Më 30 janar 2025, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, u zhvillua ceremonia mortore për Kryepeshkopin Anastas Janullatos, i cili u nda nga jeta më 25 janar në moshën 95-vjeçare. Ceremonia filloi me Liturgjinë Hyjnore, e drejtuar nga Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu, i cili udhëhoqi shërbesën fetare në nder të Kryepeshkopit të ndjerë.
Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë personalitete të larta fetare dhe politike nga Shqipëria dhe jashtë saj. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, ishte i pranishëm në ceremoni. Gjithashtu, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, së bashku me një delegacion të gjerë nga Athina, përfshirë pesë ministra të kabinetit të tij, nderuan me praninë e tyre Kryepeshkopin Anastas. Të dy kryeministrat, Rama dhe Mitsotakis, mbajtën fjalime përkujtimore gjatë ceremonisë.
Ndër të pranishmit ishin edhe figura të tjera të shquara, si Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, Kryetarja e Kuvendit, Erisa Spiropali, dhe liderë të tjerë politikë, përfshirë kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Pjesëmarrja e gjerë e personaliteteve nga fusha të ndryshme tregoi respektin dhe vlerësimin e madh për veprën dhe kontributin e Kryepeshkopit Anastas gjatë shërbimit të tij në Shqipëri.
Pas përfundimit të shërbesës fetare, trupi i Kryepeshkopit Anastas u vendos në kriptën e nëndheshme brenda Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, sipas amanetit të tij. Klerikët do të vazhdojnë të mbajnë meshë përshpirtjeje pa ndërprerje deri nesër, duke nderuar kujtimin e tij dhe duke i dhënë lamtumirën e fundit.
Kryeministri Edi Rama tha se pavarësisht se figura e tij disa herë edhe u anatemua, për shkak të konflikteve mes Shqipërisë dhe Greqisë, askush nuk mund të mohojë rolin e tij në ringritjen e Kishës Ortodokse në Shqipëri.
“Personi i Kryepeshkopit Anastas dhe vepra e tij në krye të Kishës janë qëmtuar, admiruar, bekuar e qortuar e deri edhe janë anatemuar. Pasionet më kontradiktore janë shfaqur në mexhlisin tonë kur ka ardhur puna te veprimtaria publike dhe qytetare e njeriut i cili deshi apo s’deshi mori mbi supe deri dhe zjarret e konflikteve fëmijërore të fqinjësisë sonë, të ringjallur në të njëjtën kohë me ringjalljen e Kishës. Por edhe kjo, më së paku dëshmon për stoicizmin e bariut, cilësi gjithnjë e më e rrallë në një botë ku gjithnjë e më shumë janë ata që frynë andej nga fryn era. Por përtej zjarreve andej e këndej kufirit pas gjysmë shekulli heshtjeje mortore, askush dhe asnjëherë nuk e vë dot në dyshim, autenticitetin e angazhimit baritor të Kryepeshkopit, për grigjën që e gjeti të vrarë, të plagosur dhe të shpërndarë 33 vite më parë dhe që e bashkoi me përkushtim e durim të madh”, tha Rama.
“Ai erdhi në Shqipëri si një prift nga Greqia, por largohet si Anastasi i Shqipërisë. E di që ka plot shqiptarë që nuk pajtohen me këtë që thashë, por durim…”, shtoi Rama.
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, në fjalën e tij gjatë ceremonisë së lamtumirë së Kryepeshkopit Anastas, deklaroi se “guximi dhe shpresa ishin dy busullat orientuese që e drejtonin përherë Anastasin në rrugëtimin e tij të admirueshëm, që ishte në krah të njerëzve dhe të drejtave të tyre”.
“Ishte intelektual i besimit, por edhe një shërbëtor i thjeshtë i njeriut që kishte në krah. Ishte një shembull dhe fener i helenizmit. Fener kontributi, fisnikërie dhe thjeshtësie. Një dritë e ortodoksisë dhe jetës së krishterë. Që kur mbërriti në Shqipëri në vitin 1991, Anastasi gjeti vend të rrënuar nga regjimi autoritar, me të krishterët e persekutuar dhe bashkëkombasit tanë të lënë në harresë. Ai themeloi Kishën Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, ndërtoi qindra kisha dhe dorëzoi 145 klerikë të rinj. Hapi dhjetëra institucione arsimore, shëndetësore dhe bamirësie. Një mrekulli e vërtetë mes rrënojave. Gurët që na hedhin ata që luftojnë kundër veprës sonë, thonte me të qeshur, ne i mbledhim dhe ndërtojmë kisha e shkolla”, tha Mitsotakis.
“Nuk është rastësi që sot e vajtojnë si grekët, ashtu edhe shqiptarët. Kryepeshkopi ishte gjithmonë një urë miqësie mes dy popujve dhe hallkë komunikimin mes dy shteteve. Prandaj, mund të quhet diplomati i dashurisë”, shtoi kryeministri grek. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/