Pas tri ditë hetimesh nxitur nga presioni i medias, policia e Durrësit zgjidhi plotësisht enigmat e vetvrasjes me fostoksinë të Bedrie Lokes. Sot ra në pranga bashkëshorti i 41 -vjeçares që humbi jetën 4 ditë më parë, pasi hetimet e thelluara gjetën se i shoqi 45-vjeçar Xhemal Loka, ka dhunuar psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme, bashkëshorten e tij.
45-vjeçari, kur ishte kthyer nga Greqia, e kishte kërcënuar për ta vrarë bashkëshorten, me mjet prerës thikë, në prezencë të njërit prej fëmijëve.
Gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e banesës së 45-vjeçarit, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri automatik tip “Sharrs”, një krehër dhe një sasi municioni luftarak.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për zbardhjen e shkakut të konsumimit të lëndës helmuese nga 41-vjeçarja Bedrie Loka, e cila më pas humbi jetën, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan shtetasin Xhemal Loka, 45 vjeç, i cili përkohësisht jetonte në Greqi, për shkak të punës.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi Loka, 45 vjeç, kishte dhunuar psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme bashkëshorten e tij.
Gjithashtu, nga hetimet e thelluara rezultoi se më datë 27.12.2023, Xhemali e ka kërcënuar bashkëshorten me thikë, për të vrarë, në prezencë të njërit prej fëmijëve. Për këtë rast, Bedria L. nuk ka bërë kallëzim në polici.
Gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e banesës së 45-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri automatik tip “Sharrs”, një krehër dhe një sasi municioni luftarak.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë sekuestruar celularin e Xhemalit i cili e kishte fshehur atë, dhe nuk ka bashkëpunuar me Policinë.
Ky celular, bashkë me celularin e Bedries janë dërguar për ekspertimin me qëllim gjetjen e provave për dokumentimin e rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.
Po në vijim të veprimeve të thelluara janë kryer një sërë veprimesh të tjera procedurale me qëllim dokumentimin e plotë të shkakut që detyroi shtetasen Bedrie L., të konsumonte lëndë helmuese.
Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet e thelluara me qëllim zbardhjen e plotë të shkakut që detyroi 41-vjeçaren të konsumonte lëndë helmuese, nga e cila për pasojë humbi jetën.
Gjithashtu, nga strukturat e specializuara për Hetimin e Krimeve Kibernetike po kryehen veprime hetimore intensive për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore autorin/en e keqpërdorimit të të dhënave të Bedrie Lokes, në rrjetin social “Tik Tok”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/