Komisioni Qendror i Numërimit në PD ka publikuar sot një sqarim të gjatë në lidhje numërimin e votave për këshillin komnëtar të PD, zgjedhje të zhvilluara më 30 prill 2022.
Sqarimi dhe detaje të tjera:
Ditët e fundit, në rrjetet sociale dhe media kanë qarkulluar disa lajme të rreme në lidhje me votimin në Kuvendin Kombëtar të datës 30 prill 2022 për anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD.
Në Kuvendin Kombëtar të PD të datës 30 prill 2022, u votua për 150 anëtarët e Këshillit kombëtar nga lista total prej 424 kandidatë miratuar nga Kryesia e PD.
Statuti i PD në nenin 44 pika 3 përcakton që:
● Kuvendi Kombëtar i zgjedh antarët e Këshillit Kombëtar me votim të fshehtë nga një listë e propozuar nga Kryetari i Partisë, pas miratimit në Kryesinë e Partisë. Miratimi i listës nga Kryesia dhe publikimi i saj bëhet jo më vonë se pesë ditë përpara ditës së votimit. Numri i kandidatëve duhet të jetë jo më pak se dyfishi i numrit të vendeve që do të shpallen fitues. Numri i anëtarëve të zgjedhur të Këshillit Kombëtar nga gjinia më pak e përfaqësuar nuk duhet të jetë më pak se 30%, ndërkohë që numri i të rinjve deri nën moshën 35 vjeç nuk duhet të jetë më pak se 15%.
Nëse kuotat e mësipërme nuk plotësohen nga renditja e dalë pas votimit, atëherë renditja e tyre veçohet nga ajo e përgjithshmja, deri në plotësimin e numrit të kërkuar.”
Pra në listën e Këshillit Kombëtar, bazuar në këtë nen, hyjnë:
– 30 % ose minimalisht 45 zonjat më të votuara;
– 15%, ose minimalisht 23 të rinj nën 35 vjeç, më të votuarit;
– Nëse kuotat e mësipërme nuk plotësohen nga renditja pas numurimit të parë, atëherë kualifikohen ata kandidatë gra ose të rinj të cilët kanë numrin më të madh të votave në vijim, pavarësisht renditjes së tyre numerike. Plotësimi i kuotës ka prioritet mbi renditjen numerike;
– Pas plotësimit të kuotave vijojnë kandidatët, pavarësisht gjinisë, sipas renditjes së tyre mbi bazën e votave të marra.
E njëjta formulë ndiqet edhe në zgjedhjet e përgjithshme Parlamentare, për të përcaktuar kuotat e përcaktuara me ligj.
Kjo procedurë është ndjekur me përpikmëri nga Komisioni Qendror i Numërimit.
Pas procesit të votimit në Pallatin e Kongreseve, procesi i numërimit u organizua në selinë e Partisë Demokratike. U ngritën 14 grupe numërimi. Numërimi filloi në orën 20.00 e vijoi përgjatë gjithë natës, në mënyrën më transparente, para 5 kamerave të vendosura në ambjentet e selisë, në prani të mediave e anëtarëve apo të interesuarve për këtë proces. Numërimi është transmetuar live në kanalin e YouTube të Kryetarit të PD z. Sali Berisha, si dhe në rrjetet sociale të PD.
Në fund të numërimit, Komisioni pasi mori në konsideratë kuotat e përcaktuara në Statut shpalli listën finale të Këshillit Kombëtar.
Rezultoi që:
– 10 zonja (nga 45) morën vota mjaftueshëm për të hyrë drejtpërdrejt në Këshillin Kombëtar. 35 zonja të tjera hynë si pasojë e plotësimit të kuotës gjinore;
– 5 të rinj (nga 23) morën vota mjaftueshëm për të hyrë në Këshillin Kombëtar. 18 të tjerë hynë si pasojë e kuotës për të rinjtë. Të gjithë të rinjtë e tjerë në listën fituese të Këshillit Kombëtar janë propozime të strukturave të degëve apo pjesë e strukturave drejtuese të tyre.
Në total: 53 gra e të rinj u veçuan në renditje për të plotësuar kuotat e përcaktuar me statut.
Është e rëndësishme të theksojmë që çdo kandidat ka pasur mundësinë e verifikimit të rezultatit të saj apo të tij bazuar në Vendimin e Komisionit Qendror të Numërimit. Janë rreth 20 raste të cilët kanë verifikuar rezultatin e tyre.
Komisioni ka respektuar në çdo gërmë statutin e PD miratuar në Kuvendin e datës 11 dhjetor 2021, duke respektuar kuotat e grave e të rinjve.
Procedurat e votimit e të numërimit kanë qenë tërësisht transparente.
Çdokush që është i interesuar mund t’i drejtohet Komisionit Qendror të Numërimit pranë Partisë Demokratike për informacione të mëtejshme.
PD mbetet partia e vetme politike ku vota është instititucionalizuar dhe është ajo që vendos cilat janë forumet drejtuese të PD apo drejtuesit në cdo hallkë të strukturave të saj me parimin një anëtar një votë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/