Në një operacion të përbashkët të realizuar nga organet e sigurisë së Republikës së Kosovës më 5 dhe 6 prill 2025, janë ndaluar gjithsej 16 persona të ardhur nga Serbia, të ndarë në katër automjete me targa të qytetit të Kragujevcit. Katër nga të ndaluarit rezultuan të jenë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe, lajmëroi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Zveçla.
Sipas të dhënave paraprake, grupet e ndaluara dyshohet se kishin si qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme në territorin e Kosovës. Hetimet kanë zbuluar lidhje të drejtpërdrejta me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe, si dhe me pjesëtarë të grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë në shtator të vitit të kaluar.
“Grupi i parë prej katër personash u ndalua në Gjakovë. Gjatë kontrollit të automjetit, autoritetet gjetën fotografi me hartën e Kosovës, imazhe të terroristëve të vrarë në Banjskë, dy thika, një sopatë dhe një dritë rotative. Me vendim të prokurorit, këta persona janë ndaluar për 48 orë.
Ndërkohë, grupi i dytë me 12 persona u lokalizua në Prizren, ku po strehoheshin në ambientet e Seminarit Ortodoks të Bogosllavisë. Mes tyre u identifikuan edhe dy oficerë të tjerë të sigurisë serbe. Autoritetet dyshojnë se ky vendstrehim është zgjedhur për të kamufluar qëllimet e vërteta të grupit, si dhe për të krijuar tensione ndëretnike dhe fetare”, shkruan Zveçla ne rrjete sociale.
Sipas hetimeve, një nga të ndaluarit, zyrtar policor me gradë togeri në Serbi, rezulton të jetë i afërm me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojević, i njohur me nofkën “Gandi”. Ky i fundit ka lidhje të ngushta me Vladimir Radivojević, “Mami”, i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit të policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Një tjetër i ndaluar, oficer me gradë kapiten i klasit të parë, ka lidhje familjare me ish-gjeneralin e inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanović, i përfolur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para fushatës së bombardimeve mbi caqet serbe.
Organet e sigurisë kanë theksuar se hetimet do të vazhdojnë dhe opinioni publik do të informohet në vijim. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë dhe të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet e sigurisë për të ruajtur rendin dhe stabilitetin në vend. r.r
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/