Qeveria serbe rikthen sjelljet mesjetare. Merr peng 300 shqiptarë në kufijtë e...

Qeveria serbe rikthen sjelljet mesjetare. Merr peng 300 shqiptarë në kufijtë e Serbisë

257
0
Shares

Rreth 300 udhëtarë nga Kosova u bllokuan sot nga policia serbe në dy pika kufitare mes Serbisë dhe Kroacisë e Hungarisë, duke sjellë ngjarje që do të mundntë kishin ndodhur në mesjetë.

Lajmi u dha nga ministria e Jashtme e Kosovës e cila përmes një njoftimi të ndarë për media, tha se pak orë pasi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill u mbështet anëtarësimi i Kosovës, institucionet janë njoftuar se në pikën kufitare të Serbisë me Kroacinë në Batrovci, autobusët e Kosovës, që po kalonin transit, janë ndaluar nga autoritetet kufitare serbe. Po ashtu, e njëjta situatë është edhe në pikëkalimin në Shid.

“Qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikën kufitare në Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë [që lidh Kosovën me Serbinë] dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas”, tha MPJD-ja.

Kjo ministri tha se udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve.

“Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje”, u tha në njoftim.

Paraprakisht sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, përmes një postimi në Facebook, tha se në Batrovci janë ndaluar të paktën katër autobusë, me “mbi 300 udhëtarë nga Kosova”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e cilësoi si “shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut” ndalimin në territorin e Serbisë të shtetasve të Kosovës, të cilët, “janë privuar nga ushqimi dhe ilaçet”.

Një nga qytetarët është shprehur për Klan Kosovën se kanë pritur mbi 6 orë në doganë.

“Jemi duke pritë prej orës 3:00 të mëngjesit. Për momentin na kanë thënë të qëndrojmë në autobus pasi se nuk do të na vonojnë edhe shumë. Dokumentet na i kanë marrë të gjithëve dhe s’është kryer as edhe një kontroll. Jemi diku afro 10 autobusë që po presim”, tha një qytetar.

Bashkimi Evropian ka reaguar në lidhje me ngjarjen e paprecedentë dhe konstaton se Serbia është duke e shkelur marrëveshjen për lirinë e lëvizjes.

“Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje”, ka deklaruar për Evropën e Lirë, Peter Stano, zëdhënës i BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë.

Ai shtoi se BE-ja “fton Serbinë që të përmbahet nga veprimet e tilla unilaterale dhe të pakoordinuara dhe menjëherë t’i kthehet respektimit të marrëveshjes“.

Besohet se vendimi serb për bllokimin e qytetarëve të mërkurën vjen si shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Qeveria në Prishtinë bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër Serbi, shtet në të cilin që nga mesnata, kosovarëve u është vështirësuar qarkullimi.

Por, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë i ka mohuar akuzat se ka ndaluar autobusë me udhëtarë kosovarë në kufijtë e saj me Kroacinë dhe Hungarinë. Ajo shtoi se janë “duke u forcuar kontrollet kufitare”.

Ndërkaq Stano ka përsëritur thirrjen për të dyja palët që të respektojnë obligimet nga dialogu, raportoi radio Evropa e Lirë.

“Presim nga palët që në tërësi të zbatojnë detyrimet e tyre nga dialogu, të cilat janë obliguese dhe të vlefshme. Ne, po ashtu, presim nga palët që të sigurojnë një ambient të përshtatshëm për dialog në mënyrë që të shmanget çfarëdo veprimi i cili mund të rrezikoj sigurinë dhe stabilitetin“, thuhet në reagimin e BE-së.

Çështja e lëvizjes është e rregulluar me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që Kosova dhe Serbia arritën më 2011 në Bruksel. Në këtë marrëveshje thuhet se “qytetarët (me vendbanime të përhershme) të të dyja palëve duhet të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm brenda ose përmes territorit të njëra-tjetrës dhe në pikat kufitare të qarkullojnë vetëm me letërnjoftim”.

Më 16 Prill, në Asamblenë Parlamentare u miratua rekomandimi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Çështja tani do të dërgohet te Këshilli i Ministrave, që takohet në maj, organ që jep përgjigjen përfundimtare për anëtarësimin e një shteti në këtë organizatë.

Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY