Pas Samitit të Berlinit është mbajtur ndër të tjera edhe një konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe Kancelarin gjerman Olaf Scholz
Më poshtë është konferenca e zbardhur në shqip nga zyra e shtypit e qeverisë shqiptare:
Kancelari gjerman Olaf Scholz: Zonja e zotërinj, në fjalimin tim në Pragë për Europën, në fund të gushtit, e bëra dhe një herë të qartë. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, e kanë vendin në Bashkimin Europian. Ato janë pjesë e Europës dhe pjesë e familjes europiane. Prandaj unë angazhohem për zgjerimin e Bashkimit Europian me Shtetet e Ballkanit Perëndimor. Për suksesin e këtij zgjerimi të Bashkimit Europian i ashtu quajturi Proces i Berlinit është shumë i rëndësishëm prandaj jam shumë i gëzuar që mirëpres këtu sot përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse dhe të institucioneve të procesit të Berlinit. I gëzuar jam veçanërisht që në Berlin kanë ardhur të gjithë kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Procesi i Berlinit zhvillohet tani për herë të tretë që prej vitit 2014 në kujdesin e mikpritësit gjerman. Jam i gëzuar që e bindëm sot Shqipërinë me kryeministrin Edi Rama që të jetë mikpritësi i ardhshëm dhe që ai dhe Presidentja e Komisionit Europian Urusla von der Leyen do të prezantojnë këtu bashkë me mua rezultatet e takimit të nivelit të lartë.
Zhvillimi i Ballkanit Perëndimor dhe integrimi i tij në Bashkimin Europian janë një preokupim qendror për mua. Kjo është edhe më e rëndësishme përballë luftës dhe agresionit brutal të Rusisë kundër Ukrainës. Për këtë nevojiten reforma në vetë Bashkimin Europian, përpara së gjithash në rajon, veçanërisht për sa i përket sundimit të ligjit dhe standardeve të mjedisit.
Për këtë është e nevojshme të avancohet bashkëpunimi rajonal dhe që të zgjidhen mes 6 vendeve tema konfliktesh të ndezura prej një kohe të gjatë. Përmirësimi i bashkëpunimit rajonal i vendeve të Ballkanit Perëndimor është një çelës për përshpejtimin e afrimit me Bashkimin Europian. Procesi i Berlinit jep në këtë drejtim që prej vitit 2014 një kontribut shumë të rëndësishëm. Që atëherë ai ka nxitur lidhjet në rajon në të gjitha nivelet dhe rrugë të reja e me ndërlidhës energjitik por ka mbledhur bashkë dhe njerëzit. Me këtë ai ka forcuar ekonominë por ka kontribuuar shumë konkretisht për përforcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë e të pajtimit në rajon.
Shumë konkretisht u diskutua sot për krijimin enjë tregu të përbashkët rajonal, që është në përputhje me rregullat e Bashkimit Europian e që integron në mënyrë të barabartë të gjitha vendet e rajonit. Unë i përgëzoj të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor që arritën me moderimin e Këshilli të Bashkëpunimit Rajonal e të Qeverisë Federale Gjermane të bien dakord për tre marrëveshje për lëvizshmërinë e t’i nënshkruajmë ato sot. Ky është sukses i madh për të gjithë qytetarët e rajonit dhe ai tregon se 6 shtete e Ballkanit Perëndimor e kanë seriozisht, se ato ecin edhe në bashkëpunimin rajonal drejt bashkimit europian. Sepse në projektin europian fjala është dhe fjala ka qenë gjithmonë që të ecet përpara sëbashku.
Me tre marrëveshjet e reja që u nënshkruan tani, do të bëhet e mundur që qytetarët e rajonit të udhëtojnë me karta identiteti. Gjithashtu edhe të ketë një njohje të ndërsjellë të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale dhe në terma mjaft konkrete të përmirësojnë jetën e individëve në rajon e ta bëjnë më bashkë rajonin.
Sa i përket energjisë, një marrëveshje shumë e rëndësishme është nënshkruar midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë deklaratë ata bien dakord që të punojnë më ngushtë në fushën e energjetikës dhe sigurisht edhe gjithashtu edhe për masat e klimës në mënyrë që të arrihen objektivat e vitit 2030. Ne dhe pjesëmarrësit e tjerë të Procesit të Berlinit do të vazhdojmë që të mbështesim anëtarët e Ballkanit Perëndimor në afat të mesëm dhe të gjatë dhe gjithashtu t’i ndihmojmë për krizën e energjetikës dhe gjithashtu të përqendrohemi tek energjia e rinovueshme.
Gjermania do të përqendrohet në këtë ndihmë përmes bankës së saj KFV me hua deri në 200 milionë dhe në periudhën afatmesme gjithashtu për të ngushtuar tranzicionin në energjinë e gjelbër, deri në 1 miliardë euro. Për këtë duhet të punojmë të gjithë së bashku.
Samiti ka treguar se kemi vullnet për të bashkëpunuar dhe këtu Gjermania do ta mbështesë këtë proces në të ardhmen dhe po kështu ne do të jemi të gatshëm që ta mirëpresim në të ardhmen sërish këtë proces.
Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen:Shqipëria do të jetë në pjesën drejtuese për vitin tjetër dhe e di që Procesi i Berlinit do të vijojë të mbetet në duar të mira. Synimi ynë është shumë i qartë; është për të sjellë partnerët e Ballkanit Perëndimor sa më pranë të jetë e mundur dhe sa më shpejt të jetë e mundur.
Kemi dy drejtime. Një drejtim pune është procesi i zgjerimit. Aty kemi bërë një ecuri të mirë. Komisioni e ka vendosur sërish në tryezë zgjerimin qysh prej ditës së parë të mandatit tim. Kemi siguruar marrëveshje për një metodikë të re zgjerimi që ka çelur rrugën, jo vetëm për të zhbllokuar vendimet, që ishte shumë e rëndësishme, por po kështu, i ka risjellë besueshmërinë të gjithë procesit.
Më pas, kemi hedhur në tryezë një plan të konsiderueshëm prej 30 miliardë investime ekonomike, plani ekonomik në rajon që është 1/3 e PBB të gjithë rajonit.
Përveç kësaj, vitin e kaluar patëm Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Malin e Zi, hapëm një grup kapitujsh me Serbinë ndërkohë që këtë vit, ishim shumë të lumtur që ia dolëm, më në fund, ia dolëm, më në fund, që të zhvillonim Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut që nisi procesin e ardhjes së legjislacionit dhe natyrisht i propozuam Këshillit që t’i japë statusin kandidat Bosnje-Hercegovinës.
Më duhet të them se ky përparim, që është përparim i mirë, i dashur Edi Rama, erdhi për shkak të progresit që bënë vendet e Ballkanit Perëndimor, pra është suksesi juaj.
Ndërkohë, drejtimi i dytë i veprimit është Procesi i Berlinit dhe këtu objektivi është që të thellohet integrimi ynë ekonomik dhe po, ne po përballemi me shumë sfida; pikë së pari, me pushtimin e Rusisë të Ukrainës që ka shënuar një zhvendosje gjeopolitike në kontinentin tonë.
Megjithatë, sa më shumë të zgjatë kjo, aq më të vendosur jemi të qëndrojmë së bashku dhe të rezistojmë.
Ne e dimë që investimet tona në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm janë të rëndësishme për një mjedis biznesi përçues dhe mundësues, por këto investime janë investime për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e Europës, si e tërë.
Në këtë sfond, ne kemi diskutuar në thellësi pasojat që ka lufta e Rusisë në energji dhe për rrjedhojë, deklarata e sotme për sigurinë energjetike në Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor shënoi një hap shumë të rëndësishëm.
Ashtu siç tha Kancelari, jemi tashmë të përbashkuar sa i përket asnjanësisë klimatike deri në vitin 2025 dhe në objektivat e 2030, por duke parë krizën e menjëhershme, është e rëndësishme të sinkronizojmë hapat tona. Jemi në një komunitet energjetik, kështu që në një periudhë afatshkurtër, e gjitha kjo përkon nga të gjithë ne që diversifikojmë burimet e energjisë, të ulim varësinë nga karburantet fosile të Rusisë dhe gjithashtu edhe që të mbajmë nën kontroll çmimet nëpërmjet veprimit të përbashkët.
Megjithatë, kjo krizë e pashembullt kërkon veprime dhe hapa të pashembullt dhe për rrjedhojë, kam kënaqësinë të deklaroj që Komisioni do japë një paketë të konsiderueshme mbështetëse për energjinë për Ballkanin Perëndimor, 1 miliardë euro në grante dhe ka 2 pjesë të ndryshme; pjesa e parë është 500 milionë euro në grante si një mbështetje e menjëhershme financiare për të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor për t’i vënë ato në një pozitë, që në një afat shumë të shkurtër të mbështesin familjet në nevojë dhe bizneset në nevojë.
Kjo paketë mbështetjeje do të miratohet në dhjetor dhe do vihet në dispozicion në janar, pra brenda një afati shumë të shkurtër.
Pjesa e dytë, 500 milionëshi tjetër euro në grante do tu kushtohet investimeve në infrastrukturën e energjisë. Këto janë kryesisht investime në gaz dhe ndërlidhës të energjisë elektrike, për të pasur një rrjet të përbashkët dhe ndërlidhje në rajon me Bashkimin Europian dhe është me rëndësi dhe theksi tek investimet tek energjia e ripërtëritshme sepse kjo na jep pavarësi, është energji e pastër dhe krijon vende të mira pune në vendet tona po kështu, edhe masat për efikasitetin e energjisë.
Përveç kësaj, do të forcojmë sigurinë e ofertës, furnizimit duke lehtësuar dhe siguruar aksesin në të gjitha tubacionet energjetike gazsjellëse për të gjithë ata në mënyrë që në momentin që dikush të jetë me probleme, ai të marrë solidaritetin tonë të menjëhershëm.
Kështu që, Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë dhe do të harmonizojë këto plane në frymën e solidaritetit dhe gjithashtu edhe në rritjen e ndërgjegjësimit.
Ne ftojmë që anëtarët e Ballkanit Perëndimor të bashkohen me ne, në mënyrë që të jenë pjesë e platformës së përbashkët të prokurimit, në mënyrë që të jemi krah njëri-tjetrit.
Kjo më sjell në pikën e dytë, integrimi rajonal është në fakt zhvillimi i tregut të përbashkët, është një hap shumë i rëndësishëm themelor drejt tregut të përbashkët të BE-së dhe unë e mirëpres nënshkrimin e tre marrëveshjeve shumë të rëndësishme sot. Liria e lëvizjes është kyç për të dyja palët, është kyçe për zhvillimin e tregut të përbashkët rajonal por po kështu, është kyçe për integrimit e Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të Bashkimit Europian, pra, ka të bëjë me njerëzit, qofshin këta studentë, profesionistë, janë ata që do ta çojnë rajonin përpara. Kësisoj, marrëveshja është kaq e rëndësishme për 18 milionë njerëz që të lëvizin lirisht në rajon. Profesionistët mund të shfrytëzojnë potencialin e tyre të plotë, pavarësisht se ku punojnë dhe kualifikimet profesionale, qofshin këto të punonjësve të aftësuar, të studentëve, të doktorëve, arkitektëve, artistëve, të gjitha do të njihen në mbarë Ballkanin Perëndimor.
Me shumë rëndësi është, po kështu, edhe fakti që kartat e identitetit do të pranohen si të tilla në çdo kufi. Kësisoj, këto masa, jo vetëm do të nxisin udhëtimin brenda rajonal dhe Ballkanin Perëndimor por do të forcojnë edhe lidhjet personale kulturore midis gjithë anëtarëve të rajonit.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë. Më duhet të them se të gjithë nga rajoni ishin shumë të kënaqur që ishin këtu sot në Berlin 8 vjet pasi nisi procesi i Berlinit në këtë ndërtesë, pikërisht. Më duhet po kështu të them se Angela Merkel pati të drejtë sepse nëqoftëse sot kemi një rajon të bashkuar në një moment mjaft të ndërlikuar të historisë për të gjithë Europën e për të gjithë komunitetin euroatlantik, sekreti publik është procesi i Berlinit.
Kur u mblodhëm këtu për herë të parë nuk ishim takuar me njeri tjetrin në atë mënyrë për shekuj, ndërsa tashmë kjo është ajo çfarë të gjithë duam të bëjmë. Do doja të falënderoja nga zemra kancelarin Scholz për angazhimin e tij, për mikpritjen e shkëlqyer, për bukën e mrekullueshme gjermane dhe së fundi në radhë por jo për nga rëndësia që i besoj Shqipërisë dhe mua që të mik presim samitin e ardhshëm të procesit të Berlinit në vendin tonë të mrekullueshëm.
Shpresoj fort që ajo çfarë u diskutua sot e që u synua me kujdes në shënimet e Kancelarit, do të shohë ecurinë në Samitin tjetër në Tiranë, duke nisur nga kriza energjetike ku ne e ndiejmë që nuk jemi lenë mënjanë, që nuk jemi të vetëm sepse vetëm pak ditë me parë presidentja e KE Ursula zhvilloi një turne në Ballkan dhe nuk solli me vete vetëm fjalë të bukura solidariteti por edhe një mbështetje shumë të rëndësishme financiare, një mbështetje të rëndësishme financiare për ta filluar natyrisht, nuk është e fundit. Po shohim ecuri në pjesën e ndërlidhjes siç e theksoi Kancelari shumë qartë, kjo nuk lidhet me ndërlidhjen e infrastrukturës dhe rrugëve tona në vendin tonë por është dhe ka lidhje me ndërlidhjen e rajonit me Europën dhe Europën me rajonin. Shpresojmë që të shohim ecuri në sferën digjitale sepse këto ishin tre shtyllat kryesore të procesit të Berlinit, qysh prej ditës së parë, energjia, ndwrlidhshmëria dhe pjesa digjitale. Por sot, ne po përballemi dhe me aspektin e sigurisë kibernetike siç u diskutua dhe sigurisht ne duam t’i shohim gjërat të ecin në drejtimin e duhur për të rinjtë tanë.
Ne e kemi ngritur sërish çështjen sesi të integrohemi sa më shpejt të jetë e mundur me sistemin e arsimit të lartë europian për universitetet tona dhe po kështu për mënyrën sesi mund të kemi një prani më të madhe nga Gjermania dhe vendet e tjera të zhvilluara të BE, përmes sektorit të tyre privat dhe jo vetëm përmes financimit publik.
Për ta përmbyllur me shpresoj hyrjen time të shkurtër, dua të them se është shumë e rëndësishme, ajo çka nënshkruam sot. Nuk mund të mos theksoj se këto marrëveshje ishin 3 marrëveshje të cilat prisnim me padurim që ti kishim qysh prej 2-3 vitesh. Ishin të bllokuara. Kancelari, ekipi i tij punuan shumë fort së bashku me njerëzit tanë për të bindur gjithkënd që t’i nënshkruanin dhe është një lajm i shkëlqyer që sot patëm 3 nënshkrime të rëndësishme të cilat i kishim tashmë, në kuadër të Ballkanit të Hapur.
Është shumë e rëndësishme tashmë që gjithkush është i përfshirë në këtë kuadër të tre marrëveshjeve. Sigurisht, tingëllon pak e çuditshme apo paksa mënjanuese po themi për popullin e Kosovës, që ndërkohë që ata bënë një marrëveshje me kartat e identitetit për të lëvizur lirisht, ata nuk mund të lëvizin po lirisht si të tjerë në rajon kur vjen fjala që ata të lëvizin në BE, kështu që presim me padurim që kjo të zgjidhet sa më shpejtë të jetë e mundur. Kështu që pres me padurim që t’ju mik presim vitin tjetër në Tiranë dhe jam shumë i lumtur që muajin tjetër do t’i mirëpresim Kancelarin dhe të tjerët në Tiranë. Po qeshnim pak sepse të gjithë po flisnin për këtë strehe energjie që duhet të ngrihet, por Tirana ndërkohë po shndërrohet në strehë samitesh.
* * *
–Doja t’i drejtoja një pyetje kancelarit dhe të tjerëve. Sot është nënshkruar një marrëveshje për lirinë e lëvizjes dhe po kështu edhe për kualifikimet profesionale. Mjekët në mënyrë të veçantë në Shqipëri e shohin të ardhmen në Gjermani. Kryeministrin Rama e kemi parë shpesh të kërkojë nga vendet e BE që t’i kthehet mbrapsht gjithë ky investim sepse në fund të fundit këto janë investime të cilat janë bërë për kualifikimin e ardhshëm të personave me taksat e shqiptarëve kështu që duam të marrim diçka mbrapsht. A ka një mundësi, a ka një mekanizëm për mënyrën se si mund të bëhet një gjë e tillë dhe po kështu zëdhënësi i qeverisë britanike sot reagoi ndaj deklaratave tuaja. Si e shihni këtë gjë?
Kancelari gjerman Olaf Shcolz: Sa i përket lirisë së lëvizjes për qëllime punësimi është një nga avantazhet më të mëdha të BE, kështu që për të gjithë ata që do bashkohen në Bashkimin Evropian do duhet ta pranojnë këtë koncept të lëvizjes së lirë për 400 milionë njerëz. Pra, kjo nuk ka të bëjë thjesht me lëvizjen në disa vende, por po t’i hyni në detaje është shumë e lehtë për të rinjtë dhe për gjithë të tjerët, thjeshtë të marrin vendimin, ta bëjnë një gjë të tillë. Të punojnë për disa vjet në një vend tjetër dhe pastaj të kthehen. Kjo është diçka që pasuron përvojat e tyre dhe natyrisht pasuron edhe avantazhet e shumë, shumë njerëzve kështu që jam shumë i sigurtë që lëvizja e lirë për qëllime punësimi është një koncept mjaft i mirë për të gjithë ne. Po, keni të drejtë të thoni që rrjedhja e trurit është një problem për vendet, duke pasur parasysh edhe aspektet të ndryshme. Natyrisht, kjo gjë vlen edhe për ato vende që janë tashmë anëtarë të Bashkimit Evropian por shihni që shumica e tyre, më vonë gjatë jetës së tyre kthehen dhe vendi përfiton nga përvojat që ata kanë arritur jashtë dhe në fakt po të shihni Gjermaninë, do të shihni që ka shumë gjermanë në mbarë Evropën që shkojnë punojnë për 5,10, 15 vjet në mbarë Evropën, ndonjëherë kthehen, ndonjëherë nuk kthehen, pra kjo është një mënyrë që funksionon kështu për të gjithë.
Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen: Pyetja tjetër është që çfarë të mund të bëjmë që njerëzit të mund të duan të qëndrojnë në vendin e tyre dhe përgjigjja e vetme për këtë është shpresa. Nëqoftëse i bëjmë gjërat shumë mirë dhe zhvillojmë vendet, duke krijuar një atmosferë më të mirë ekonomike, duke bërë të mundur vende të mira pune dhe të ardhmen të mirë në të gjithë BE, për ato vende që duan të bashkohen në Bashkimin Evropian, kjo është përgjigjja. Po të shikosh me kalimin e kohës, lëvizja e lirë për qëllime punësimi, dhe Kancelari e tha se sa të mira ka një gjë e tillë për të gjitha palët, do ta shihni që e kemi pasur këtë proces të një rrjedhje pjesore të trurit në çdo vend që ka qenë në proces anëtarësimi. Sa më pranë i afrohemi anëtarësimit , aq më pak është i fortë ky efekt. Zgjidhja është në rritjen e standardit të jetesës, ky është qëllimi ynë i përbashkët, por po kështu duke qenë se kjo kërkon kohë e natyrisht për familjet në Ballkanin Perëndimor dhe ata duhan t’i mbajnë të rinjtë e tyre afër, kjo është një çështje e vështirë nwqoftëse i referohemi përmasës kohore. Ka shembuj mjaft të mirë, ku ka marrëveshje ndërkufitare, për shembull për mjekët, në mënyrë që ata të bëjnë një shkëmbim për disa vjet dhe pastaj të kthehen dhe të japin nga përvoja që kanë përftuar. Ka shumë shembuj të mirë për një gjë e tillë dhe është diçka,nga e cila mund të mësojmë dhe ashtu siç ju kryeministër, ngritët çështjen e universiteteve dhe bashkëpunimit, dhe natyrisht universitetet përfshijnë edhe universitetet mjekësore, kjo mund të jetë një temë, të cilën mund ta zhvillojmë në thellësi, për shembull edhe me Erasmus, lëvizjen e studentëve brenda Ballkanit Perëndimor e Bashkimit Europian. Kemi nisur të punojmë me këtë, por mund të jetë një pikë shumë interesante në samitin tjetër të Ballkanit Perëndimor për të ardhur në zgjidhje e propozime për të zgjidhur këtë çështje kaq të rëndësishme.
Kryeministri Edi Rama: Gjermania disa vjet më parë pati një problem të ngjashëm ku me valën e madhe të krizës së refugjatëve, njerëz nga rajoni ynë, por edhe nga Shqipëria shkuan dhe nuk dëgjova asnjë politikan gjerman e jo më ministra të flasin për pushtim. Nuk dëgjova kurrë asnjë politikan gjerman e jo më ministër të qeverisë a ministër të Brendshëm të flasë e të thotë që shqiptarët janë kriminelë, e sjellin kriminelë, por pashë një qeveri mjaft të interesuar për ta trajtuar çështjen me dinjitet e respekt për shqiptarët dhe për ecur në mënyrë konkrete së pari, duke e radhitur Shqipërinë në vendet e origjinës së sigurt, duke forcuar sistemin e aplikimeve e duke i dhënë fund praktikisht asaj trazie të atij momenti në mënyrën më dinjitoze e të respektuar. Ndaj, në vend që të ndizej një narrativë e çmendur pushtuesish, e gangsterësh për të maskuar politika tërësisht të dështuara lidhur me kufirin dhe me krimin, përfaqësuesit britanikë duhet të vijnë në Gjermani e të mësojnë shpejt e të ndreqin problemet e veta. Ne nuk jemi këtu, e kam fjalën në Shqipëri që t’u ndreqim problemet që kanë në Britani dhe së dyti, më duhet të kujtoj këtu se qytetarët tanë që kanë mbërritur në Francë kanë qenë tërësisht të ligjshëm. Në qoftë se ka problem në kanalin midis Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, le të gjejnë një zgjidhje, le të përpiqen ta zgjidhin. E di që Brexit e ka bërë më të vështirë një gjë të tillë, po ky ka qenë vendim i popullit britanik, jo i popullit shqiptar apo francez. Në fund të fundit ne jemi shumë të lumtur të bashkëpunojmë, të bëjmë gjithçka që duhet të bëjmë nga ana jonë, por nuk duhet ta pranojmë kurrsesi këtë lloj retorike.
Shqiptarët në Britani janë një komunitet i shkëlqyer, të integruar plotësisht. 70% e tyre dhe nuk janë miliona, janë 140 mijë dhe për 140 mijë persona të një komuniteti tjetër, Gjermania as nuk do t’i kishte llogaritur që të ishin një numër i lartë. 70% e tyre janë larguar nga Greqia dhe Italia, jo nga Shqipëria. Ka 1200 drejtues biznesesh që janë shqiptarë. Ka akademikë të mirë respektuar e kështu me radhë e kur vjen fjala për kriminelët në burgjet britanike, shifrat flasin për më pak sesa 1%. Kështu që, të shënjestrosh një komunitet e të flasësh për gangsterë e kriminelë nuk tingëllon diçka shumë britanike. Tingëllon më shumë si një britmë nga një çmendinë.
–Një pyetje për kancelarin. Ka gjëra që duhen në Ballkanin Perëndimor dhe duhen zgjidhur edhe kur bëhet fjalë për këtë udhëkryq me të cilin përballemi tani. Gjermania dhe Franca kanë hedhur në tryezë propozimin për të zgjidhur çështjen e Kosovës dhe për të pasur normalizim midis Serbisë dhe Kosovës. Pyetja ime është sesa urgjente është një marrëveshje sipas këndvështrimit tuaj midis Kosovës dhe Serbisë dhe kur prisni që kjo të ndodhë. Dje gjatë forumit të shoqërisë civile, u përmend dëshira për të pasur një afat për zgjerimin. Sa realiste është një gjë e tillë.?
Kancelari gjerman Olaf Scholz: Faleminderit shumë për pyetjen. Është e vërtetë. Konfliktet dypalëshe që padyshim ekzistojnë midis vendeve anëtare të Ballkanit Perëndimor duhen zgjidhur, duhet të tejkalohen. Është një gjë e mirë që të jemi në gjendje ta bëjmë këtë gjë. Kemi bërë progres të konsiderueshëm sidomos kur vjen fjala për diskutimin midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Është folur për një takim tashmë të suksesshëm. Proceset kanë nisur tashmë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat shohin përpara për anëtarësim në BE.
Sa i takon Serbisë dhe Kosovës, edhe për ta vlen e njëjta gjë. Duhet arritur një marrëveshje. Ne dhe qeveria franceze e Komisioni Europian, po bëjmë të pamundurën që ta realizojmë një gjë të tillë. Jemi përfshirë në mënyrë shumë aktive në bisedime me të dyja palët dhe shpresojmë që shumë shpejt do të vijmë në një proces ku të dyja qeveritë do të ecin përpara dhe ku të arrihet një mirëkuptim. Kjo është diçka për të cilën duhet të kemi durim e po kështu ne duhet të bëjmë shumë përpjekje për këtë. Shpresojmë që shumë shpejt do të shohim një rezultat pozitiv.
Lidhur me zgjerimin mendoj që gjëja më e mirë do të ishte që Presidentja e Komisionit të fliste për këtë, ndoshta sa më shpejt të jetë e mundur.
Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen: Në fund të fundit, kriteret e Selanikut ishin shumë më parë, pra dua të kemi një proces natyrisht të jetë më i shpejtë në anëtarësinë për rajonin. Megjithatë kur bëhet fjalë për afate, procesi i anëtarësimit është i bazuar në merita. Kështu që, nuk ka një afat që të jetë i mirë. Sa më shumë, sa më mirë të veprojë një vend në interes të vetë në investime e reforma aq më i shpejtë do të jetë procesi, por po kështu mund të ndodhë dhe e anasjelltas, që moszbatimi për shembull i reformave apo moskryerja e reformave do të sjellë një ngadalësim të procesit. Metodika e modernizuar ka një qëllim, të përshpejtojë procesin nëse ka vullnet që të punohet fort për shembull për çështje të përgjithshme të shtetit të së drejtës gjithashtu edhe të vlerave thelbësore të Bashkimit Europian. Pra jep mundësi krahasuar me më parë që procesi të përshpejtohet dhe për momentin më duhet të them se ndjej një erë ndryshimesh që po e përshkon Europën për shkak të situatës gjeopolitike dhe është e një rëndësie maksimale që këtë proces anëtarësimi ta shtyjmë e ta nxisim mëpërpara për Ballkanin Perëndimor dhe këtu e ndajmë qëndrimin sepse duam që miqtë tanë të jenë brenda Bashkimit Europian.
Kryeministri Edi Rama: Më duhet të them, pikë së pari, plani i ri franko-gjerman që u është ofruar Kosovës dhe Serbisë është mirëfilli një mundësi e shkëlqyer, jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për rajonin dhe Europën. Shpresoj fort që të dyja palët ta marrin seriozisht dhe që të dyja palët do të kuptojnë se ka ardhur koha që ta shohin dhe si një kontribut të rëndësishëm në tërë arkitekturën europiane të sigurisë.
Nga ana tjetër, kur vjen fjala për zgjerimin, unë jam personi më i keq që mund të pyesni, por në këtë rast dua të them se pavarësisht se si do të shkojë zgjerimi, ne jemi tashmë në një nivel tërësisht të ndryshëm bashkëpunimi me Bashkimin Europian dhe kjo e sotmja është një prej shembujve. Ka nisma të tjera rajonale të cilat janë të rëndësishme dhe po kështu, ka një shteg të vazhdueshëm samitesh midis Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian. Kemi Komunitetin e ri Politik Europian, që është një hapësirë dialogu, bashkëpunimi, mirëkuptimi të ndërsjellët dhe përpjekjesh reciproke. Kjo hapësirë është rritur dhe zgjeruar shumë.
Natyrisht, na duhet të bëjmë detyrat tona të shtëpisë në mënyrë që të hyjmë në Bashkimin Europian. Kjo nuk do të ndryshojë dhe kjo nuk duhet të ndryshojë sepse puna që nevojitet për tu bërë anëtar me të drejta të plota është, pikë së pari, një punë që përmirëson performancën tonë dhe bën shtetet tona demokraci funksionale në maksimum, pra nuk na duhen skonto e nuk do të kërkojmë skonto.
Së fundmi, më duhet të them se Procesi i Berlinit e ka dëshmuar veten se është kaq i mirë dhe kaq efikas, kur vjen fjala për mirëkuptimin politik dhe kur vjen fjala për të forcuar ndjesinë e përkatësisë në të njëjtën hapësirë, qoftë kjo hapësirë Bashkimi Europian apo qoftë kjo hapësira e emërtuar Europë. Është koha tashmë që të shtyjmë përpara për ta bërë më të qëndrueshme, më konkrete, në përpjekje për të dhënë edhe përgjigje të përbashkëta për çështje si largimi i trurit, për çështje që kanë të bëjnë me paga më të mira apo për çështje që kanë të bëjnë me cilësi më të lartë jetese e kështu me radhë sepse Gjermania dhe vendet e mëdha të pasura të Europës do vazhdojnë të jenë tërheqëse për njerëzit tanë, ashtu siç janë për shumë njerëz.
Ne nuk mund ta ndryshojmë këtë duke u thënë atyre që të kthehen pas. Duhet të ecim ne përpara sa më shumë te jetë e mundur, me ndihmën dhe ndjesia që unë kam është se ka një vullnet shumë të fortë për të ndihmuar, nuk mund të kërkojmë dot për më shumë se kaq. Kështu që faleminderit shumë kancelar, faleminderit shumë Ursula.
Më lini ta përmbyll duke thënë se kur nënshkruam marrëveshjet, ishim katër shqiptarë, dy gjermanë dhe disa të tjerë. Tani jeni dy gjermanë e një shqiptar. Kështu që, shqiptarët duhet ta kuptojnë vërtetë që ne kurrë më parë nuk kemi qenë më mirë se sot. Natyrisht, ka më mirë në të ardhmen! Faleminderit!
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/