Drejtoria e Burgjeve ka dhënë detaje më lidhje me dronin që u kap gjatë transportit të dozave të drogës në burgun e Peqinit.
Në datën 12 shtator 2024, rreth orës 20:37, shërbimet e sigurisë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Peqin konstatuar një mjet fluturues, dron, që fluturoi në një lartësi prej 100-150 metrash në territorin e burgut, ku për 1 minutë e 20 sekonda hodhi dy pako brenda ambienteve të burgut.
Pasi u identifikua mjeti fluturues, u njoftuan menjëherë forcat e sigurisë të IEVP Peqin, të cilët, së bashku me Forcat Speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve realizuan kontrolle të hollësishme në zonën e hapur dhe të mbyllur të institucionit të rregjimit të IEVP Peqin.
“Pas kontrolleve të detajuara, u zbulua se një nga pakot përmbante dy aparate celularë, një iPhone 11 dhe një iPhone 11 Pro Max, si dhe tetë fisha për karikimin e telefonave. Në një tjetër pako u gjetën 380 gramë të dyshuar kanabis sativa, të ndara në doza të vogla nga 0.13-0.15 gramë, si dhe 33 doza të vogla me lëndë të dyshuar si kokainë, me një peshë totale prej 57.7 gramë.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndërmarrë menjëherë një sërë masash për të rritur sigurinë, duke përfshirë: shtimin e forcave të specializuara për monitorimin e hapësirave të jashtme dhe kontrollin e aktiviteteve të dyshimta; kontrollin e plotë të të gjitha zonave të hapura dhe të mbyllura të IEVP-së; si dhe analizimin e ngjarjes për përfshirjen e të dënuarve apo të paraburgosurve në këtë ngjarje. Po ashtu, është parashikuar që të gjithë të burgosurit ose të paraburgosurit që do të dyshohen për përfshirje në ngjarjen e mësipërme do të transferohen menjëherë në institucione të tjera për të parandaluar ndonjë përfshirje të mëtejshme në aktivitetet e paligjshme”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Burgjeve.
Policia e Shtetit dhe Prokuroria po hetojnë ngjarjen për të identifikuar personat përgjegjës. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/