Çfarë ka ndodhur:
Kryeministri Edi Rama e ka linjë të fortë të fushatës zgjedhore integrimin në BE. Por në fjalimet e tij ai e lidh fort për integrimin në BE vecse me votimin për PS në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Ai thotë se vetëm PS në pushtet mund të sjellë anëtarësimin e Shqipërisë në BE duke krijuar një narrative që nuk është e aprovuar në të njëjtën mënyrë apo masë prej atyre që vendosin në lidhje me integrimin e Shqipërisë në BE, pra institucioneve evropiane.
Rama ka deklaruar në një fjalim të tij mbajtur me struktura rinore të PS në Vlorë (https://ps.al/neësroom/me-energjine-e-te-rinjve-socialiste-te-vlores/) më 23 mars ndër të tjera: “11 maji është shumë i ngjashëm sepse në 11 maj shqiptarët duhet të vendosin duan të hyjnë në BE tani apo duan të hedhin zarat në këtë tavllën e kësaj lojës politike dhe të rrezikojnë që dera të mbyllet dhe të mbeten jashtë BE-së, kushedi se sa vjet të tjera. Ky është vendimi.
Nëse duan të hynë në BE, nuk duhet të jenë domosdoshmërisht socialistë, as duhen të bëhen me patjetër socialistë, larg qoftë se nuk duhet të bëhen të gjithë socialistë në këtë vend, por aty tek 5 është investimi i votës për Shqipërinë dhe për pasaportën.
Nuk ndodh, kuptojeni këtë gjë, nuk ndodh dot, që dikush tjetër dhe disa të tjerë ta bëjnë të njëjtën vezë tani, nuk e bëjnë dot dhe sikur 6 muaj të futet në konfuzion i gjithë ky muhabet, iku mundësia. Nuk e dimë ne se çfarë ndodh me Rusinë, me Amerikën, me Kinën, me BE-në dhe me të gjitha dhe në një moment të caktuar ata mund të thonë “Lërini tani këta se kemi ca halle të tjera më të mëdha” siç e kanë thënë në të shkuarën”.
Po ashtu ai ka deklaruar në një takim me strukturat e PS-së në Shkodër më 26 mars 2025 (https://ps.al/neësroom/me-partine-socialiste-shqiperia-ka-mundesine-e-arte-te-anetaresimit-ne-be/) :
“Tani pyetja që bëhet ose mund të bëjnë disa, është ‘’po mirë mo, ç’lidhje ka kjo kush fiton këtu’’. Këtu nuk ka ndonjë parti që thotë më jepni votën dhe ne nuk do shkojmë në BE po do shkojmë në ndonjë drejtim tejtër. Këtu të gjitha partitë thonë të njëjtën gjë; duam që Shqipëria të jetë në BE që është një gjë pozitive e cila buron në fakt nga vetë shqiptarët. Shqiptarët qofshin majtas, qofshin djathtas në këtë pikë nuk kanë dallime me njëri-tjetrin, në këtë pikë duan që Shqipëria të jetë anëtarë e BE por ajo që duhet shpjeguar dhe ajo që duhet kuptuar, është që në fakt nuk është e vërtetë që pavarësisht ça ndodh këtu, ne për 2 vjet do hyjmë në BE. Ne do hyjmë, do mbyllim negociatat si fillim për 2 vjet dhe do hyjmë në BE pasi të mbyllim negociatat, vetëm nëse ne do jemi të suksesshëm me negociatat. Ato nuk janë një fjalë goje , janë qindra mijëra, afro çerek milionë faqe që janë ligje, janë rregulla, janë vendime që duhen të gjitha trajtuar dhe duhen pastaj adoptuar në trupin legjislativ dhe rregullator të Shqipërisë dhe janë 1000 vetë përgjithësisht mosha juaj që çdo ditë shkojnë në zyrë dhe merren me këtë punë. Janë 40 skuadra të ndara sipas fushave që merren vetëm më ketë punë dhe është shumë e rëndësishme që puna e këtyre 1000 njerëzve, të vazhdojë e pandërprerë, e paluhatur, e palëkundur, e paçoroditur nga çfarëdo qoftë dhe lëre më pastaj nga një palë zgjedhje ku rezultati mund të jetë aritmetikisht ok për ne, por mund të mos jetë mjaftueshëm një rezultat kuptimplotë për ata që janë në anën tjetër, për ata që janë në Bruksel, për ata që janë anëtarë aktualë të BE.
Prandaj është shumë e rëndësishme që në 11 maj ndërkohë që në datën 12 ne numërojmë votat, të gjithë ata që merren me negociatat të vazhdojnë punën të patrazuar dhe ndërkohë ajo që del nga kutitë e votimit të jetë një mesazh kompakt i shqiptarëve përtej ngjyrave të partive, përtej të majtës e të djathtës, dhe të jetë një mesazh kumbues për Brukselin që duam Shqipërinë një orë e më parë në BE”.
Më 27 mars 2025, Lapsi.al kërkoi një koment nga zyra e BE-së në Tiranë (https://lapsi.al/2025/03/27/ekskluzive-be-rrezon-sloganet-e-rames-integrimi-nuk-varet-nga-fitorja-e-ps/ ). E pyetur nëse do të ndikojë rezultati i 11 Majit në perceptimin e zyrtarëve të Bashkimit Europian për procesin e integrimit të Shqipërisë, zyra e delegacionit u përgjigj:
“Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj evropiane, duke punuar krah për krah me institucionet shqiptare dhe të gjitha segmentet e shoqërisë”
E pyetur nëse do të përshpejtohet integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian nëse Partia Socialiste fiton një mandat të katërt qeverisës, zyra e delegacionit u përgjigj se:
“Anëtarësimi në BE është një proces i bazuar në merita dhe çdo kandidat vlerësohet në bazë të progresit të tij drejt përmbushjes së të gjitha kritereve,” – thekson BE, duke përmendur konkretisht prioritetet: shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit, liria e medias dhe reformat institucionale.
Artikull publikuar tek lapsi.al me 27.03.2025
Por Kryeministri Rama ka vijuar deklaratat e tij në lidhje me BE-në dhe lidhjen e integrimit me votat e 11 majit edhe pas këtij shpjegimi të zyrës së BE-së në Tiranë.
Më 28 maj ai e lidhi sërish fitoren e PS me integrimin në BE duke postuar një mesazh në rrjete sociale i cili u citua më pas edhe nga media online si dhe media zyrtare ATSH (https://ata.gov.al/2025/03/28/rama-voto-ps-ne-ndezim-se-bashku-yllin-e-shqiperise-ne-qiellin-e-europes-se-bashkuar/)
“Voto 5. Jepe votën tënde më 11 maj për mua e Partinë Socialiste, që të ndezim së bashku yllin e Shqipërisë në qiellin e Europës së Bashkuar; për atdheun, për të parët tanë, për fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve tanë”, shkruante Rama në faqen e tij në Facebook.
Më 31 maj ai deklaroi ndër të tjera gjatë prezantimit të programit të PS në Tiranë se:
“Ne mund t’i sigurojmë çdo shqiptareje, çdo shqiptari pasaportën evropiane të Shqipërisë 2030. Mesazhi ynë është i qartë. Për t’iu dhënë pasaportën e BE na duhet, jo thjeshtë një mandat i 4, po na duhet një mandat i fortë, më i fortë se të tre mandatet e derisotme.
Prandaj, kush e do pasaportën e BE-së, patjetër duhet t’i japë kontribut që Shqipëria të hyjë në BE dhe kontributi për Shqipërinë në BE është investimi i votës, aty në qendër të fletës së votimit, ku është numri 5 dhe ku shkruan Partia Socialiste dhe Edi Rama.
Askush tjetër – këtë duhet ta bëjmë shumë të qartë për të gjithë – nuk i pajis dot shqiptarët me pasaportën e BE brenda kësaj decade” (https://shqiptarja.com/lajm/e-plote-edi-rama-ja-programi-i-ps-per-mandatin-e-4-me-11-maj-vote-masive-per-integrimin-ne-be ).
Fjalimi i tij u publikua i plotë në disa media online dhe është cituar gjerësisht nga media të tjera.
b.Konteksti
Shqipëria ka hapur negociatat me Bashkimin Evropian për kapitujt 23 dhe 24 të njohur si ‘Themeloret’ dhe pret të hapen edhe tre kapituj të tjerë në muajt në vijim. Objektivi është që brenda vitit 2027 të mbyllen të gjithë kapitujt, cfarë nënkupton përfundimin e pjesës teknike për të cilën bën fjalë Kryeministri në deklaratat e cituara më sipër.
BE do të mbajë një takim në Tiranë me Ballkanin Perëndimor dhe vendet të tjera fqinje të BE-së më 15 maj, vetëm katër ditë pas votimeve në Shqipëri. Data e mëhershme ishte dy ditë para votimeve.
c.Një kerkim me i thellë: Kryeministri Rama nuk e ka pasur në diskursin e tij anëtarësimin në Bashkimin Evropian si lajtmotiv në vitet që që ai po qeveris vendin. Ai nuk ka zënë vend kryesor në fjalimet e tij dhe kjo është hera e parë që ai e ka kthyer anëtarësimin në BE si resurs elektoral.
d.Fluksi i lajmit
Lajmi është shpërndarë në faqen në rrjete sociale të Kryeministrit Rama. Ai ka 1.6M në Facebook ndërkohë që të gjitha mediat e vendit e transmetojnë pothuajse pa e komentuar fjalën e tij në takimet elektorale apo ato zyrtare në të gjithë vendin.
e.Shpjegime nga institucione apo persona të përfshirë në lajm
BE ka shpjeguar përmes zyrës së saj në Tiranë se integrimi në BE nuk lidhet me atë se kush drejton vendin por me parimin e plotësimit të kritereve për të qenë anëtar.
f.Si është lajmi, ose nuk ka lajm
Lajmi nuk përmbush vetitë e një lajmi të rremë, por më shumë është një kryqëzim i propogandës me kontekte favorizuese ku edhe një situatë apo një detaj i mjegullt apo i pavërtetë ose i pambështetur në rekorde mund të prodhojë besim ose krijojë favore përballë publikut për një forcë politike.
Shqyrtimi i mesiperm është zhvilluar me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor” të zbatuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD) në bashkëpunim me Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM),dhe Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA). Përmbajtja e shqyrtimit te mesiperm është përgjegjësi e vetme e zbatuesve të projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze (NMFA). Qendra per Transparence dhe Informim te Lire (qTIL)
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/