
Qeveria shqiptare ka marrë vendimin për mbylljen e aksesit në platformën TikTok për një periudhë 12-mujore, me synimin për të vendosur masa mbrojtëse ndaj përmbajtjeve që mund të ndikojnë negativisht te të rinjtë. Vendimi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Sipas Manastirliut, qeveria ka nisur komunikimet me përfaqësuesit e TikTok për të garantuar vendosjen e filtrave që do të ndalojnë promovimin e sjelljeve të padëshirueshme gjatë kësaj periudhe bllokimi. “Kemi analizuar efektet e platformave sociale te fëmijët dhe të rinjtë, përfshirë rastet e dhunës fizike dhe problematikat që lidhen me shëndetin mendor. Bazuar në këto gjetje, grupi i punës ka rekomanduar kufizimin e aksesit në TikTok për një vit, duke krijuar hapësirën e nevojshme për vendosjen e masave mbrojtëse,” deklaroi ajo.
Procesi i bllokimit të aksesit do të realizohet nga Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike, e cila, sipas Manastirliut, pritet të ndërhyjë brenda disa ditëve, por jo më vonë se një javë. “Ky është një vendim i përkohshëm, që synon të krijojë kushtet për një përdorim më të sigurt të TikTok nga të rinjtë. Në këtë platformë qarkullojnë materiale shqetësuese, përfshirë akte që shkelin ligjin dhe promovojnë dhunën,” shtoi ministrja.
Vendimi për mbylljen e TikTok-ut u paralajmërua disa muaj më parë nga kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se Shqipëria do të ndjekë praktikat e vendeve të tjera për rregullimin e kësaj platforme. Masa vjen pas një serie konsultimesh me prindër dhe ekspertë të arsimit, të cilët kanë shprehur shqetësime për ndikimin e TikTok te të rinjtë, sipas Kryeninistrit Rama.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/











