Policia e Fierit zbulon një vilë të përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave.
Arrestohet në flagrancë pronari i vilës 3-katëshe, i cili kishte përshtatur 5 dhomat e njërit kat, për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Vihen në pranga edhe faturisti dhe elektricisti i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Sekuestrohen 181 bimë narkotike të cilat ishin kultivuar në vazo që u gjetën brenda ambienteve të përshtatura me llamba, dhjetëra llamba dhe pajisje të tjera elektrike që ishin instaluar në 5 ambientet e banesës.
Gjithashtu, u bë bllokimi i vilës 3-katëshe në ambientet e së cilës ishin kultivuar bimët narkotike.
Në vijim të punës për goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike në ambiente të hapura e të mbyllura, si rezultat i kontrollit të imtësishëm të territorit, mbështetur në inteligjencën policore se në fshatin Dërmënas, në vilën e shtetasit E. M. kultivoheshin bimë narkotike, është organizuar dhe finalizuar nga Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, operacioni policor i koduar “Vila”.
Në kuadër të këtij operacioni, në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– Erjon Marini, alias Xhevahir Gashi, 44 vjeç, banues në Dërmënas, Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”. Ky shtetas është pronari i vilës në të cilën Policia zbuloi 5 ambientet e përshtatura për kultivim të bimëve narkotike;
-Klajdi Gremi, 40 vjeç, banues në Fier, me detyrë faturist i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
-Behar Fata, 47 vjeç, banues në Fier, me detyrë elektricist i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon dhe hetimi pasuror ndaj pronarit të vilës, shtetasit E.M. r.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/