Nga Sonila Meço
Shtëpia e Bardhë ka shpallur anëtarët e parë të ‘Bordit të Paqes’ për Gazën, një strukturë që do të kryejë administrimin e përkohshëm dhe rindërtimin e territorit pas luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Deri më tani dimë se është shpallur një ‘Bord Ekzekutiv Themelues’ me fokus të nivelit të lartë në investime dhe diplomaci. Tjetri, i quajtur ‘Bordi Ekzekutiv i Gazës’ është përgjegjës për mbikëqyrjen e gjithë punës në terren të një tjetër strukture administrative, Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës.
Ky komitet përbëhet nga palestinezë teknokratë dhe drejtohet nga Dr. Ali Shaath, me profesion inxhinier civil, i cili ka mbajtur më parë poste ministrore në Autoritetin Palestinez.
Por nga shtatë anëtarët e Bordit Ekzekutiv Themelues, gjashtë janë amerikanë, përfshirë Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, si edhe figura të rrethit të ngushtë të Trump, si dhëndri i tij Jared Kushner dhe Steve Witkoff, i dërguari special i SHBA-së për Lindjen e Mesme, por edhe mik personal i presidentit.
Ajay Banga, presidenti i Bankës Botërore, përbën një lloj përjashtimi, si shtetas me dy nënshtetësi, i lindur në Indi dhe qytetar amerikan. Ndërkohë, Tony Blair, ish kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar është një tjetër emër në bord.
Këtu me gjasë lidhet edhe krekosja e kryeministrit shqiptar, që me ish kryeministrin britanik e lidhin marrëdhënie të njohura lobuese. Mesa duket një nder më shumë nga miku ndërkombëtar, sa për të fituar pak kohë me propagandën kombëtare. Por edhe për Blair nuk është e lehtë, sepse përfshirja pritet të ushqejë më tej shqetësimet për mënyrën se si do të funksionojë Bordi i Paqes.
Gjatë javëve të fundit, kritika ndaj përfshirjes së mundshme të Tony Blair kanë ardhur nga figura si Mustafa Barghouti, sekretar i përgjithshëm i Iniciativës Kombëtare Palestineze, si edhe nga raportime mediatike që citojnë zyrtarë nga shtetet arabe të rajonit. Roli qendror i Tony Blair në luftën e Irakut, i kombinuar me historinë koloniale të Britanisë në Lindjen e Mesme, shihet nga kundërshtarët e tij si arsye që e bëjnë atë të papërshtatshëm.
Madje edhe vetë Trump e njihte problemin kur deklaronte në tetorin e kaluar se: ‘Më ka pëlqyer gjithmonë Tony, por dua të sigurohem që ai është një zgjedhje e pranueshme për të gjithë’.
Ndërsa Bordi Ekzekutiv i Gazës përfshin emra të disa figurave të larta politike dhe diplomatike nga Turqia, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai do të drejtohet nga ish politikani e diplomati bullgar Nickolay Mladenov, i cili ka marrë titullin Përfaqësues i Lartë për Gazën. Yakir Gabay, një biznesmen i lindur në Izrael dhe aktualisht me bazë në Qipro, është i vetmi anëtar izraelit.
Kryeministri shqiptar po e shtrydh ‘ftesën’ për anëtarësinë themeluese të nismës më fort se çdo moment tjetër ndërkombëtar që ka pasur ndër vite. As sepse është historike. As sepse ndryshon peshën e Shqipërisë. Por sepse i shërben një nevoje urgjente personale, të krijojë perceptimin se ‘po ia hedh situatës’. Të fitojë kohë (aleatja e vetme në këtë zeitnot që i ka prishur terezinë 13 vjeçare).
Ndaj shkruan me germa kapitale për respekt ndërkombëtar nga një ftesë protokollare, duke e propaganduar si kryeplak katundi e jo si kryeministër vendi.
Jo më larg se dje po i njëjti kryeministër kapitullonte karshi grupit të tij parlamentar se nuk arrihej integrimi europian pavarësisht premtimeve. Se ky vendi që sot qenka ‘KTHYER NË NJË SHQIPËRI TJETËR, TË DINJITETSHME E TË RESPEKTUAR BOTËRISHT SI ASNJËHERË’ jo më larg se dje, siç pohonte autori i frazave me germa kapitale, nuk kishte as minimumin, sigurinë ushqimore. Një vend me shtet kartoni që i ka rënë çdo lloj sigurie përpos asaj ushqimore, që sapo u fut në listën e vendeve që i janë ngrirë vizat me SHBA-në për shkak të emigrimit masiv.
Le Monde qysh në 11 janar shkruante se Trump do t’ua dërgonte ftesën të gjithë shteteve për të patur një përfaqësues në nismën ad hoc si formë legjitimiteti politik të nismës.
Problemi nuk është ‘a është e mirë apo e keqe për Shqipërinë që po shkon Rama me shumë kryeministra e presidentë në grupin e anëtarëve themelues’. Pyetja është shumë më e thjeshtë, çfarë peshe reale ka kjo ftesë dhe pse po shitet si shpëtim politik?
Kryeministri e di, se ia thonë edhe këshilltarët e lobuesit ndërkombëtarë se diplomacia nuk të krijon imunitet penal. Historia është e mbushur me liderë që janë pritur në tryeza ndërkombëtare përfshi dhomën ovale, kanë mbajtur fjalime për paqe, janë fotografuar me presidentë e kancelarë kanë rënë një ditë më pas.
Historia moderne është e mbushur me raste ku liderë plotësisht legjitimë politikisht janë ndjekur penalisht, megjithëse të zgjedhur, partnerë strategjikë, pjesmarrës në forume globale. Kryeministri nuk po vuan nga krizë politike a imazhi, por është i mbërthyer në një krizë me skelet ligjor.
Legjitimiteti politik lidhet me përdorimin e pushtetit, me njohje, marrëdhënie, partneritete, protokoll, stabilitet. Ama sundimi i ligjit lidhet me kontrollin e pushtetit, hetim, përgjegjësi penale, barazi para ligjit, ndarje pushtetesh. Kjo ndarje është themel i rendit liberal perëndimor dhe është sanksionuar qartë në konventa e jurisprudencën që mbajnë arkitekturën perëndimore.
Rama sot qëndron në krye të një qeverie kredhur ne korrupsion, në lidhje me krimin e organizuar, bashkautorë e një narkoshteti të dokumentuar, me bashkëpunëtorë të arrestuar, të hetuar ose të sanksionuar. Dhe pikërisht për këtë arsye, çdo ftesë, çdo foto, çdo fjali ceremoniale kthehet në armë propagandistike për mbijetesë politike. Kjo është arsyeja pse kjo ftesë po shitet kaq fort. Jo sepse i bën mirë Shqipërisë, por sepse është e dobishme për alibinë e tij në raport me publikun.
Një shtet mund të bashkëpunojë politikisht me një lider për arsye pragmatike dhe njëkohësisht, të lejojë ose të mbështesë ndjekjen penale të tij. Sado paradiksale të ngjajë, kjo është arkitektura normale e rendit liberal.
Ndaj edhe përpjekja për ta shitur një ftesë kolektive, protokollare, në një strukturë ad hoc si ‘certifikatë ndërkombëtare besimi’ është juridikisht e pavlefshme.
Dhe këtu dyshimet shtohen se deri ku mund të arrijë kryeministri për të siguruar me çdo kusht kohën. Në tryezën e Gazës janë thirrur shumë vende, por duke parë germat kapitale të kryeministrit shqiptar lind dyshimi nëse është ofruar Rama vetë jo për paqe, por për atë që ka bërë zakonisht për të legjitimuar veten politikisht.
Sepse ky është modeli me të cilin na ka mësuar, kur nuk ka vend në tryezë, nxjerr hartën. Kur s’ka rol diplomatik, nxjerr lobuesit. Kur s’ka ftesë, ofron truall, kampe refugjatěsh.
Dhe kësisoj, Shqipëria nga subjekt politik, shndërrohet në cirk oferte:
‘s’jam pjesë e vendimit, por jam gati të mbaj pasojat’.
Nuk dimë nëse është vetofruar për të strehuar palestinezët në Shqipërinë e shpopulluar, siç ka bërë më herët, por dimë tjetrën, ftesa është procedurë e protokoll me germa normale për një nismë paqeje, ndërsa reagimi me germa kapitale mbetet shenja e pangatërrueshme e frikës për fatin penal.





