Genc Pollo: PD të bëjë transparencë mbi “500 000 dollarët rusë” të...

Genc Pollo: PD të bëjë transparencë mbi “500 000 dollarët rusë” të Bashës. Në 2017 i besova kryetarit

45
0
Shares

Genc Pollo, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike kërkoi sot përmes një artikulli që PD të bëjë transparencë mbi “500 000 dollarët rusë” të Lulzim Bashës.

Sipas mediave ndërkombëtare një zyrtar i qeverisë amerikane deklaroi se agjencitë e zbulimit të ShBA po informojnë konfidencialisht disa shtete për financimet e fshehta të Rusisë ne favor të politikanëve të caktuar në më shumë se 24 shtete. Ned Price zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së i quajti këto financime të Kremlinit si sulm mbi sovranitetin e këtyre shteteve.

Një zyrtar amerikan anonim i deklaroi Agjencisë France Presse se Rusia shpenzoi afro 500 000 USD për të mbështetur Partinë Demokratike të Shqipërisë në zgjedhjet parlamentare të v 2017.
Si deputet i zgjedhur në v. 2017 i kam besuar shpjegimeve publike të asokohe kryetarit Lulzim Basha se në asnjë mënyrë burimi i financimit nuk ka qenë Rusia ose të tjera shtete apo organizata jo miqësore me Shqipërinë (fatkeqsisht organeve partiake nuk ju paraqit siç parashikon statuti raporti financiar vjetor që mund të hidhte dritë mbi detajet e këtyre pagesave).
Këto financime kanë ndodhur jashtë buxhetit zyrtar te partisë dhe kanë përdorur guackat fiskale jashtë vendit tonë. Këtu mund të kemi të bëjmë me parregullsi administrative e ligjore; mbase edhe me shkelje penale.
Por sot nuk kemi thjesht këto probleme të cilat mbeten pjesërisht të pazgjidhura.
Sot kemi të bëjmë me pohime zyrtare amerikane se Basha mori financime në v. 2017 nga një shtet atëhere jomiqësor dhe sot, me agresionin e përgjakshëm kundër Ukrainës dhe rendit ndërkombëtar, një shtet armik.
PDSh si partia që historikisht rrëzoi komunizmin dhe e orientoi Shqipërinë drejt Europës e Perëndimit nuk ka asnjë arsye të mbajë të tilla njolla, hije apo dyshime.
Prandaj do të propozoj zyrtarisht që udhëheqja aktuale, përfshi kryetarin Berisha e Sekretarin e Përgjithshëm Noka të ndërmarrin një audit të plotë të çështjes të drejtuar nga një Komision i Posaçëm. Raporti i auditimit duhet t’u prezantohet Kryesisë, Këshillit Kombëtar, Grupit Parlamentar si dhe të publikohet në websitin e partisë.
Unë jam i ndërgjegjshëm se situata është komplekse: për shkak të ndërlikimeve gjyqësore një sërë tagrash nga aksesi në llogaritë bankare deri tek websiti i partisë janë ende të kontrolluara nga Basha e njerëzit e tij. Gjithashtu çfarëdo informacioni amerikan të marrë qeveria Rama mendoj se nuk do përdorë në interesin shtetëror por për të dëmtuar opozitën edhe tashti që Basha ka ikur. E ka provuar këtë edhe duke keqpërdorur ndërkombëtarë të caktuar.
Por këto nuk janë arsye që PD të mos pastrojë plehun e mbetur në Haurin e Avgjisë. Qoftë edhe duke thirrur para Komisionit të Posaçëm të Auditimit të tërë zyrtarët partiakë përgjegjës; përfshi edhe ish kryetarin e partisë. Dhe duke bërë transparencë të plotë mbi çështjen.

Genc Pollo, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY