesë dhe një ish-diplomat italian dhe një gjeneral në pension në policinë financiare të Italisë) vendosi të bëjë një marrëveshje me të, por që nuk zgjati për shkak të konflikteve.
Edhe fshatarët në Zvërnec, afër lagunës së Nartës, nuk kanë qenë në gjendje të rimarrin pronat e tyre. Tashmë ajo mund t’i kalojë familjes së Kushner-Trump ku pritet të ngrihet kompleksi luksoz.Lapsi.al





