Nga Sonila Meço
Shumë herë kam ngecur në kurthin e pesimizmit kur protestat masive, në vende europiane a fare pranë nesh kanë mbushur sheshe e bulevarde, kanë shkundur normalitetin e ditës, duke paralizuar për ditë e javë funksionimin e qyteteve.
Them “ngecur” dhe “pesimiste”, sepse kam gjetur arsye po aq të forta, që ngjashëm të ndodhte në Tiranë e çdo qytet të Shqipërisë kjo gjë dhe kam pranuar e dëshpëruar paaftësinë tonë, si popull, si shoqëri për reagime të tilla.
Më ndodhi për një dekikë edhe sot, ndërsa shihja protestat masive në Greqi, ku qytetarët janë ngritur në shenjë revolte, dy vjet pas përplasjes tragjike të dy trenave, që solli humbjen e jetëve të 57 personave, shumica studentë. Demonstrime masive, sulme me molotov, ndalim fluturimesh, transporti detar dhe tokësor në të gjithe vendin, mbyllje biznesesh, zyrash avokatore, dyqanesh, anullim teatrosh, nxënës veshur uniformë në të zeza…
Tym e flakë, sepse plot 2 vjet nga tragjedia, problemet e sigurisë në sistemin hekurudhor, që shkaktuan përplasjen nuk janë zgjidhur, drejtësia nuk ka vepruar, askush nuk është dënuar.
Zemërata, revolta, reagimi nuk kanë asnjë barrikadë për t’u shprehur, sepse njeriu do jetën, sigurinë, mirëqenien pa kompromis mbi fatin e vet e të shtrenjtëve të tij.
Mirëpo aq një dekikë dhe lëviza shpejt prej aty. Dhe e shoh ndryshe ngecien në “kurth”, kur si në rastin e Greqisë sot, Serbisë dje, Rumanisë pak kohë më parë etj, etj (pa shkuar në Francë e Gjermani) me një lloj admirimi për ta e fataliteti për ne, mbushet rrjeti me postime fotosh, videosh nga Athina. Dhe me nga një diçiturë: “Ja pra si protestohet!”
Dakord me qesëndinë, se në atë kurth pra e kapa veten mat edhe unë, por vetëm për një çast ama. Sepse nuk mban më e duhet sikur me të paktën një dromcë dinjitet të pranojmë se jemi rast sui generis (jo për herë të parë) në kërkimin e kultivimin e çdo arsyeje për të stigmatizuar veten dhe s’lëmë pikë energjie për të çmontuar shkaqet (se jam e bindur, që për t’i ditur, i dinë shumica).
Se ja psh, kush nga qeveritë e këtyre vendeve guxon të deklarojë me krenari publikisht karshi investitorëve të huaj të çdo lloji, se sindikata s’ka e s’do ketë kurrë, ndaj bujrum në “fjetore”?!
Po shoqëria civile në këto vende a financohet bollshëm nga “filantropë”, për të prodhuar realitete “laboratorike” pa opozitë shoqërore?
A ka në ato vende fushata aq të organizuara e sponsorizuara për të bindur e intimiduar publikun se çdo protestë, në çdo lloj forme është e kapur nga pushteti dhe ky i fundit madje e kontrollon edhe kur e stis kundra vetes?
A janë blerë aq masivisht diplomatë, zyrtarë e emisarë ndërkombëtarë nga fonde buxheti, apo aktivitetesh ilegale si në Shqipëri për të demoralizuar protestat?
A janë korruptuar agjentë federalë për të shpërbërë opozitat si nga ky vend i vogël ballkanik?
A është investuar nga ndonjë pushtet kaq shumë për krijimin e “opozitës” volitëse, duke shpartalluar atë natyrale?
A ka ikur kaq masivisht pulsi reagues në emigracion, sepse kapja e shtetit ka synuar largimin e trurit, shtresës së mesme, mendjeve të lira?
A ka kaq të punësuar për numër popullsie në administratë shtetërore si në Shqipëri?
A është kriminalizuar kaq fort jeta shoqërore, ekonomike e politike në ndonjë vend tjetër të Europës sa tek ne? Me kanabis, trafik droge, pastrim parash në ndërtim?
A është lobuar kund kaq fuqishëm shkatërrimi i opozitave të çdo lloji për të pamundësuar rotacionin, duke prodhuar autokracinë?
A është bërë kund tjetër kjo (ç)reformë në drejtësi?
A janë mbyllur televizione e programe, nënshtruar media, shërbyer pronarët e tyre me para publike e kontrolluar linjat editoriale si në Shqipëri?
A janë politizuar e shndërruar në burime elektorale kopshtet, shkollat, universitetet dhe institucionet e arsimit si tek ne?
A ka një rrjet të ngjashëm patronazhimi e spiunimi politik mbi çdo banor si këtu?
A ka rënë cilësia e arsimimit të çdo niveli si në Shqipëri?
A është shteruar mjedisi kulturor, artistik, intelektual, që do duhej të kultivonte shpirtin e lirë, rebel, krijues, kritik ndaj padrejtësive, autokracisë, kultit të individit?
A ka zgjedhje të kontrolluara me aq skrupolozitet nga krimi i organizuar si në Shqipëri?
A ka injektime kaq të përqendruara teorish se “ç’të protestosh kur opozita nuk frymëzon?!”, kur si është luftuar opozita e cdo lloji në Shqipëri nuk e ka arritur dot as Serbia e autokratit Vučić, pasardhës të kasapit të Ballkanit Millosheviç?
E pra, si mund të presësh skena të ngjashme revolte në Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan e Korçë me gjithë këtë industri të mirëfinancuar, të super organizuar për të blerë, e në mos blerë shantazhuar, e në mos shantazhuar sugjestionuar, e në mos sugjestionuar shkatërruar mendjet e ndriçuara, të lira, të kthjellëta, të afta të këtij kombi. Industria nuk u bë në një ditë, nuk ishim të gjithë pjesmarrës, arkitektët e shërbëtorët tashmë kanë emër, jo të gjithë e lejuan të ngrihet e përbindshme mbi kokat tona, por ka ardhur ai momenti ku “të ngecesh” në “kurthin” e “pesimizmit” nuk është më fat, por zgjedhje. Secili për arsyet e veta.
Dhe sot arsyet, për shumë arsye lexohen mirë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/