GLEDIS GJEPALI/ Lufta ne Ukraine dhe ndikimi në antarësimin e Ballkanit në...

GLEDIS GJEPALI/ Lufta ne Ukraine dhe ndikimi në antarësimin e Ballkanit në BE

41
0
Shares

Nga Gledis Gjipali

 “E ardhmja e Ballkanit është brenda Bashkimit Evropian” ishte mesazhi kryesor i dhënë gjatë Samitit BE – Ballkani Perëndimor në Selanik në vitin 2003, ku për herë të parë u afirmua perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit dhe Shqipërisë në BE. 20 vjet më pas kjo deklaratë kaq e rëndësishme është kthyer në një klishe që pothuajse e ka humbur kuptimin e saj. Në pothuajse 10 vitet e fundit procesi i zgjerimit është në stanjacion të plotë, si për shkak të zbehjes së interesit për zgjerim të mëtejshëm nga vetë BE-ja, ashtu dhe për shkak të ngadalësisë së reformave e demokratizimit të vendeve të Ballkanit. Anëtarësimi më i fundit, ai i Kroacisë në 2013, tashmë duket shumë i largët, dhe ngjason më tepër me një mbyllje cikli zgjerimi se sa një urë mes zgjerimit të madh të 2004 – 2007 dhe zgjerimit me Ballkanin Perëndimor. Dalja për herë të parë e një vendi anëtar nga BE, Brexit, rrit dhe më shumë dyshimet mbi formën dhe jetëgjatësinë e projektit europian. Pavarësisht zhvillimeve të kohëve të fundit të mbarsura me kriza të parashikueshme dhe jo, ftohja e procesit kishte vite që ishte shfaqur në kanceleritë europiane dhe zyrat e BE-së.

Merkel dhe afrimi i Gjermanisë me Ballkanin Perëndimor

Goditja e parë zyrtare ndaj procesit të zgjerimit, erdhi me Komisionin e ri të kryesuar nga Junker, 2014 -2019, i cili deklaroi që nuk do të ketë një Komisioner të posaçëm vetëm për zgjerimin, pasi nuk pritej ndonjë anëtarësim i mundshëm brenda mandatit të tij.  Pak kohë më pas, për të rivendosur në ekuilibër angazhimin europian, një grup vendesh anëtare të rëndësishme të BE-së me në krye Gjermaninë vendosën t’i kushtojnë më shumë vëmendje Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet iniciativës së procesit të Berlinit. Kancelarja gjermane Angela Merkel u investua personalisht me këtë iniciativë, cila para së gjithash shërben si një platformë dialogu ndërmjet liderëve të Ballkanit Perëndimor, si dhe ndërmjet rajonit dhe BE-së. Gjithashtu mbështetja me projekte rajonale e procesit është parë si instrument për thellimin dhe përshpejtimin e bashkëpunimit rajonal në procesin e integrimit të rajonit në BE.

Angazhimi politik i Gjermanisë me Ballkanin, ndonëse risi, erdhi pas një angazhimi të fortë ekonomik ne dy dekadat e fundit ku Gjermania ishte dhe është donatori më i madh në rajon si shtet. Që në nisje të këtij procesi u bë e qartë se nuk është zëvendësim i perspektivës së anëtarësimit përkundrazi, e përforcon atë duke i shtuar elementin e dialogut politike në nivel të lartë me vendet kryesore të BE-së. Ndonëse për sa i takon realizimit të projekteve procesi ka ecur ngadalë për arsye të ndryshme (aftësia e vogël përthithëse e vendeve te Ballkanit, kompleksiteti i projekteve ndërshtetërore, mobilizimi jo i shpejtë i fondeve nga BE-ja, etj.) ana politike e tij, ka sjell rezultate të prekshme, ku janë realizuar takime historike midis liderave të rajonit mbas dekadash mos-komunikimi dhe  armiqësie, dhe ku është treguar se vendet e Ballkanit janë të afta t’i lënë mbrapa konfliktet midis tyre për hir të procesit të integrimit europian po qe se kanë një mbështetje të qartë nga vendet e BE-së.

Një pjesë të madhe të meritës për këto zhvillime e ka ish kancelarja Merkel, e cila kontribuoi me peshën e Gjermanisë dhe qëndrimin e gjatë në detyrë, në dallim me lideret e vendeve të tjera të BE-së. Për këtë arsye dalja e saj nga politika ne 2021 krijoi një boshllëk dhe pasiguri nëse vëmendja ndaj Ballkanit do të vazhdonte në të njëjtat nivele, i cili pa mbështetjen gjermane e ka të vështirë të ngjallë interesim në qarqet europiane, përveçse kur shkaktohen kriza që prekin stabilitetin e rajonit dhe Europës.

Krizat në BE dhe përplasjet e brendshme

Ndërkohë situata brenda vetë BE-së ka qenë e mbarsur me kriza të vazhdueshme të cilat kanë marrë vëmendjen e energjinë kryesore të vendeve anëtare. Pasojat e krizës financiare nisur që në vitin 2008,  kanë vazhduar të ndjehen ne formën e krizave institucionale dhe reformave të lëna në mes për shkak të mosgjetjes së ekuilibrit të duhur midis interesave kombëtare dhe atyre europiane. Debati midis ‘kursimtarëve’ dhe ‘shpenzuesve’ mbi politikat fiskale e monetare vazhdon ende sot si një çështje e hapur që shkakton minikriza të vazhdueshme. Kriza e refugjatëve e 2014-15 po ashtu krijoi një çarje të re ende të pazgjidhur mes vendeve. Dalja e Mbretërisë së Bashkuar, negocimi i daljes, e më pas reagimi ndaj pandemisë Covid -19  e vendosën më shumë nën presion BE-në.

Situatën e përgjithshme nuk e ka bërë më të lehtë dhe tendencat autoritare të shfaqura në disa prej vendeve të Europës Qendrore. Ndikimi mbi gjyqësorin, ngushtimi i hapësirave të medias, prekja e lirive personale (aborti, LGBT) në këto vende, i kanë vendosur ne një kurs përplasje të herë pas hershëm me BE-në duke harxhuar energji e duke ushqyer me argumente atë pjesë të publikut europian që është kundër zgjerimit, se ky proces ka qenë i parakohshëm dhe se vazhdimi i mëtejshëm i tij do të sjell akoma më shumë probleme brenda BE-së.

Lufta në Ukrainë dhe rikthimi i solidaritetit

Në këtë kontekst jo pozitiv për projektin europian, pushtimi rus i Ukrainës në 24 shkurt të ketij viti shkundi nga letargjia Europën dhe BE-në. Ndonëse sinjalet e para te agresivitetit rus në rritje ishin shprehur që me Gjeorgjinë (2008) , dhe me pas dukshëm me aneksimin e Krimesë, askush nuk e parashikonte një agresion në shkallë të gjerë ndaj një vendi sovran. BE-ja kishte filluar të ndryshonte qëndrimin ndaj vendeve të Lindjes ku mbas 2014 me aneksimin e Krimese,  politika e fqinjësisë u intensifikua me më shumë vëmendje ndaj Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë. Komisioneri i Fqinjësisë kaloi nga marrëdhëniet e jashtme tek zgjerimi duke treguar qartë politikisht se interesi është rritur dhe perspektiva europiane është e mundur dhe për këto vende.

Menjëherë mbas agresionit rus, pati një reagim të menjëhershëm nga të gjithë vendet, gjë që nuk ndodhte prej dekadash në BE. Ky rikthimi i solidaritetit, një nga parimet në themel të projektit europian, i cili u shfaq zbehtë e me vonesë gjatë masave kundër pandemisë Covid-19, energjizoi të gjithë strukturat e vendeve anëtare dhe institucioneve të BE-së të reagonin shpejt dhe me një zë të vetëm. Divergjencat për trajtimin e refugjatëve që kishin ngelur hapur nga krizat e kaluara u shuan brenda natës. Valët e para të sanksioneve ndaj Rusisë u pranuan dhe zbatuan me unanimitet. Vendet europiane me luftën në Ukrainë rigjetën idetë dhe parimet themel të Europës së bashkuar, si projekt paqeje, solidariteti dhe prosperiteti, ide që dukej se u kishte kaluar koha duke u përballur me globalizmin, ku secili vend promovon interesat e tij nëpërmjet një ‘lufte’ vetëm tregtare e ekonomike.

Në këtë frymë të re, Ukraina ndonëse në luftë aplikoi për anëtarësim në BE, dhe mori përgjigjen pozitive në samitin e BE-së të para pak ditëve, duke u njohur si vend kandidat për anëtarësim. Ky veprim ishte i paimagjinueshëm para disa muajve, pasi vite më parë Ukrainës iu refuzua dhe marrëveshja e asociimit (pas rrëzimit nga referendumi holandez) e jo më të diskutohej perspektivë anëtarësimi. Në këtë frymë pro-europiane të rigjetur përshpejtimi i procesit të anëtarësimit me gjashtë vendet e Ballkanit, të cilat janë në faza të ndryshme të tij, duhej të ishte i garantuar. Për fat të keq siç u vu re ne në samitin e fundit, asnjë zhvillim pozitiv nuk e pati. Shqipëria e Maqedonia nuk mund të mbajnë konferencën e parë ndërqeveritare, Kosova nuk mori liberalizimin e vizave, e as Bosnje Hercegovina statusin e vendit kandidat. Në këtë situatë ku shpresat janë të mëdha, por rezultatet pothuajse inekzistente, kanë dalë në pah propozime për alternativa të tjera më të mundshme për realizim.

Propozimi i ri i Emmanuel Macron

Nuk është hera e parë që presidenti francez Macron, propozon dhe ngre çështje për debat në lidhje me procesin e zgjerimit, duke ndjekur në një farë mënyre traditën politike franceze skeptike ndaj anëtarësimeve, që disa herë është reflektuar dhe me jo të qartë (si ajo ndaj Mbretërisë së Bashkuar, apo Turqisë).

Në Tetor të 2019 Macron propozoi rishikimin e procesit të negociatave dhe zgjerimit, në prag të avancimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë, për arsye se nuk po jep rezultatin e duhur mbas kaq shumë vitesh. Gjithashtu u përfol, pa u hedhur zyrtarisht dhe opsioni i një asociimi të zgjeruar pa anëtarësim. Teza e Macron e hedhur nëpërmjet non paper-it (propozim jo zyrtar) përfshinte negocimin me faza (mbyllja e disa kapitujve me sukses përpara hapjes së të tjerëve), kthimin prapa të procesit në rast ngecje të reformave, shpërblimin në rast suksesi, dhe angazhim më të madh politik në proces. Këto ide u reflektuan në metodologjinë e re të përgatitur nga Komisioni, me përjashtim të negocimit me faza, që u kundërshtua dhe me një letër të hapur nga 9 vende anëtare, pasi rrezikonte ta tejzgjaste akoma më shumë procesin. Me metodologjinë e re, ra vetoja franceze e për më tepër Serbia e Mali i Zi iu bashkuan vullnetarisht aplikimit të saj, ndonëse kanë vite që negociojnë me formatin e mëparshëm.

Propozimi më i fundit i Macron, i bërë në 9 maj , në Konferencën për të Ardhmen e Europës, i quajtur Komuniteti Politik Europian ndonëse sjell ide të hedhura dhe më  parë, ka si synim afrimin me BE të vendeve të cilat janë shumë larg anëtarësimit, duke iu referuar Ukrainës dhe Moldavisë, dhe disa vendeve të Ballkanit, por duke e lenë të vagullt për cilat vende bëhet fjalë. “Një strukturim më i fortë i marrëdhënieve politike, energjetike dhe investimeve me vendet që dëshirojnë këto marrëdhënie” e përcaktoi Macron idenë e tij, duke plotësuar që nuk është fjala për zëvendësim të anëtarësimit në BE, por si plotësim i tij për vendet që janë në proces. Kjo ide u mbështet dhe nga presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, i cili e përcolli dhe gjatë vizitës në Tiranë në 20 maj, si “thellim bashkëpunimi për çështjet e paqes, stabilitetit, sigurisë dhe politikës së jashtme. Bashkëpunimi ndërmjet shteteve të BE-së dhe shteteve joanëtare do të fokusohej në zbatimin e programeve socio-ekonomike që nuk kërkojnë domosdoshmërish përafrim ligjor”.

Nisur dhe nga pozicionimi gjerman që në propozimin e idesë, që destinacioni europian i Ballkanit Perëndimor është i pandryshueshëm, kjo iniciativë mund të shërbejë pozitivisht në integrimin e Shqipërisë, duke e ditur që me frymën aktuale negociatat do jenë të gjata dhe me shumë pengesa. Vështirësia në kapërcimin e vetos Bullgare nga vendet e BE-së tregon gjithnjë e më shumë dobësinë e BE-së si një e tërë, dhe rolin e fortë që vendet e anëtarë kanë marrë shpesh duke dëmtuar dhe besueshmërinë e institucioneve europiane. Debati politik i brendshëm ne disa vende anëtare reflektohet drejtpërdrejtë në vendimmarrjen europiane, ku shpesh është më e lehtë të sakrifikohen proceset si zgjerimi, që prekin vende të tjera, se sa proceset që kanë pasoja për anëtaret.  Duke qenë e pamundur të influencohet debati politik në vendet anëtare të vetmet instrumente që vendet si Shqipëria kanë, janë të marrin pjesë në sa më shumë nisma, procese e struktura të përbashkëta me BE-në, ku mund të krijojnë aleanca për të shmangur aq së është e mundur bllokime të procesit. Paralel me angazhimet europiane,  Shqipëria duhet të tregojë se procesi i reformave në vend nuk është ndalur por po ecën me shpejtësinë e duhur, dhe të shfrytëzojë çdo mundësi që krijohet për të hedhur një hap cilësor përpara drejt anëtarësimit të plotë. Ndryshe nga vende të tjera dhe ne Ballkan, Shqipëria nuk ka asnjë alternativë tjetër përpara, përveç Bashkimit Europianë në të ardhmen e saj.

Ky shkrim eshte pjese e Projektit “Media dhe Integrimi Europian”, te Institutit Shqiptar te Medias, ne kuadrin e Programit te Promovimit te Tranzicionit te Republikes Ceke.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY