Nisën sot punimet për Parkun Fotovoltaik të Karavastasë, Parkun më të madh diellor në Ballkanin Perëndimor, me kapacitet prej 140 megavat, i shtrirë në një sipërfaqe prej 198hektarë, që do të realizohet nga kompania franceze Voltalia, lider botëror në sektorin elektroenergjitik.
Parku po ndërtohet ngjitur me vendbanimin e lejlekëve mes të cilëve edhe një pelikan i rrallë.
Në funksion të objektivit kryesor që është rritja e sigurisë energjitike ky projekt është mundësia më e mirë e Shqipërisë për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë.
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e nisjes së punimeve, së bashku me Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, e cila tha se “Ky investim që nis këtu sot, më shumë se i rëndësishëm për ekonominë, më shume se irëndësishëm për sistemin energjetik, është i rëndësishëm për sigurinë energjetike të Ballkanit perëndimor”, teksa shtoi se “Shqipëria do të ketë mundësinë që në 15 vitet e ardhshme, duke filluar nga mesi i vitit 2023 kur ku park do të jetë në prodhim, ne të kemi 70 megavat/orë të disponueshme me 24.89 euro.”
Ndërsa, Kryeministri Rama theksoi në fjalën e tij se “Ne nuk heqim dorë nga vizioni ynë i Shqipërisë 2030 për ta transformuar këtë vend në një vend tërësisht të pavarur nga pikëpamja energjetike dhe në një eksportues neto të energjisë.”
Më vjen keq që shefi i madh i Voltalias nuk është këtu me ne për shkak se humbi avionin. Nuk ishte Ëizz Air, meqenëse kemi marrë së fundmi shumë ankesa për vonesa, ishte AirFrance dhe janë të gjithë avionët sot, në Europë të paktën, që vonohen dhe situata e agjendës së fluturimeve është në një kaos të vërtetë, por ajo që është edhe më e rëndë, është që në emër të Voltalias këtu u fol anglisht. Kjo e bën të papërtypshme për Francën, që Voltalian e ka kompaninë e flamurit, por megjithatë kjo tregon edhe njëherë që sado frankofonia të luftojë, anglishtja mbetet gjuha më e madhe e përbashkët.
Më vjen shumë mirë sot që jemi këtu pas një pune të gjatë parapërgatitore, sepse i tillë është ky proces, për të hyrë në fazën përfundimtare, që është faza e ndërtimit të parkut më të madh me energji diellore në rajonin e Ballkanit. Më vjen shumë mirë që për rastësi, dje kam qenë së bashku me presidentin e Francës në Madrid dhe kemi folur edhe për angazhimin e Voltalias në Shqipëri, edhe për ditën e sotme, edhe për vijimin e investimit të Voltalias për parkun tjetër fotovoltaik në zonën e Spitallës, i cili është në fazën përgatitore.
Më vjen po ashtu shumë mirë që këtu mbaron edhe gjithë tensioni i Erion Braçes për realizimin e kësaj vepre dhe hyjmë në fazën e marrjes frymë të lehtësuar. Erioni meriton të gjithë respektin dhe falenderimet për këmbënguljen e tij dhe ndihmën e jashtëzakonshme që ka dhënë, së bashku me autoritetet vendore këtu, për ta lehtësuar këtë proces. Ndërkohë që edhe pse ka bërë thjesht detyrën, Belinda meriton një vlerësim, të posaçëm në këtë rast, pasi procesi ka qenë realisht sfidues, por edhe një histori e bukur suksesi, duke nisur që nga çmimi. Një çmim i paimagjinueshëm në atë moment për leverdishmërinë e shtetit shqiptar, më pak se 25 euro ofruar nga Voltalia, por një çmim që bëhet përtej çdo force të imagjinatës sot ku situata dhe koniunktura ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore dhe këtu me shumë respekt, realisht shumë respekt, dua t’i them kompanisë dhe lidershipit të kompanisë që e çmojmë jashtëzakonisht shumë korrektesën, seriozitetin dhe gatishmërinë e tyre për të vazhduar edhe pse në një situatë kaq sfiduese, ku realisht edhe vetë projekti u kërcënua nga ndryshimi marramendës i koniunkturës.
Pikërisht për këtë koniunkturë dua t’i them dy fjalë, duke pasur parasysh faktin se ndërkohë që çmimi i energjisë për Europën dhe për botën në tërësi bëhet gjithnjë e më problem, ndërkohë kur projeksionet e rritjes së çmimit bëhen gjithmonë e më të frikshme, Shqipëria mbetet i vetmi vend që nuk e ka prekur dhe do vazhdojë të mos e prekë çmimin e energjisë për familjarët dhe për biznesin e vogël, gjë që bën që norma e inflacionit që është sot problemi kryesor i të gjitha qeverive, në Shqipëri të jetë ndjeshëm më e ulëta në rajon. Me të gjithë mirëkuptimin për gjithë pjesën tjetër, që është e pashmangshme dhe me gjithë vëmendjen për ta lehtësuar sa të jetë e mundur këdo qoftë që ka nevojë për mbështetje. Kush nuk ka nevojë për mbështetje në këtë fazë kaq delikate për ekonominë e të gjithë botës?! Dua që askush të mos e harrojë se ka dy të dhëna shumë të rëndësishme për të kuptuar situatën në të cilën ndodhemi dhe për të kuptuar “pse”-në e pjesëmarrjes së secilit me pjesën e vet të vështirësisë në këtë proces.
E para, energjia. Natyrisht që gjërat që nuk ndodhin janë vështirësisht të konceptueshme. Natyrisht që qeveritë vlerësohen më lehtë për gjërat që ndodhin dhe më me vështirësi për gjërat që qeveritë nuk lejojnë të ndodhin. Prandaj, disa mund ta kenë të lehtë të thonë, “boll na e përsëritët këtë çmimin e energjisë, ja rriteni dhe këtë”, sepse në fakt, aty do ishte realisht një dhimbje e papërballueshme për shumëkënd.
Ndërkohë nga ana tjetër, të mos e harrojmë, po e përballojmë këtë situatë duke vazhduar të ruajmë sistemin me taksat më të ulëta për pjesën më të madhe të popullsisë. Taksat më të larta, relativisht më të larta, i paguan vetëm biznesi i madh në Shqipëri. Ndërkohë që të gjithë të tjerët paguajnë taksat më të ulëta në rajon, se në Europë as nuk bëhet fjalë. Jo vetëm kaq, por po bëjmë prapë një tjetër hap për të vazhduar të ulim taksat mbi punën, duke e çuar nivelin e pagës së pataksuar me 500mijë lekë. Të gjitha këto janë në funksion të lehtësimit të kësaj situate.
Nga ana tjetër, ne nuk heqim dorë nga vizoni ynë i “Shqipërisë 2030”, për ta transformuar këtë vend në një vend tërësisht të pavarur, nga pikëpamja energjetike dhe në një vend eksportues neto të energjisë. Ne nuk jemi të pavarur ende nga pikëpamja energjetike, sepse edhe kur shirat arrijnë intensitetin e tyre më të lartë, edhe kur kemi vitin më të lagësht të mundshëm, ne përsëri nuk i mbulojmë 100% të nevojave dhe duhet t’i drejtohemi importit.
Ndërkohë që, kur vitet janë si tre vitet e fundit, atëherë vështirësia bëhet edhe më e madhe sepse hendeku mes prodhimit dhe nevojës për konsum zgjerohet shumë, e kështu duke mos rritur as çmimin për konsumatorët futemi me volume jashtëzakonisht të konsiderueshme nga buxheti i shtetit. Sidoqoftë ne do vazhdojmë të luftojmë përditë për pavarësinë energjetike dhe transformimin e këtij vendi në një vend eksportues neto që energjia të mos jetë më një hall për buxhetin e shtetit, por të jetë një kontributor neto në buxhetin e shtetit. Kjo do të kërkojë investime si ky që po bëjmë sot, për të cilin pa bërë asnjë ekzagjerim. ministrja tha se nuk është më një investim thjesht në funksion të sigurisë elektrike të Shqipërisë por edhe të rajonit dhe po ashtu do nxjerrim maksimumin nga një koniunkturë e re që na vendos ne në një pozicion strategjik shumë të rëndësishëm në raport me shumë partnerë për sa i përket gazit.
Keni ndjekur besoj gjithë punën intensive të materializuar në marrëveshje. Jo më larg se mbrëmë firmosëm një marrëveshje me ENAGAS-in e Spanjës, ashtu sikundër presim me padurim edhe finalizimin e testeve për sasinë e gazit dhe të naftës të zbuluar në zonën e Shpiragut, që nëse të gjitha gjërat do të shkojnë deri në fund ashtu siç deri tani duket, do të jetë një frymëmarrje e jashtëzakonshme për vendin tonë, do të jetë një bekim i madh dhe do të jetë dalja përfundimisht në një nivel tjetër për Shqipërisë.
Pa dashur të zgjatem më shumë, dua edhe një herë të falënderoj kompaninë Voltalia për seriozitetin, për korrektesën dhe për gatishmërinë. Natyrisht si çdo kompani tjetër, Voltalia nuk ka ardhur këtu për të bërë bamirësi, ka ardhur për të fituar, por ama etika e lartë e kompanisë është vënë në provë nga koniunktura e re, është vënë në provë këtu në Shqipëri. Kompania e ka treguar se etikën e lartë nuk e ka thjesht parim të të qenit qysh në themelimin e vet, por e ka mënyrë të të punuarit. Ky është mësim për shumë të tjerë, por është mësim dhe për kompanitë shqiptare në radhë të parë.
Së shpejti do të kemi të tjera të reja të bukura nga ky sektor dhe me shumë respekt për të gjithë ju që keni ardhur këtu dhe po përballoni, deri tani mesa shoh unë, me sukses gjithë këtë të nxehtë që e ka kjo pikë, sepse sipas të dhënave teknike të Voltalias këtu është një nga pikat me rrezatimin më të lartë në Mesdhe, shtuar këtu dhe prania ime dhe fjalimi im, temperatura rritet dhe 1 apo 2 gradë më shumë në qenien tuaj, kështu që ju falënderoj shumë për këtë durim, suksese dhe besoj se tani hera e tretë sëbashku me ministren do të jetë kur ta ndezim këtë park kaq të rëndësishme me energji diellore, që hap një faqe të re për vendin tonë, por që hap një faqe të re edhe për rajonin tonë. r.p
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/