Stoku në gjykata, si ndahet mes gjykatave të cdo niveli e kategorie

Stoku në gjykata, si ndahet mes gjykatave të cdo niveli e kategorie

50
0
Shares

Stoku në total i cështjeve në gjykata nuk është ulur përgjatë vitit 2023 por është rritur pavarësisht zbatimit të hartës së re gjyqësore dhe shtimit të numrit të gjyqtarëve në sistem krahasuar me vitin 2022.

Për të kuptuar nivelin e stokut dhe lidhjen e tij me disa aspekte të tjera të ngarkesës së punës në gjykata apo ngarkesës së punës së gjyqtarëve është kryer matja e disa indikatorëve që kanë lidhje me krijimin e stokut ndër vite.

Referuar indikatorëve të përzgjedhur nga CEPEJ “Këshilli i Evropës për Eficencën e drejtësisë” janë konsideruar për matjen e mësipërme: Stoku total BT i shprehur në numër cështjesh, norma e likuidimit të cështjeve CR e shprehur në përqindje (raporti ndërmjet çështjeve të reja dhe çështjeve të përfunduara brenda një periudhe), koha e nevojshme për përfundimin e një çështjeje  DT (disposition time) e shprehur në ditë.

Në disa raste janë shtuar edhe dy indikatorë të tjerë: ngarkesa mesatare për gjyqtar ËR dhe norma e efiçencës për gjyqtar, ER (shpreh numrin mesatar të çështjeve të përfunduara nga një gjyqtar, gjatë vitit të raportuar)

Më poshtë janë tabelat që reflektojnë stokun në dy vitet në të gjitha gjykatat.

Tab: Varianca e stokut në gjyqësor për vitet 2022-2023

Gjykatat/vitet 2022 2023
Gjykata e Lartë 31827 26058
GJKKO 152 126
GJAKKO 34 25
Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm 31370 37662
Apeli Administrativ 21166 23056
Gjykatat e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm 40866 44181
Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë 7354 8788
Total 132008 139.896

Ndërkaq DT dhe CR (koha dhe norma e likuidimit të cështjeve sipas grupeve të gjykatave është si në vijim:

Tab: Indikatorët e eficensës së gjyqësorit në vitin 2023

Gjykatatat/Indikatori TB (stoku i cështjeve)/nr cështjesh DT (koha e pritjes së zgjidhjes së cështjes)/ditë CR (Norma e likuidimit të cështjeve)/%
Gjykata e Lartë 26058 1700 369%
GJKKO 126 16.4 100.9%
GJAKKO 25 30.7 103.3%
Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm 37662 1673 52%
Apeli Administrativ 23056 5326 46%
Gjykatat e Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm 44181 193 94.5%
Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë 8788 254 90%

Sic shihet nga tabela e mësipërme vetëm Gjykata e Lartë arrin të bëjë përmbysje në nivelin e stokut të grumbulluar duke shqyrtuar një nivel cështjes 3.6 herë më shumë se sa vështjet e reja të regjistrara brenda një viti në këtë gjykatë. Ndërkaq dy gjykatat e Posacme kanë një nivel të kënaqshëm të likudimit të cështjeve mbi 100%, cfarë do të thotë se se kanë hequr disa cështje nga stoku ndërkaq stoku nuk ka shënuar rritje.

Më poshtë janë gjetjet për indikatorët e mësipërm të shprehur në formë grafike:

Stoku në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm

Për grupin e gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm[1], ngarkesa totale e çështjeve të pashqyrtuara në fund të vitit 2023 ishte rritur me 8%. Në 31 dhjetor 2023 mbeten në pritje të gjykimit një stok BT prej 44,181 çështje, nga të cilat 45 % (19,911 çështje) i përkasin Gjykatës së shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm (13 të tilla), kanë funksionuar me 56% të gjyqtarëve të parashikuar. Megjithatë norma e likudimit të cshtjeve është afër standartit (94,5) cfarë do të thotë se nëse numri i gjyqtarëve do të shënojë rritje në këtë grup gjykatash në dy vitet në vijim (2024-2025), stoku pritet të ndalë rritjen që në vitin 2024 ndërsa do të nisë të reduktohet përgjatë vitit 2025.

Gjatë 2023 janë regjistruar 84,382 çështje të reja. Vendin e parë me 31,883 çështje (38% e totalit) e zë Tirana, ndërsa vendin e dytë me vetëm 10% të totalit e zë Durrësi dhe më pas Fieri me 7,328 (8.7% e totalit).

Rendimentit mesatar i cështjeve të gjykuara të këtij grupi gjykatash është 841.7 çështje të gjykuara për gjyqtar.

Norma e likuidimit të çështjeve CR paraqitet e ndryshme për të dyja  kategoritë e çështjeve, civile dhe penale. Ajo është mesatarisht 90% për çështjet civile dhe  97% për çështjet penale, por ngelet nën pragun 100% ose CR mesatar afërsisht 94.5%.

8 nga 13 gjykata nuk kanë arritur të ruajnë ritmet e gjykimit dhe për rrjedhojë kanë krijuar stok të çështjeve penale. Vetëm 5 gjykata raportojnë një normë likuidimi mbi 100%, por nuk kanë arritur të ndikojnë mbi stokun e tyre me një normë likuidimi 101% ose vetëm 1% më të lartë se pragu. Gjykatat me normë likuidimi më të lartë për çështjet penale janë gjykata e Shkodrës me 105% dhe e Kukësit me 106%.

Treguesit DT (Disposition Time, koha e nevojshme për përfundimin e një çështjeje në ditë) është rritur duke sjellë dhe zgjatje të afateve të nevojshme për shqyrtimin e çështjes. Një çështje civile gjykohet në shkallë të parë mesatarisht për 272 ditë, ndërsa një çështje penale për 114 ditë, megjithatë gjykimi i çështjeve penale dhe civile në shkallë të parë realizohet brenda afateve të arsyeshme ligjore, në të gjitha gjykatat e vendit.

Stoku sipas viteve na ofron një pamje të rënduar që nga viti 2019 ndërsa rritjen më të madhe e ka në vitin 2022.

Më poshtë janë shifrat e stokut në gjykatat e shkallës së parë nga viti 2020 deri në vitin 2023:

Tab: Shifrat e stokut në vitet 2020-2023 në gjykatat e shkallës së parë

Vitet Stoku në numër cështjesh
2020 28654
2021 36590
2022 40866
2023 44181

Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm:

Stoku total TB prej 37,662 çështje prisnin të shqyrtoheshin nga Gjykata e Apelit e Juridiksionin të Përgjithshëm[2] në Tiranë më 1 janar 2024.

Gjatë vitit 2023, stoku në këtë gjykatë është rritur me 20.1% ose 6,292 çështje më shumë se në fillim të vitit, kur raportoheshin 31,370 çështje stok. Cështje civile përbëjnë 69% të stokut, ndërsa 31% janë çështje penale.

Të kategorizuara sipas natyrës dhe kohës së pritjes, çështjet rezultojnë si në vijim: Vërehet se çështjet e regjistruara rreth 2-3 vite më parë nga viti i raportimit zënë numrin më të madh të çështjeve në pritje të gjykimit prej 9769 (26%) çështje nga të cilat janë 7148 civile dhe 2621 penale. Vendin e dytë, me 8560 (23%), e zënë çështjet e kategorisë 3-5 vjet. Ndërsa 6448 çështje presin prej 1-2 vitesh për t’u shqyrtuar nga gjykata e apelit. Me moshën më të vjetër, me një pritje prej më shumë se 5 vitesh, rezultojnë 1360 çështje penale dhe 3349 çështje civile, të cilat përbëjnë 12.5% të stokut të vitit 2023.

Norma e likuidimit të çështjeve CR civile  është 42,3%. Nga viti 2022 në vitin 2023 është ulur në 38 % . CR penale është 74%. Nga viti 2022 në vitin 2023 është ulur me 12.1%. Kemi një CR mesatare afërsisht 52% po të shohim se kemi më shumë cështje civile se sa penale të regjistruara në vitin 2023.

Koha e nevojshme për likuidimin e çështjeve (Treguesi DT) për cështjet civile është 2790.7 ditë, ose afërsisht 9 vite. Gjykimi i çështjeve penale, vijon të karakterizohet nga kohë më të shpejta gjykimi në krahasim me çështjet civile, koha mesatare e të cilës DT shkon në 885.2 ditë.

Treguesi DT, mesatar për këtë gjykatë është 1673.4 ditë. Kjo vlerë është më e ulët se ajo e ish Gjykatës së Apelit Tiranë për vitin 2022, që ishte në vlerën e 2216.5 ditëve. Po të bëjmë një krahasim midis vetëm këtyre vlerave, rezulton se bashkimi i gjykatave ka sjellë një ulje të konsiderueshme të ditëve të gjykimit të çështjeve në ish-Gjykatën e Apelit Tiranë, prej 543 ditësh. Kjo konsiderohet si një shenjë pozitive e zbatimit të hartës së re gjyqësore.

Ngarkesa mesatare e punës për gjyqtar në gjykatën e Apelit[3] është 1903 cështje ndërsa në 2022 ishte 1220. Numri i gjyqtarëve në Apel është 24 nga 34 gjyqtarë që ishin një vit më parë (disa gjykata apeli). Në total organika e plotësuar në Apel është me 31% gjyqtarë dhe 69% të stafit jogjyqtar.

Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë

Gjykatat administrative të shkallës së parë[4] e kishin TB 8,788 cështje më 1 janar 2024. 20% ose 1,774 çështje janë çështje të regjistruara në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Lushnje dhe 80% ose 7,014 çështje në Gjykata Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Krahasuar me një vit më parë stoku është rritur me 1,434 çështje, ose e thënë ndryshe rritur me 19%.

Gjykatat administrative të shkallës së parë kanë shënuar gjatë vitit 2023 ulje të ngarkesës mesatare të gjyqtarëve në 872 çështje për gjyqtar, krahasuar me 955 çështje/gjyqtar në vitin 2022. Ndërkohë ka një ulje të rendimentit të gjyqtarëve mesatarisht në 522.6 çështje nga 659 çështje të gjykuara për gjyqtar në 2022.

Megjithatë gjykimi kryhet brenda afateve të arsyeshme ligjore me një tregues DT mesatar prej 292.2 ditësh (mesatare) në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Lushnje dhe 217.3 ditësh në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Rezultojnë 2007 çështje, që përbëjnë 23% të stokut, të cilat janë në pritje prej më pak se 1 vit. Raportohen gjithashtu 886 çështje (10% e stokut) me një kohë pritje 2-3 vjeçare, 6% e stokut ose 523 çështje kanë një vjetërsi 3-5 vjeçare. Pjesë e stokut janë edhe 380 çështje administrative me palë kundërshtare, të cilat presin gjykimin prej më shumë se 5 vjet.

Norma e zgjidhjes/likuidimit të çështjeve CR, në gjykatën administrative në Lushnjë në vitin 2023 ishte 86.8 %. Norma e likuidimit CR për gjykatën administrative të shkallës së parë në Tiranë, për vitin 2023 është 91% pra nën standardin ndërkombëtar prej 100%.

CR mesatare për të dy gjykatat është afërisht 90% duke patur parasysh peshën e cështjeve në dy gjykatat në një raport 6:1 për gjykatën administrative të Tiranës.

Gjykatat operojnë më një organikë të gjyqtarëve prej 65%, administratës gjyqësore 88% dhe me një koficint 3.95 staf për 1 gjyqtar.

Gjykata Administrative e Apelit

Gjykata Administrative e Apelit[5], në fund të vitit 2023, kishin grumbulluar një stok TB 23,056 çështje (8.9% më shumë se në fillim të vitit).

Gjatë vitit 2023 Gjykata Administrative e Apelit ka pasur një rritje të numrit të gjyqtarëve efektivisht në detyrë, me një rritje afërsisht me 3 gjyqtarë. Ajo ka funksionuar me 64% të numrit të gjyqtarëve të parashikuar dhe me 74% të organikës së administratës gjyqësore.

Gjykata e Posacme e Shkallës së Parë (GJKKO)

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në fund të vitit 2023 kishte një TB 126 çështje.

Koha e nevojshme për likuidimin e çështjeve (Treguesi DT) në vitin 2022, ishte  mesatarisht 26.6 ditë, ndërsa gjatë vitit 2023 rezulton se mesatarisht për zgjidhjen e një çështjeje palët duhet të presin 16.4 ditë.

Norma e likuidimit të cështjeve ishte CR=100.9%.

Numri i gjyqtarëve gjatë 2023 ka qenë 9 nga 16 sipas dekretit ndërsa numri i punonjësve  jo gjyqtar ishte 93%. Raporti staf për gjyqtar është 5.1

Gjykata e Posacme e Apelit

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJPAKKO) në fund të vitit 2023 kishte një TB 25 çështje.

Gjatë vitit 2023 janë regjistruar 297 çështje të reja, (17 çështje më pak, krahasuar me vitin 2022). Ajo ka funksionuar me 91% të gjyqtarëve, 10 të tillë nga 11 që parashikon dekreti, dhe me ngarkesë më të lartë të çështjeve në krahasim me vitin 2022.

Koha e zgjidhjes së një cështje DT është për 2023 është 30.7 ditë.

Norma e përfundimit/likujdimit të çështjeve CR (Clearance Rate) është 103.3%.

Gjatë vitit 2023 një gjyqtar ka gjykuar mesatarisht 29.7 cështje në krahasim me 38 cështje në vitin 2022.

“Ky publikim, është mundësuar me mbështetjen financiare të AMSHC-së. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e autorit, opinioni i shprehur në të nuk është domosdoshmërisht opinion i AMSHC-së”

[1] Raporti vjetor I KLGJ, 20023

[2] Po aty

[3] Analiza vjetore 2023 e Gjykates se Apelit

[4] Po aty

[5] Po aty

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY