Kreu i PD, Sali Berisha komentoi sot draft buxhetin për viton 2025 duke konsideruar se ai do të jetë buxheti i vjedhjeve më të mëdha nga narkoqeveritarët në tërë historinë e vendit.
PJESË NGA DEKLARATA E BERISHËS/ Jam sot para jush për të denoncuar publikisht buxhetin e vitit 2025, të shpallur si buxhetin më të madh të kohërave prej 8 miliardë eurosh, por pasi jam njohur me strukturën e tij, informoj qytetarët shqiptarë se ky do jetë buxheti i vjedhjeve më të mëdha të qytetarëve nga narkoqeveritarët qendrore dhe vendorë të tyre në tërë historinë e vendit.
Kjo sepse në këtë buxhet prej 8 miliardë euro, i cili de facto bën të mundur dyfishimin e të gjitha rrogave dhe pensioneve në Shqipëri, por le të themi me dorë të kursyer rritjen me 50 përqind të tyre pa asnjë vështirësi, parashikohet jo kjo, por parashikohet një vjedhje e tmerrshme e këtyre shumë miliardave euro të qytetarëve shqiptarë.
Kështu sipas strukturës së përcaktuar nga narkoqeveria, buxheti do përdoret pasivisht për llokmat e rrugëve dhe jo rrugët, sepse ndërtimi i rrugëve siç e dini është zëvendësuar me ndërtimin e llokmave, apo siç i pëlqen Ramës dhe Lubisë, loteve të tyre.
Pra, do i përkushtohet kryesisht këtyre për faktin e vetëm se 1 km rrugë në të njëjtin terren në Shqipëri, ndërtohet me 10-fishin e çmimit me të cilin ndërtohet në Kroaci.
Çka do të thotë se në Shqipëri vidhen të paktën 90 përqind e investimit, madje edhe më shumë, po të kemi parasysh se rrogat në Kroaci janë dy herë më të larta se në Shqipëri.
Buxheti prej 8 milardë euro shënon fatkeqësinë e madhe të radhës për shqiptarët pasi ky buxhet në të gjitha punët publike të tjera, përveç rrugëve, shkollat, qendrat shëndetësore, çerdhet, zyrat, etj, parashikon një kosto 6 gjer në 10 herë më të lartë se sa në mesataren e BE.
Pra, parashikon një vjedhje, po të kemi parasysh dhe rrogat, 70 gjer në 94 përqind të të gjithë investimeve që bëhen në këto objekte.
Kurrë ndonjëherë një qeveri nuk ka vjedhur në mënyrë kaq të pamëshirë qytetarët e vet.
Berisha: Rama do vjedhë deri në 90 përqind të buxhetit prej 8 miliardë euro! Buxheti përjashton vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh
Buxheti i shpallur më i madhi në histori prej 8 miliardë eurosh, rikujtoj shqiptarët se rrogat vjetore të tyre janë rreth 800 milionë euro, pra buxheti prej 8 miliardë eurosh, në vend se t’i japë përgjigje përfundimtare probleme të kafshatës së përditshme me të cilën përballen qindra mijëra shqiptarë, përballën 600-700 mijë pensionistë, por edhe dhjetëra mijëra familje shqiptare, pra në vend që t’i japë zgjidhje problemit të kafshatës, duke vendosur minimumin jetik prej 200 eurosh, ky buxhet përjashton tërësisht vendosjen e këtij minimumi, i cili ka një rëndësi themelore për mbrojtjen dhe mbështetjen e qytetarëve shqiptarë më në nevojë.
Mos harroni se Shqipëria sot ka hendekun midis rrogave më të larta dhe atyre më të ulëta dhe pensioneve, më të madhin në Europë dhe ndër më të mëdhenjtë në botë.
Është rikthyer absolutisht proporcioni kur rroga e presidentit të Shqipërisë në diktaturë ishte rreth 14 herë më e madhe se rroga mesatare e një punëtori.
Është kthyer një disproporcion çnjerëzor.
Rikujtoj shqiptarët se rroga e presidentit të SHBA nuk është kurrë 4-5 herë më e madhe se rroga mesatare e shtetasve të SHBA.
Dhe ky proporcion që ekziston në SHBA, ekziston në tërësi në të gjitha vendet e lira.
Ky disproporcion i pamëshirë i kultit të pagesave super të larta të zyrtarëve ku presidenti merr një rrogë të barabartë me 60 pensionistë në muaj, ku kryeministri merr një rrogë të barabartë me 50 pensionistë në muaj, nuk mund të ekzistojë askund në një vend të lirë, ku të mirat, të ardhurat kthehen në mirësi për mbarë qytetarët.
Edi Rama kthen në këtë mënyrë buxhetin 8 miliardë në një lloj ndëshkimi për qytetarët, në kuptimin që ai e vjedh me lukuninë dhe organizatat e tij kriminale, 70 deri në 90 përqind të këtij buxheti.
Njëlloj siç kthen miliona turistë që vijnë në Shqipëri.
Sepse ju, për çdo turist paguani nga taksat tuaja, 230 euro në një kohë kur përfitoni nga të ardhurat që krijohen nga turistët që vijnë në Shqipëri, 4 euro për frymë.
Kështu, turizmi është shndërruar në një parajsë për oligarkët e qeverisë dhe një ndëshkim për qytetarët shqiptarë. r.p
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/