Kreu i PD, Sali Berisha sulmoi sot marrëveshjen e Portit të Durrësit duke e konsideruar azë megakorrupsion të qeverisë ndërsa denoncoi diskriminimin e kreut të Kuvendit ndaj deputetëve të opozitës.
Fjala e Berishës në Parlament:
Sot, këtu diskutohet për plaçkitjen më të madhe në historinë kombëtare të një prone publike, nga një grup i kryesuar nga Edi Rama, i cili kërkon të shndërrojë në pronë dhe pasuri personale, pronën publike më të madhe dhe më të çmuar që kanë shqiptarët sot, Portin e Durrësit.
Në këtë akt të kësaj mega-afere të pashembullt, kërkohet t’u kufizohet me çdo kusht, fjala deputetëve të parlamentit.
Sigurisht me marrëveshjen që votuat në vitin 2020, edhe atë me procedurë të përshpejtuar, marrëveshjen me Emiratet, ju në kundërshtim me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë, i krijuat grupit të Edi Ramës, të gjitha favoret dhe avantazhet, dhe garancitë ligjore për këtë plaçkitje të tmerrshme dhe të pashembullt në historinë e një vendi.
Sot, ju kërkoni të varrosni portin shekullor mijëravjeçar të Durrësit si pronë publike të shqiptarëve, dhe ta shndërroni këtë, në pronë private të klanit Rama dhe të ndonjë arabi okazional.
Të një arabi që u zotua për katër miliardë euro investim buzë Danubit në Beograd dhe përfundoi me 20 milionë euro, të tjerat i morën vëllezërit Kariç.
Historia e kësaj vjedhje është më e turpshmja, më kriminalja. Klani Rama, me 60 përqind të aksioneve, kaq thuhet, se nuk tregohet se çfarë ka Rama dhe çfarë ka Alabari, nuk do e marrim vesh ndonjëherë.
Ky klan u përvetëson shqiptarëve 200 mijë metër katror në pjesën më të kushtueshme të Durrësit, ky klan u zhduk atyre portin mijëravjeçar, që ka qenë gjithnjë porta e hyrjes së Europës drejt Ballkanit dhe Ballkanit drejt Europës, ka qenë nyja kryesore që lidhej me Konstandipojën.
Sot, ky port asgjësohet me gjithë qindra e qindra milionë euro investime në këtë port këto 30 vite dhe më parë. Kapaciteti i tij është aktualisht 8 milionë ton mall përpunimi dhe ka arritur në 4.8 milionë.
Pozicioni i tij në shekuj dhe mijëvjeçarë është përcaktuar si më i përshtatshmi për trojet arbnore.
Për Durrësin, qytetarët e Durrësit ka qenë porti ku ata kanë siguruar kafshatën. Kanë mbijetuar në kohëra, pavarësisht se çfarë kanë përjetuar
Sot klani Rama merr përsipër të përvetësojë 200 mijë metra katrorë, merr përsipër të ndërtojë me paratë në ajër, para të pista, të zeza.
A keni marrë vesh tregtinë që bëhet në bitcoin, call centerat nën patronazhin e Olsi Ramës. A e dini që ky është kuleta më e madhe e bitcoin në Europë. A ju kujtohet ju një deklaratë e atij Çelës, se pa energji po na lenë bitcoini. A e dini ju me sa urgjencë erdhi këtu ligji i bitcoin. Pyesni pak se çfarë po ndodh me bitcoin. Deri më tani u janë vjedhur nga Shqipëria, europianëve, 2.2 miliardë euro.
Të gjitha kanë përfunduar në kuletat dixhitale. Pse ca kujtoni ju se Amant Josifi do të mund të zhvillonte këtë në call centerin e tij nëse nuk do të kishte mbrojtjen politike të Edi Ramës. Kurrën e kurrës.
Ata call center që ndiqeshin për callet që u bënin duke i orientuar në bursë, ata janë në hetim të plotë, kurse këto që vjedhin bitcoin nuk hetohen fare. Kanë mbrojtje politike.
12.600 apartamente, 900 njësi akomodomi hoteliere. Do mblidhen këtu mamuthët e Shqipërisë dhe Lindjes së Mesme. Do kenë edhe jahtet përkarshi.
Kurse shqiptarët popull gomonesh, do jenë shërbëtorë ose do largohen në Europë.
Porti i ri kushton 2 miliardë euro. Nga do dalin këto 2 miliardë euro? Nga taksapaguesit e varfër shqiptarë.
Thërrisni arsyes nëse keni ndërgjegje njerëzore. Hidheni poshtë këtë marrëveshje.
Mos u përpiqni ta mbuloni duke shkurtuar kohën e diskutimit. Marrëveshja shkel me të dy këmbët MSA-në, Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Pasuron Edi Ramën dhe klanin e tij.
Marrëveshja është një mashtrim fund e krye ligjor, shpall kompani sigurimi, kompaninë e ndërtimit në Dubai.
Marrëveshja nuk respekton asnjë rregull dhe asnjë ligj, përjashtohet nga çdo gjë dhe Edi Ramës i është dhënë asnjë garanci që asnjë qeveri të mos mund ta padisë mbrapa.
Edi Rama, i bindur të jesh se te porti i marinës do përfundosh vetë dhe nuk do dalësh më kurrë prej tij. Nuk ka burg që të mban ty me këtë gjë që po bën.
Edhe ti zonjë që ke gjetë ti ndash deputetët në kategori të parë dhe të dytë, kjo është histori turpi dhe vetëm turpi.
Unë kuptoj shumë mirë, ndarjen e kohës dhe kjo është normale, por nëse anëtarëve të grupeve parlamentare u takon një kohë e caktuar, e barabartë do ti jepet ajo çdo deputeti. Dhe ti je e vetmja në botë që si vasale e një njeriu të papërgjegjshëm ndan parlamentin në këtë mënyrë. Kjo do të marrë fund.
Ju garantoj se ky parlament nuk do të funksionojë dot asnjë ditë kështu siç keni caktuar ju. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/