Finalizohet operacioni policor në Gjirokastër i koduar “Sateliti”, sekuestrohen 87 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis.
Operacioni, pas një hetimi disamujor, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Kishin përshtatur automjetin, për të fshehur lëndën narkotike kanabis, me qëllim trafikimin e saj, arrestohen në flagrancë 2 shtetas.
Arrestohet në flagrancë edhe bashkëpunëtori i tyre, i cili kontrollonte rrugën, me një automjet tjetër, për prezencën e shërbimeve të Policisë.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve dhe Seksioni Operacional, në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, pas një pune intensive hetimore disamujore, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Sateliti”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
M. Ç., 37 vjeçe dhe S. Rr., 39 vjeç, të dy banues në Gjirokastër;
F. T., 37 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në aksin nacional “Ersekë – Tre urat”, Përmet, automjetin tip “Volvo”, me drejtues shtetasin S. Rr. dhe pasagjere shtetasen M. Ç. Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehura në vende të përshtatura, 87 pako të mbushura lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale 70 kg.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin F. T., i cili kontrollonte rrugën, me qëllim për të sinjalizuar 2 shtetasit e tjerë, për prezencën e shërbimeve të Policisë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 70 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 2 automjete dhe 7 aparate celulare.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/