Shqyrtimi në Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese pritet të dalë me një vendim përfundimtar mbi pezullimin ose jo nga detyra të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, njëkohësisht zëvendëskryeministre, Belinda Balluku, ndërsa Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka njoftuar zyrtarisht se nuk do të marrë pjesë në këtë proces gjyqësor.
Përmes një shkresë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, kreu i GJKKO-së, Erion Bani, ka paraqitur argumentet ligjore dhe juridike përse Kushtetuesja, sipas tij, nuk duhet të marrë në shqyrtim çështjen e Ballukut, për sa kohë ajo është ende në proces gjykimi në shkallët e gjyqësorit të zakonshëm.
Në shkresë theksohet se, sipas parimeve kushtetuese dhe jurisprudencës ekzistuese, çdo çështje konkrete penale duhet fillimisht të shqyrtohet dhe të shterohen të gjitha mjetet juridike brenda sistemit gjyqësor, përpara se të kalojë në Gjykatën Kushtetuese.
‘Fillimisht çështje e ushtrimit të juridiksionit gjyqësor mbi një çështje konkrete zgjidhe brenda pushtetit gjyqësor dhe pasi të shterohen mjetet e brendshme juridike zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese’, thuhet në argumentet e kreut të GJKKO.
Në vijim, në shkresë theksohet gjithashtu se:
‘Mbështetur në analizën e mësipërme arrihet në përfundimin se nëse nuk janë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese nuk kemi administrim të mirë të drejtësisë dhe u mohon të drejtën të gjitha palëve për t’iu drejtuar gjykatës dhe për të marrë një përgjigje përfundimtare prej saj për pretendimet e ngritura në të gjitha shkallët e gjykimit’.
Argumentet e parashtruara në shkresë:
Mbështetur në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, GJKKO nuk mund legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës se Shqipërisë.
Kjo për këto arsye:
Së pari, kontrolli kushtetues ushtrohet mbi aktin shtetëror/vendimin gjyqësor dhe jo mbi gjykatën si palë kundërshtare. Pra, gjykata është autor i aktit të kontrolluar aspektin kushtetues dhe jo subjekt i konfliktit juridik.
Së dyti, bazuar në nenin 112 të K.Pr. Penale, Gjykata disponon me vendim dhe me urdhër. Vendimi jepet në emër të Republikës. Në rastin konkret gjyqtari i çështjes ka disponuar me vendim dhe titullari i gjykatës që përfaqëson gjykatën në raport me të tretët nuk legjitimohet që të shprehet në emër dhe për llogari të gjyqtarit për një çështje konkrete, për të cilin ai është shprehur me vendim. Kjo në respektim të parimit pavarësisë së brendshme të pushtetit gjyqësor.
Së treti, çdo gjyqtar i Republikës së Shqipërisë në respektim të pavarësisë së brendshme të pushtetit gjyqësor nuk ka varësi nga askush dhe nuk raporton per vendimarrjet e tij përpara kryetarit të gjykatës apo gjykatave më të larta. Çdo gjyqtar, pavarësisht vendit të tij në sistemin gjyqësor, ushtron të njëjtin autoritet gjykimi. Nëse nga gjykatat më të larta, ku përfshihet edhe Gjykata Kushtetuese do të thirrej një gjyqtar që të jepte shpjegime lidhur me mënyrën se si e ka marrë një vendim në një çështje konkrete, kjo do të cenonte rëndë pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor. Përfshirja e gjykatës që ka caktuar masën e pezullimit nga detyra në rastin konkret të Zëvendëskryeministres Belinda Balluku do të krijonte përceptimin se ajo (gjykata) mbron vendimin e saj dhe do të cenonte besimin e publikut në drejtësinë penale.
Së katërti, pushteti gjyqësor ushtrohet i shkallëzuar sipas parimit të kontrollit të vendimeve gjyqësore të gjykatave më të ulta nga gjykatat më të larta. Vendimet gjyqësore kontrollohen vetëm nga gjykata më e lartë dhe asnjë organ tjetër nuk mund të vlerësojë ligjshmërinë dhe bazueshmërinë e vendimeve gjyqësore, për sa kohë ato nuk jane ndryshuar ose prishur nga një gjykatë më e lartë. Problemete zbatimit dhe të interpretimit të ligjit, duke përfshirë edhe dispozitat për kompetencën, u takojnë në parim gjykatave të pushtetit gjyqësor. Pra, përsa kohë një çështje konkrete penale është e varur perpara juridiksionit gjyqësor të zakonshëm nuk mund të ndërhyhet nga autoritet të tjera shtetërore pa cenuar nenin 145 të Kushtetutës. Mbështetur në këtë analizë arrihet në përfundimin se nëse nuk janë shteruar të gjitha mjetetjuridike efektive për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese nuk kemi administrim të mirë të drejtësisë dhe u mohon të drejtën të gjitha palëve për t’iu drejtuar gjykatës dhe për të marrë një përgjigje përfundimtare prej saj për pretendimet e ngritura në të gjitha shkallët e gjykimit. Vendimet e caktimit të masës së pezullimit nga detyra janë vandime të ankimueshme në juridiksionin gjyqësor të zakonshëm. Pë rrjedhojë, GJKKO nuk mund të marrë pjesë si palë në gjykimin kushtetues për një çështje penale konkrete e cila është në zhvillim e sipër brenda juridiksionit gjyqësor të zakonshëm. Pra, çdo pjesëmarrje e GJKKO-së si palë e interesuar në Gjykatën Kushtetuese bie jashtë kompetencës së saj të parashikuar nga neni 135 i Kushtetutës, neni 75/a i K.Pr.Penale si dhe nenet 8, 9 dhe 10 të Ligjit Nr. 95/2026 “Për organizimin dhe funksionimin e Institucioneve për të Luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, i ndryshuar.
Nga ana tjetër, Kryeministria ka paraqitur zyrtarisht argumentet e saj në Gjykatën Kushtetuese përmes drejtorit juridik Erald Jonuzaj, i cili ka kundërshtuar vendimin e GJKKO-së për pezullimin e Ballukut, duke e cilësuar atë si shkelje të kompetencave të pushtetit ekzekutiv dhe të parimeve kushtetuese.
Sipas Jonuzajt, Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Ligjore parashikojnë imunitet për ministrat gjatë ushtrimit të funksionit, në analogji me statusin e deputetit. Ai theksoi se Kryeministria ka kërkuar ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur integritetin e pushtetit ekzekutiv dhe kompetencat e Këshillit të Ministrave. a.b





