MONITORIMI I TIL/ Debati për PEP si pronarë përfitues dhe pse duhen...

MONITORIMI I TIL/ Debati për PEP si pronarë përfitues dhe pse duhen ulur gjobat për bizneset

84
0
Shares

Afro 30% e kompanive të sektorit të industrisë nxjerrëse kanë dështuar 1-4 herë të bëjnë regjistrimin e pronarëve përfitues para se raportimi i tyre të miratohet, theksohet në raportin e monitorimit të Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë (qTIL) në lidhje me zbatimin e Ligjit të Regjistrit të Pronarëve Përfitues

20 kompani nga kampioni i marrë prej afro 600 kompanish të sektorit, janë regjistruar për pronësinë që me aplikimin e parë, 12 kompani janë regjistruar pasi janë refuzuar nga 1-4 herë, përkatësisht 3 kompani refuzuar nga një herë; 5 kompani nga 2 herë; 3 kompani nga tre herë; 1 kompani 4 herë, është gjetur përgjatë procesit të monitorimit të ekstrakteve të pronësisë.

Ndërkaq afro 30% e kompanive kanë pjesë të pronësisë së padeklarueshme edhe brenda ligjit por edhe në shkelje të ligjit.

Afro 5% e kompanive janë refuzuar në deklaratën e pronarëve përfitues. 2 kompani kanë dështuar të raportojnë pronarët përfitues, njëra prej tyre rezulton e pezulluar në regjistrin e bizneseve duke iu refuzuar cdo shërbim publik.

Vështirësia përgjatë procesit të aplikimit por edhe problematika të pronësisë kanë cuar në vendosjen e gjobave nga QKB që është edhe institucioni që menaxhon procesin e deklarimit të pronarëve përfituesë.

Niveli i regjistrimit të subjekteve është në masën 97%, ndërkohë janë vendosur 92 gjoba në vlerën 400.000 lekë për mosregjistrimin fillestar të të dhënave. Deri tani janë paguar 30 gjoba prej të cilave 12 gjoba.

Janë vendosur 62 gjoba në vlerën 400.000 lekë për mospasqyrim të ndryshimeve faktike të të dhenavë të pronarëve përfitues ndërsa jenë paguar 20 gjoba, kjo në nivelin e bizneseve në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Qeveria uli masën e gjobës nga 500000 në 50000, i fali gjobat dhe shtyu afatin e deklarimit të pronësisë për gati një vit. Në 25 mars, Këshilli i Ministrave miratoi aktin normativ për shtyrjen e afatit të deklarimit të regjistrit të pronarëve përfitues. Afati i ri ishte 30 qershori 2021, nga 31 marsi 2021 që parashikohej në variantin fillestar të ligjit. Shtyrja e afatit erdhi pas kërkesave të shoqatave të biznesit, pasi ky proces po haste vështirësi të shumta, që nga funksionimi i platformës deri te paqartësitë teknike për pronarin përfitues të OJF-së, kohën e nevojshme për sigurimin e dokumentacionit për investitorët e huaj, identifikimin e kompanive të huaja që janë listuar në bursa të ndryshme, por dhe kompani që pronari përfitues nuk është një person fizik, por një shtet i huaj, të cilat nuk ishin parashikuar qartë në ligj apo në vendimet që e bënin të mundur zbatimin e këtij ligji.

Megjithatë kanë munguar trainimet e biznesit për procedurën e  regjistrimit të pronarëve përfitues. TIL ka propozuar edhe më tej uljen e gjobave për një perudhë të kufizuar, deri në vitin 2026. “Bizneset nuk duhet të stresohen më gjoba të mëdha për sa kohë nuk ka pasur trainime të theksuara dhe procedura e deklarimit është e re, një numër i madh dokumentash duhen siguruar dhe praktikat e pronësisë në biznesin shqiptar shpesh janë të deformuara, informale dhe me struktura të ndërlikuara. Duhet lënë kohë por jo pafundësisht që bizneset të jenë të vetëdijshëm se transparenca e pronësisë i ndihmon edhe ata për një biznes të sigurtë dhe të mbështetur”, tha drejtori i TIL, Sami Nezaj

Debati për përfshirjen e PEP në ligj

Por nëse për gjobat dhe trainimet ka një perspektivë që bashkon të gjitha palët, edhe shoqërinë civile, edhe qeverinë dhe institucionet përfshira në industrinë nxjerrëse, ajo e përkufuzimit të PEP në ligjin „Për Regjistrin e Pronarëve përfitues“ ka këndvështrime të ndryshme.

Ekspertët e TIL thonë se nevojitet një përmirësim në nenin 3 të ligjit, ku propozohet të përshihet edhe koncepti i PEP (persona të ekspozuar politikisht). Ky ndryshim në nenin 3 do të sjellë ndryshime të tjera në disa nene të ligjit si dhe e bën të nevojshëm edhe nxjerrjen e një rregulloreje që lidhet me këto lloj deklaratësh të Pronarëve Përfitues.

Ligji për “Regjistrimin e pronarëve përfitues”, i cili ishte një kërkesë e Mekanizmit Europian Moneyval me qëllim luftën kundër pastrimit të parave, është miratuar në gusht 2020, ndërsa udhëzimi që rregullon funksionimin e tij, në dhjetor 2020.

Anila Hajnaj, drejtore e rrjetit të shoqërisë civile AlbNet EITI ku bën pjesë si anëtare themeluese e rrjetit edhe TIL thotë se përfshirja e raportimit të PEP në ligj është kërkesë e standarteve të EITI ku Shqipëria është anëtare që në vitin 2013.

“Kërkesa 2.5 e EITI kërkon saktësisht këtë që PEP të përfshihen në ligjin e deklarimit të pronësië dhe duhet të përfshihen si të tillë në tërë segmentin e pronësisë. Ne propozojmë uljen deri në 1% të deklarimit të pronësisë për PEP dhe kët e argumenton edhe raporti i onitorimit sëbashku me ekspertizën ligjore të TIL”, thotë Hajnaj.

Por zyra e EITI Albania ka një argument tjetër. „Në lidhje me verfikimin e pronarëve përfitues PEP, kjo gjë mund të bëhet përmes ligjit për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë. Në atë ligj nuk ka kurrfarë pragu dhe nëse ke edhe një lek pronë je i detyruar ta deklarosh. Ndërkaq detyrimi i deklaratës së pasurisë është për të gjithë zyrtarët që ndërkohë plotësojnë edhe kushtin e PEP“, thotë drejtuesi i sekretariatit të EITI Albania Genci Terpo.

Ndërsa ekspertja e EITI, Emiljana Kola thotë se vetë Inspektoriati i Deklarimit të Pasurive ka një platformë elektronike, lehtësisht të përdorshme.

„Inspektoriati i Deklarimit të Pasurive ka një platformë elektronike, lehtësisht të aksesueshme për të deklaruar pasurinë nga zyrtarët si dhe transparencën e  mjaftueshme që kushdo është i interesuar për këtë gjë të shohë në databazën e këtij institucioni“, thotë Kola.

Sekretariati i EITI ka kryer një validim të Shqipërisë në zbatimin e kërkesave të EITI në vitin 2020, duke pasur ndër të tjera në fokus edhe ligjin për regjistrin për Pronarët Përfitues.

Zbatimi i Kërkesës 2.5 për pronësinë përfituese është vlerësuar në Validim që nga 1 janari 2020 sipas kornizës së rënë dakord nga Bordi në qershor 2019. Vlerësimi përbëhej nga një vlerësim teknik që fokusohet në kriteret fillestare dhe një vlerësim të efektivitetit.

Vlerësimi paraprak i Sekretariatit është se Shqipëria ka përmbushur më së shumti objektivin e kërkesës 2.5 që lidhet me transarencës e pronësisë përfituese.

Përmes plotësimit të kësaj kërkesë mundësohet  publiku të dijë se kush zotëron dhe kontrollon përfundimisht kompanitë që operojnë në industritë nxjerrëse të vendit, thuhet ë përfundimet e sekretariatit megjithatë konsttaon se ndër të tjera janë dy pika të kërkesës 2.5 që nuk janë plotësuar, e para lidhet me trajtimin epersonave të espozuar politikisht dhe e dyta me cështjet e transparencës së kompanive të huaja që duhet të ofrojnë më shumë informacion në lidhje me lisitmin e tyre në bursa etj.

“Ndërsa regjistri përfshin disa informacione për OB-të, ai aktualisht nuk tregon nëse pronarët përfitues janë persona të ekspozuar publikisht (PEP) dhe legjislacioni aktual nuk duket se garanton që të gjitha PEP-të të tregohen si OB për çdo kompani, pavarësisht nga niveli i tyre i kontrollit. Pronësia ligjore e kompanive nxjerrëse është bërë e ditur nga QKB”, konstaton sekretariati i EITI.

Sekretariati ka shënuar vërejtjen e MSG se në rast se një pronar përfitues është një Person i Ekspozuar Politikisht (PEP), pragu i deklarimit të pronësisë të ulet në 10%.

QKB nuk ofron ndonjë tregues të PEP-ve, thuhet në vlerësim.

“PEP-të janë objekt i ligjit nr.9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa punonjësve publikë”, dhe depozitohen në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Asnjë nga gjetjet apo pasuritë e deklaruara nga kjo drejtori nuk duket të jetë e aksesueshme për publikun. Për më tepër, komentet e MSG-së treguan se Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit është agjencia e vetme përgjegjëse për hetimin dhe auditimin e dosjeve të PEP-ve”, vëren sekretariati.

TIL ka propozuar në rekomandimet e saj futjen e përkufizimit të PEP në ligj dhe detyrimin e kompanive me këtë cilësi që ta vecojnë atë përgjatë deklarimit.

Po ashtu është propozuar që deklarimi për PEP të uletë në 10% në të gjitha segmentet e bizneseve të regjistruara në QKB dhe që kanë detyrim ligjor deklarimin e pronarëve përfitues. A.Bega

“Ky publikim, është mundësuar me mbështetjen financiare të AMSHC-së. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e autorit, opinioni i shprehur në të nuk është domosdoshmërisht opinion i AMSHC-së”

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY