Një zjarr masiv përfshiu një pallat 12-katësh në qytetin e Lushnjes pasditen e së hënës. Zjarri fillimisht ka rënë në katin e tretë të pallatit, ambient ky i përshatur si qendër tregtare, ku dyshohet se vatra e parë e zjarrit ka qenë në një dyqan këpucësh.
Pallati 12-katësh shërben edhe si ambient banimi për shumë familje në qytetin e Lushnjes, ku në brendi të apartamenteve në çastin kur godina u përfshi nga flakët ndodheshin disa banorë, të cilët me ndërhyrjen e Forcave Zjarrfikëse dhe Forcave të RENEA-s u evakuuan. Sipas të dhënave, nga kjo godinë janë evakuuar dhe dërguar në spital për ndihmë mjekësore rreth 39 qytetarë, të gjithë jashtë rrezikut për jetën, si dhe 3 punonjës të zjarrfikëses. Mes të evakuuarve ishin edhe tre të mitur, të moshave 14 dhe 8 vjeç, të cilët po marrin ndihmë mjekësore pranë spitalit të Lushnjes.
Mjekët në këtë spital bëjnë të ditur se asnjë nga pacientët nuk ka pësuar djegie, ndërsa gjendja e pacientëve që u paraqitën me shenja asfiksie është e stabilizuar.
Për lokalizimin e flakëve, veç zjarrëfikëse të Lushnjes shkuan në ndihmë edhe zjarrfikëse nga Fieri, Patosi, si dhe 4 zjarrfikëse nga Tirana, ndërhyrja e së cilëve bëri të mundur lokalizimin dhe shuarjen e plotë të flakëve. Në operacion për evakuimin e qytetarëve morën pjesë edhe Forcat e Sigurisë Kombëtare, Njësitë Shqiponja, si dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnje. r.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/