Kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi prezantoi planin për arsimin në Kryeqytet. Në një tryezë me ekspertë të arsimit, mësues, pedagogë, nxënës e studentë, Këlliçi tregoi masat që parashikon të marrë që në nisje të punës si kryebashkiak, për t`i dhënë fund problemit të mungesës së shkollave dhe çerdheve. Fillimisht, ai tha se sot në Tiranë, ka kopshte dhe çerdhe për vetëm 12 mijë fëmijë, ndërsa pjesa tjetër e fëmijëve të kësaj grupmoshe mbetet e pambuluar me shërbim.
_“Sot që ne flasim në kryeqytet kemi vetëm 39 çerdhe dhe 46 kopshte që mjaftojnë vetëm për akomodimin e 12 mijë fëmijëve të kryeqytetit. Pra 38 mijë fëmijë mbeten të pa adresuar dhe problematika e tyre, duhet të jetë një shqetësim parësor për çdo kryebashkiakë dhe për çdo punonjës të bashkisë Tiranë_”-tha Belind Këlliçi.
Kandidati i Opozitës paraqiti edhe zgjidhjen. Zgjidhja e këtij problemi do të vijë nëpërmjet përdorimit të taksës 3% si kontribut social që jep sektori i ndërtimit. Pra, kjo hapësirë do të përdoret për kopshte dhe çerdhe të reja në Tiranë, që sipas Belind Këlliçit, do të ketë menjëherë dyfishim të tyre.
_“Angazhimi im i parë dhe i drejtpërdrejtë sot është ky: E gjithë sipërfaqja e ndërtuar që vjen prej taksës 3% si kontribut social i sektorit të ndërtimit, do të shkojë për çerdhe dhe kopshte të reja. Kjo do të thotë se numri i kopshteve dhe çerdhe të reja në Tiranë do të dyfishohet menjëherë. Kjo do të ndodh brenda vitit tim të parë të mandatit të ardhshëm”_-u shpreh Belind Këlliçi.
Por, edhe nëse pas kësaj situate do të ketë ende fëmijë që nuk marrin shërbim në kopshtet dhe çerdhet publike për shkak të mungesës së kapaciteteve, bashkia e Tiranës parashikon një paketë financiare që ata të akomodohen në struktura private.
_“Pasi të ketë kaluar viti i parë që të kemi marrë 3% për të ndërtuar të gjithë atë sipërfaqe për ta kaluar te fondi i ndërtimit të çerdheve dhe kopshteve, nëse do të ketë fëmijë, familje që kanë nevojë të regjistrojnë fëmijët në çerdhe apo kopsht shtetëror dhe nuk e gjejnë këtë mundësi, atëherë bashkia do t`i japë një bonus prej 100 mijë lekësh të vjetra në muaj për ta çuar fëmijë në një strukturë private derisa t`i garantojë kopshtin apo çerdhen publik_”-u shpreh kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës.
Para ekspertëve të arsimit, Belind Këlliçi premtoi gjithshtu dhënien fund të mësimit me dy turne në kryeqytet, duke ndërtuar struktura arsimore për çdo njësi sipas nevojave.
_“Prandaj them me bindje se historia e turpit pafund e shkollave me dy turne apo të mbipopulluara do të marrë një zgjidhje të menjëhershme. Nuk ka më kohë gjykoj kryeqytetit për të humbur me gënjeshtra apo me justifikime, çdo zonë e çdo njësi do të ketë kopshte, shkolla e çerdhe aq sa i nevojiten komunitetit_”-tha Këlliçi.
Qytetarët do të përfitojnë jo vetëm nga ndërtimi i strukturave të reja arsimore, por dhe prej faktit se bashkia e Tiranës e drejtuar nga Belind Këlliçi do të ndërtojë me kosto më të ulët.
_“Gjithashtu ju deklaroj se shkollat, kopshtet apo çerdhet në administratën time nuk do të ndërtohen më me 4, apo 4.5, apo 3.5 milionë euro, por fare mirë mund të ndërtohen me gjysmën e këtij çmimi, apo 1/3, sigurisht duke ruajtur cilësinë maksimale, por pa vjedhur apo zhvatur taksat e qytetarëve të Tiranës_”.
Shkollat do të kenë edhe funskione komunitare. Sipas Belind Këlliçit, pas 14 majit do të ofrohet shërbim pas-shkollor për fëmijët, si dhe do të rikthehet tradita e kampionateve dhe olimpiadave shkollore, për të nxitur talentet.
_“Dy premtime të tjera që unë dua të shtroj për diskutim para jush janë: ofrimi i shërbimit pas-shkollor për fëmijët që duan të qëndrojnë për të ndjekur klubet shkollore dhe për të bërë detyrat në shkollë, pra ta ofrojmë këtë mundësi për të gjithë fëmijët dhe prindërit e tyre. Dhe dy, rikthimi te një traditë e mirë, tek organizimi i kampionateve sportive mes shkollave, olimpiadave, konkurseve që nxisin dhe promovojnë dijen dhe talentet_”-tha Këlliçi.
Për të gjithë familjet e Tiranës, një lehtësi tjetër, do të jetë heqja e taksës për ndikimin në infrastrukturën arsimore, e cila u vu tetë vjet më parë nga Erion Veliaj. Sipas Belind Këlliçit nga kjo taksë janë vjelë plotë 41 milionë euro, të cilat nuk dihet se ku kanë shkuar.
_“Flasim për taksën e përkoshme të ndikimit në infrastrukturën arsimore, bizneset e paguajnë dyfish njëherë si familje një herë si biznes, dhe premtimin që unë kam dhënë është që ajo taksë do të eleminohet menjëherë për shkak se 41 milionë euro të mbledhura nga kjo taksë, ende sot nuk dihet se ku janë. Mjaftonin këto para për ti dhënë zgjidhje problemit të shkollave në të gjithë kryeqytetin, por ende sot mungon transparenca”_-tha Këlliçi.
Ekspertë të arsimit, të pranishëm në tyrezën ku u prezantua programi i Belind Këlliçit, e kanë cilësuar këtë plan si vizionar. Ata gjithashtu bënë dhe propozime, kryesisht për t`u ardhur në ndihmë fëmijëve që vijnë nga familje në nevojë.
_“Një ndër premtimet e pambjatura ishte arsimi në shkollat e Tiranës me një turn, për 8 vjet nuk e bëri. Meriton falenderimet dhe përshëndetjet për vizionin për ta rikthyer institucionin e qeverisjes vendore në një ekuilibër korrekt me qytetarin. Program shumë shumë korrekt dhe vizionar. Nxënësit e shtresës së varfër, në mënyrë të veçantë tani pas pandemisë janë evidentuar si një problem shumë i madh. Dhe për këta duhet një paketë e veçantë. Dhe unë do të thosha se ndërhyrja më e guximshme dhe që do të ketë një ndikim të jashtëzkonshëm për Tiranën dhe familjet e këtyre familjeve, dhe vet fëmijëve, të jetë që të zgjaten orët e kontaktit me shkollën dhe fëmijëve t`u jepet një vakt ushqim i shëndetshëm, jo patatina dhe hamburger. Këtë paketë për arsimin ta quanin “Paketë kontrata sociale për arsimin me çdo qytetar”. Se në çdo familje kemi gjysh, gjyshe, nënë, baba, hallë, teze, që kanë patjetër lidhje me arsimin se ka një nip, një mbesë, një fëmijë”_.
Të gjitha propozimet e bëra nga ekspertët, do të integrohen në programin për arsimin në kryeqytet. Gjatë takimit u prekën dhe problematika që lidhen me studentët, por të cilat do të adresohen në një tjetër plan, që Belind Këlliçi do të preznatojë në vijim për rininë. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/