Ja si u dekonstruktua miti i emancpimit të gruas më diktaturë, çfarë thotë edhe autorja e dokumentarit, Fatmira Nikolli.
Shkrimtarja Vera Bekteshi, ish-e përndjekur politike është përlotur të enjten në sallën e teatrit pas shfaqjes së dokumentarit “Gruaja në diktaturë përtej mitit të emancipimit”.
Duke lënë mënjanë divorcin e diktuar nga sistemi politik dhe shpalljen e saj armike që e çoi në internim, ajo foli për pasoja që janë ende të ndjeshme në jetën e saj, të birin!
”Është dëmi shumë i madh që ju është bërë fëmijëve tanë. Kanë shkuar në internim 1 vjeç ose më shumë. Ju nuk mund ta merrni me mend se sa prej tyre janë të sëmurë.” ,tha Vera Bekteshi.
Vera Bekteshi ishte pjesë e dokumentarit “Gruaja në diktaturë përtej mitit të emancipimit” realizuar nga Instituti për Demokraci, Media e Kulturë në kuadër të Ditëve të Kujtesës, që synojnë reflektimin mbi të shkuarën dhe vëmendjen ndaj viktimave të regjimit. Shkrimtarja Vera Bekteshi foli si grua dhe si nënë duke rrëfyer së internimi ka lënë vraga të pashlyeshme.
“Nuk është puna që vuajtëm ne, unë për vete e kam harruar komplet vuajtjen se kam punuar dhe jam realizuar si grua, por unë nuk bëhem dot gjyshe….dhe si unë ka shumë të tjerë. Dhe disa fëmijë që janë sëmurë në internim kanë pensione qesharake. Me se do të jetojnë ata kur të vdesim ne? Unë jam më shumë se 75 vjeçe. Po ai i dobëti, çfarë do bëjë? Seleksion natyral si Hitleri? Ç’është kjo, ata që nuk janë në gjendje të punojnë, të vdesin urie”, tha Bekteshi.
Fatbardha Saraçi, Bekteshi, Rajmonda Bulku, Kledji Këlliçi, Elsa Ballauri, Luljeta Lleshanaku, dhe Fatmiroshe Xhemalaj, dekonstruktuan mitin e emancipimit të gruas, duke zbuluar çështjet e propagandës, moralit, martesës, divorci, abortit, falsitetit dhe dënimeve ekstreme deri me pushkatim, për disa prej grave më të emancipuara të kohës.
Për dokumentarin janë shqyrtuar kinoditaret e realizuar gjatë diktaturës për gratë, ku përfshihen disa tematika, gruaja shofere, mjelëse, mjekja në fshat, inxhinieret e naftës- si edhe fjalimet e drejtuesve politikë komunistë njëherësh me “superlativat” kundrejt politikave të kohës të detyruara në kinoditarë, nëse kemi parasysh që prodhimi i tyre bëhej me direktiva partiake, për interesa e qëllime të partisë dhe kalonte në filtrat politikë të kohës dhe ishin doemos zëri zyrtar i propagandës. Secili kinoditar përkon me periudha e fushata të ndryshme ku është synuar përmes kinoditareve të përçohet propaganda e regjimit mbi emancipimin e gruas. Sot të nxjerra përballë rrëfimeve të atyre që i përjetuan këta kinoditarë, përbëjnë dëshmi të mënyrës si sistemi propagandonte politikat e veta.
Nga ana tjetër është shqyrtuar koleksioni i revistës “Shqiptarja e re” ku po ashtu gjendet porositë e direktivat e partisë komuniste për gruan, rekomandimet sovjetike, dhe personazhe që perzgjidheshin për të propaganduar politikat e nismat komuniste.
Kinoditarët dhe revista “Shqiptarja e re” na tregojnë që sistemi mund të ketë ndryshuar por jo propaganda. Videot e gatshme dhe artikujt me porosi për nismat politike janë ende sot aktuale. Besoj se kësisoj pasojat e asaj propagande janë të qarta.
Dokumentari u realizua nga bashkepunimi mes gazetares Fatmira Nikolli mbështetur nga IDMC me financimin e fondacionit Konrad Adenauer në Tiranë.
Autorja e dokumentarit, gazetarja Fatmira Nikolli shpjegon me gjerë falsitetin e emancipimit.
”Për mua ajo çfarë e destrukton mitin e emancipimit të gruas në diktaturë është dënimi i disa prej grave më të emancipuara kohës: Zyrika Mano (pushkatuar) , Sabiha Kasimati(pushkatuar) , Musine Kokalari (dënuar) apo Edi Luarasi që u hoq nga teatri dhe u bë rrobaqepese. Tri të parat ishin një brez që qenë emancipuar para instalimit të diktaturës, ndërsa aktorja Edi Luarasi për shkak të karakterit vetiak e udhëtimit personat ishte një prej zërave më unikë në art. Të katërta u denuan, madje eshtrat e Zyrika Manos nuk dihen ku janë. Regjimi nuk kërkoi emancipim, por gra që perconin politikat komuniste, sepse gratë vërtetë të emancipuara u zhduken nga skena”, thotë Nikolli. balkanwen&droni.al
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/