Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi të hënën se do të emërojë diplomatin e karrierës David J. Kostelancik, për postin e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, raportoi Zeri i Amerikës.
Zoti Kostelancik ka shërbyer në ambasadën amerikane në Shqipëri në fillim të viteve ’90, në zyrën politike.
David J. Kostelancik, shërben aktualisht si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneral Mark Milley. Ai ka shërbyer më
më herët si zëvendës Shef i Misionit dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë i përkohshëm në Ambasadën e SHBA-së në Budapest të Hungarisë.
Ai ka mbajtur gjithashtu pozicionet e Drejtorit të Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore Qendrore dhe Drejtorit të Zyrës për Çështjet Ruse, në Byronë për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë si dhe të Drejtorit të Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare për Çështjet e Narkotikëve dhe Zbatmit të Ligjit.
Zoti Kostelancik ka shërbyer dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë.
Ai ka shërbyer edhe në misionet e SHBA-së në OSBE dhe NATO. Ai ka shërbyer gjithashtu edhe në Ankara të Turqisë.
Diplomati Kostelancik, me origjinë nga shteti i Ilinoit, është diplomuar në Universitetin Northwestern të këtij shteti. Ai ka gjihashtu dy diploma master nga Kolegji Kombëtar i Luftës, dhe Universiteti i Miçiganit. Ai flet rusisht, hungarisht, shqip dhe turqisht.
Nëse kandidatura e tij miratohet nga Senati, diplomati Kostelancik do të zëvendësojë ambasadoren aktuale amerikane në Shqipëri, Yuri Kim./VOA
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/