Ish-ministri Frckoski akuzon qeverinë dhe pranon shqiptarët otodoksë në Maqedoninë e Veriut

Ish-ministri Frckoski akuzon qeverinë dhe pranon shqiptarët otodoksë në Maqedoninë e Veriut

51
0
Shares

Ljubomir Frckoski, autor i  Kushtetutës së shtetit të ri maqedonas në filim të viteve 90, ish-Ministër i Brendshëm, ish-ministër i Punëve të Jashtme dhe ish-Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Kombet e Bashkuara pranon për herë të parë ekzistencën e shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni.  Ai bëhet kësisoj politikani i parë që bën një pranim kaq të rëndësishëm. Meqënëse në emisionin e para disa ditësh për arsye teknike biseda nuk u prodhua e plotë, ja gjithë përmbajtja e bisedës për Një Shqipëri, drejtuar nga Mentor Nazarko.

Mentor Nazarko: Çfarë është sipas jush aksidenti në Kocan; çfarë janë këto tragjedi që pllakosin Maqedoninë ( në fakt edhe Greqinë e Serbinë më herët) me një numër kaq të madh të vrarë, një zinxhir me një numër kaq të madh viktimash? Çfarë emri do t’i vinit juve kësaj tragjedie?

Ljubomir Frckoski: Koçani është tragjedia më e madhe në Maqedoni që nga pavarësia e saj,  rezultat i një korrupsioni të strukturuar në sistem. Dhe shkelja e procedurave normale për marrjen e licencave për funksionimin e lokaleve të natës në këtë rast. Dhe kjo shkaktoi një tronditje më të gjerë që tani ka pasoja politike dhe sociale.

Do të shtoja vetëm se partia në pushtet po përpiqet të vendosë përgjegjësinë historike të 20 viteve më parë, duke u përpjekur të shmangë përgjegjësinë e saj. Dhe kjo krijon tension politik që mund të përshkallëzohet në protesta. Që nga e hëna ka pasur një sërë protestash studentore për mungesën e llogaridhënies nga ana e shtetit.

Mentor Nazarko: Pra, qeveria nuk po përdor si duhet këtë frymë solidaritet ndëretnik apo thirrjet për mirëkuptim apo dhimbjet e familjareve, por duket se do të gjejë përgjegjësi apo kokë turku tek shqiptarët në qeverinë e kaluar? A po përkeqësojnë këto veprime të qeverisë klimën ndëretnike në Maqedoni?

Ljubomir Frckoski: Siç mund ta dini, në Maqedoni ende ekziston një traditë e bashkëpunimit ndëretnik, edhe gjatë periudhës së komunizmit në pushtet ka pasur shqiptarë. Deri më tani, pavarësisht se cila parti politike është në pushtet nga pala maqedonase, në koalicion gjithmonë ka një parti shqiptare në pushtet, dhe kjo vijon të ndodhë.

Tani, natyrisht, këtu ka ulje-ngritje, problemi kryesor është pranimi psikologjik multikulturor ndërmjet komuniteteve. Mendoj se maqedonasit kanë një detyrë tjetër për të përfunduar, dhe kjo është historia e tyre e përbashkët me aleatët e tyre në këtë rajon. Mendoj se kjo është një histori e fshehur për ne dhe nuk e mësojmë, por kemi një traditë të bashkëpunimit të ndërsjellë që nga shekulli i 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të.

Pra, klima ndëretnike në Maqedoni është kthyer një hap mbrapa nën drejtimin e kësaj qeverie të djathtë dhe nacionaliste, e cila ka fituar zgjedhjet duke mbajtur qëndrime lidhur me të drejtat e shumta që kanë fituar shqiptarët në Maqedoni dhe pozicionin e ndërkombëtarëve kundër nesh dhe pro Bullgarisë. Dhe që praktikisht marrëveshjet tona ndërkombëtare kanë ndikuar në rritjen e këtij presioni. Dhe në këtë kuptim, ka një presion në marrëdhëniet ndëretnike, por nuk mendoj se mund t’i prishin dhe t’i kthejnë në një nivel kritik. Por ka një presion dhe reagime nga shqiptarët, gjithashtu edhe nga publiku progresiv maqedonas.

Mentor Nazarko: Ju keni shkruar shumë libra dhe jeni propozues i një platforme për pajtimin apo dialogun ndëretnik, dhe elita maqedonase sipas jush i ka parë shqiptarët me sytë e serbëve. A është ky një konvertim i juaj, pra nga një nacionalist në një liberal? A është një pranim faji për sjelljen tuaj në krye të institucioneve kur ka pasur të vrarë që protestonin nëpër universitete, kur ka pasur diskriminim, kur ka pasur arrestime kryetaresh komunash për flamurin, ndalime në universitete që sollën deri në konfliktin në vitin 2001? Është e drejta juaj që të konvertoheni, por edhe e jona që të kuptojmë sa domethënëse janë propozimet tuaja?

Ljubomir Frckoski: Epo, e dini që ecin përpara vetëm njerëzit e zgjuar, këta të tjerët ndoshta nuk mund të evoluojnë. Në këtë kuptim, mendoj se në pikat ku kam qenë ndoshta shumë rigoroz, është mirë që kam evoluar. Por në disa pika mendoj se kam një vazhdimësi që është domethënëse. Siç është në fushën e të drejtave të njeriut dhe përfshirjes së shqiptarëve në çdo vendim politik dhe vendime politike në Maqedoni.

Ata kanë qenë gjithmonë pjesë, edhe në momentet më të tensionuara, kanë qenë pjesëmarrës në sistemin politik, gjë që është shumë e rëndësishme. Ata kurrë nuk u kthyen në geto. Asnjëherë nuk jemi ndarë në dy shoqëri.

Dhe së dyti, unë gjithmonë mendoj se ne mund të kishim shmangur luftën e 2001-shit dhe se të njëjtat pozicione të shqiptarëve mund të përmirësoheshin pa luftë përmes presioneve evropiane dhe të SHBA-ve. Gjithashtu mendoj se ishte një eksperiment krejtësisht i panevojshëm që sigurisht la gjurmë. Dhe tani mendoj se situata e re është më e rrezikshme për sa i përket ndikimit rus në rajon. Mendoj se pas kësaj tërheqjeje të administratës së re amerikane nga rajoni, ndikimi rus dhe serb po rritet dhe kjo po ndihet edhe në Maqedoni.

Mentor Nazarko: Bashkëpunimi i çetave shqiptare dhe maqedonase në kohën e Perandorisë Turke. Pse nuk e keni përfshirë dhe kryengritjen e Ilindenit apo të Republikën e Krushevës si momente të këtij bashkëpunimi? Duket sikur ka një qasje etnocentrike në këtë mospërfshirje.

Ljubomir Frckoski: A e dini se në lëvizjen kombëtare maqedonase ka bashkëpunim vetëm me lëvizjen kombëtare shqiptare? Pra, me askënd tjetër. VMRO-ja e vjetër historike bashkëpunoi me çetat shqiptare nga rajonet e Manastirit, Kërçovës dhe Struga. Ajo histori nuk studiohet në vendin tonë. Ndërkohë, ajo është thelbësore për ndërtimin e shoqërisë sonë multikulturore sot.

Nga viti 1941 e tutje, 1943 dhe 1945, maqedonasit gjithnjë e më shumë e mbajtën linjën serbe, sepse në atë periudhë fituan shtetin e Republikës së Maqedonisë, por e harruan historinë e tyre autentike.

Në kushtet e sotme, kthimi në atë histori, rizbulimi i asaj që mësojnë tekstet e historisë, është shumë i rëndësishëm për ne. Por kjo është mjaft e vështirë tani me këtë qeveri. Kjo është një nga detyrat themelore në të ardhmen.

Dhe së dyti, ne duhet t’i kundërvihemi këtij ndikimi të ri serb dhe rus në rajon me një lidhje të fortë midis maqedonasve dhe shqiptarëve në Maqedoni. Dhe një orientim properëndimor, liberal i Maqedonisë në këtë periudhë, sepse do të ketë presion nga ajo anë.

Mentor Nazarko: Ju jeni nga Galicniku, në Dibër  apo jo. Dibra dhe Reka janë zona të Maqedonisë që kanë pasur bashkëjetesë shqiptaro-maqedonase, ka pasur dhe një komunitet shqiptarësh ortodoksë, të cilët për shkak të kishës serbe në fillim dhe kishës maqedonase e kanë humbur identitetin e tyre etnik? Josif Bageri ishte një prift i cili ka kontribuar në ndërtimin e kishave në Maqedoni edhe në Kosovë, i cili u vra nga nacionalistët serbë në kishën e dibranëve në Prishtinë apo jo.

Ljubomir Frckoski: Pra, ju e dini që rajoni i Rekës, rajoni veriperëndimor i Maqedonisë, është i orientuar drejt Dibrës dhe Korçës. Skënderbeu ka qenë për një kohë të gjatë mbrojtës kombëtar i grupit etnik të Mijakëve të Galiçnikut. Ata më parë mbanin qeleshe të kuqe dhe pas vdekjes së Skënderbeut i ndryshuan ato në ngjyrë të zezë në kujtim të mbrojtësit të tyre.

Zakonisht kishte martesa të përziera dhe i gjithë orientimi është përgjat këtij rajoni. Ata nuk kishin lidhje me Shkupin. Ata ishin orientuar drejt Dibrës dhe Korçës. Prandaj, ajo linjë po rinovohet në një farë mënyre në nivel rajonal edhe sot. Nuk do ta lidhja me ndarjet fetare, sepse nuk është një fushë që mbuloj.

Përveç kësaj, unë vij nga një familje ikonografësh dhe për mua ndarjet fetare nuk kanë rëndësi.

Mentor Nazarko: A ka pasur shqiptarë ortodoksë që për shkak të kishës janë konvertuar dhe e kanë humbur identitetin e tyre etnik?

Kështu që nuk e di se si e ndjejnë ata këtë gjë, dhe është çështje personale nëse e kanë humbur apo e kanë fituar një identitet të ri. Unë e di që rolet e tyre në kulturën tonë janë domethënëse. Njoh disa personalitete me origjinë ortodokse shqiptare, si profesorin Arsen Janevski në Fakultetin Juridik, Zhiko Popovski, një nga arkitektët më të njohur në Fakultetin e Arkitekturës, këta janë njerëz me një përkatësi të tillë etnike dhe janë miq dhe të njohurit e mi. Kontributi i tyre kulturor është absolutisht i pakundërshtueshëm. Gjithashtu mund të përmend edhe Mate Matevski, një akademik i njohur shumë, si edhe plotë emra të tjerë të cilët për momentin nuk i mbaj mend ose nuk i njoh, por mendoj se ata janë inkorporuar në një kulturë të përbashkët./Konica.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY