Pranoi ryshfet për të favorizuar një blegtor, që të përfitonte në mënyrë të parregullt një sasi më të madhe parash nga subvencionet, vihet në pranga inspektori i Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor Rural në Korçë.
Vihet në pranga edhe blegtori që ofroi ryshfet.
Sekuestrohet një shumë parash që u pranua si ryshfet.
Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të kryer nga personat që ushtrojnë funksione publike kundër veprimtarisë shtetërore, pas një hetimi tremujor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Subvencioni”. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– Sh. Z., 38 vjeç, banues në Ersekë;
– A. P., 35 vjeç, banues në fshatin Sul, Devoll, me detyrë inspektor terreni pranë Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).
Nga informacionet e grumbulluara gjatë hetimeve, si edhe falë mirorganizimit të punës nga ana e shërbimeve të Policisë, u bë e mundur kapja në flagrancë e këtyre shtetasve, në lagjen nr. 8, Korçë, në momentin kur shtetasi Sh. Z., përfitues i subvencionit për bagëtitë, po i ofronte ryshfet (90.000 lekë), inspektorit të AZHBR-së, me qëllim që Sh. Z. të përfitonte në mënyrë të parregullt, nga skema mbështetëse, shumën 1.000.000 lekë.
Gjithashtu, nga hetimet e kryera rezulton se inspektori A. P., duke shfrytëzuar detyrën, ka favorizuar edhe disa fermerë të tjerë, që të përfitonin nga skema e subvencioneve mbështetëse, shuma më të mëdha monetare, në kundërshtim me ligjin, duke iu kërkuar atyre ryshfet nga 50.000 deri në 100.000 lekë.
Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit A. P., shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan në cilësinë e provës materiale 90.000 lekë, që dyshohet se i ka pranuar si ryshfet nga 38-vjeçari.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. A.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/