Zyrtarët iranianë thanë se si pasojë e dy shpërthimeve të njëpasnjëshme brenda 15 minutash në një varrezë në Kerman të Iranit, u vranë 100 persona dhe u plagosën 170 të tjerë, njoftoi Zëri i Amerikës.
Shpërthimet kishin si objektiv një ceremoni përkujtimore me rastin e katër vjetorit të vdekjes së gjeneralit Qassem Soleimani. Ky u fundit u vra në vitin 2020 në Irak gjatë një sulmi me dron amerikan. Ngjarja vjen mes tensionesh të rritura në Lindjen e Mesme për shkak të luftës mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.
Deri tani asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, që në mediat shtetërore iraniane u quajt një sulm “terrorist”.
Ndërsa Izraeli ka kryer sulme në Iran lidhur me programin e tij bërthamor, ai ka kryer atentate me objektiva të qartë dhe jo bombardime që kanë vënë në shënjestër viktima në masë. Në të kaluarën grupet ekstremiste sunite, përfshirë grupin e Shtetit Islamik, kanë kryer sulme në shkallë të gjerë duke vrarë civilë në Iranin me shumicë shiite, por jo në Kerman, një qytet rreth 820 kilometra në juglindje të Teheranit, e që ka qenë relativisht i qetë.
Irani gjithashtu është përballur me protesta masive në vitet e fundit, përfshirë ato që pasuan vdekjen e 22-vjeçares Mahsa Amini në 2022 e cila ishte ndaluar nga policia e ashtuquajtur e moralit. Vendi gjithashtu ka qenë në shënjestër të grupeve në mërgim, me sulme që datojnë që nga trazirat që pasuan Revolucionin Islamik të vitit 1979.
Soleimani njihej si arkitekti i aktiviteteve ushtarake rajonale të Iranit dhe konsiderohet si një ikonë kombëtare në mesin e mbështetësve të teokracisë së Iranit. Ai ka ndihmuar në garantimin e sigurisë për qeverinë e Presidentit sirian Bashar Assad, pasi protestat kundër tij gjatë asaj që njihet si Pranvera Arabe e vitit 2011, u kthyen në një luftë civile dhe më vonë në një luftë rajonale, që vazhdon edhe sot.
Soleimani ishte relativisht i panjohur në Iran, deri në momentin kur Shtetet e Bashkuara sulmuan Irakun në vitin 2003. Popullariteti dhe mistika e Soleimanit u rrit pasi zyrtarët amerikanë kërkuan vrasjen e tij lidhur me ndihmën në armatosjen e militantëve me mjete eksplozive, që u përdorën për të vrarë dhe gjymtuar trupat amerikane./VOA
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/