Pas 9 vitesh kryeministër, Piktori ndan pak para për krijimin e veprave...

Pas 9 vitesh kryeministër, Piktori ndan pak para për krijimin e veprave publike. A do ketë edhe këtu 50%?

55
0
Shares

Kryeministri Edi Rama së bashku me Ministren e Kulturës, Elva Margariti prezantuan sot nismën “Art në hapësira publike”, një financim i qeverisë shqiptare në vlerën 200 milionë lekë.

Në fjalën e tij Kryeministri u shpreh se të gjithë ata që kanë nevojë për më shumë informacion, mund ta gjejnë në faqen përkatëse të Ministrisë së Kulturës dhe qëllimi është që të ndërhymë në hapësirat publike duke krijuar një impakt.

Pas 9 vitesh kryeministri piktor jep para për krijimin artistik. Ka patur mundësi ta bëjë shumë më herët dhe në shuma më të mëdha. Por ka një problem: do jetë e vështirë për skuadrën e mbledhjes së parave të kërkojnë nga artistët 50% të fondit para fillimit të punës siç bëjnë në financimet e tjera.

Bashkëbisedim i Kryeministrit Edi Rama me artistËt lidhur me konkursin për nismën më të re të qeverisë shqiptare, për realizimin e veprave të artit në hapësira publike:

Besoj që është e qartë se cila është ideja. Natyrisht që ka nevojë për më shumë informacion. Informacionin do të mund ta gjeni ju që jeni këtu dhe të gjithë ata që janë të interesuar në faqen përkatëse të Ministrisë së Kulturës dhe qëllimi është që të ndërhyjmë në hapësirat publike duke krijuar një impakt.

Ashtu sikundër objektivi apo ambicia është që ky të jetë një program i përvitshëm i qeverisë, të shtrihet në jo vetëm hapësirat publike, siç janë në këtë rast të kryesisht infrastrukturës rrugore,por edhe në hapësirat publike të jashtme dhe te brendshme të institucioneve.

Është një program që do të kërkojë natyrisht edhe testin e eksperiencës për të parë se si do të ecë, çfarë do të mund të përmirësohet, cilat do të jenë sugjerimet apo kritikat e komunitetit të artistëve lidhur me bëshmërinë e tij më cilësore. Natyrisht që për t’i garantuar qëndrueshmëri programit, do të jetë mirë që t’i japim formë një strukture të posaçme institucionale të artit në hapësira publike.

Patjetër që programi ka edhe qëllimin dhe shpresoj edhe efektin e stimulimit të skenës artistike edhe të mbështetjes së vet aktorëve, protagonistëve të kësaj skene artistike dhe në fund fare, unë kam shumë besim që me përfshirjen e artistëve që kanë talentin edhe kanë profesionalizmin e duhur, impakti në hapësirën publike dhe në të gjitha ato pika që rrihen nga shumë sy dhe janë në mes te njerëzve do të jetë i rëndësishëm.

Patjetër që kjo do të stimuloje energji pozitive në territor. Patjetër që duke qenë unë vet besimtar i së bukurës nuk kam sesi të dyshoj edhe në faktin që ky lloj impakti ka, pak nga pak, jo menjëherë, por pak nga pak me krijimin e një mase kritike edhe efektin e duhur social edhe efektin e duhur edhe ekonomik. Kështu që, nuk besoj se mund t’ju them ndonjë gjë të re juve që jeni këtu sepse ju jeni protagonistë të fushës, por thjesht dua t’ju siguroj që programi nuk është një shkrepje e vetme, është vetëm fillimi ky që bëjmë sot, i një procesi që siç thashë duam të jetë afatgjatë dhe i përvitshëm.

Nga ana tjetër pa diskutim që do të behet më e mira për të paturpërzgjedhje të drejta dhe cilësore. Nuk ka diskutim nga ana tjetër që përzgjedhja e drejtë në rastet kur bëhet fjalë për art edhe për prodhim artistik ka brenda dozën e subjektivizmit,megjithatë punët janë të tilla, volumi i punës është i tillë që do të ketë hapësirë për shumë protagonistë vit pas viti.

Është lënë një kufij prej 3 projekt idesh, jo më shumë, por nuk është kufizuar vetëm tek një projekt ide për një individ apo për një grup. Koha nuk është e mjaftueshme, unë jam shumë i vetëdijshëm që koha nuk është e mjaftueshme, 45 ditë janë shumë pak, por për arsye se strukturimi i programit, vendosja e të gjithë bazave të natyrës juridike për programin kërkoi pak kohë, atëherë këtë vit do të jemi pak më të nxituar dhe pastaj për vitin e ardhshëm konkursi do të hapet pak më shpejt.

Ashtu sikundër nuk diskutohet që projekt idetë që mund të jenë interesante në këtë moment, por jo mjaftueshmërisht të zhvilluara do tu japim kohën që të zhvillohen më tutje. E rëndësishme është që të mos e djegim këtë fond, është një fond i konsiderueshëm, t’i japim mundësi autorëve që të mund të sigurojnë bazën materiale të nevojshme dhe pastaj të shikojmë edhe aspektet e tjera sipas kësaj eksperience të parë që do kemi, është diçka tërësisht e re për ne dhe duhet të përpiqeni të mirëkuptoni nëse nuk do të jetë një proces perfekt.

Nëse ka dikush ndonjë pyetje meqë jemi këtu edhe mbase ju ka marrë edhe juve malli për mua, bëni pyetjet, do bëjmë çmos që të japim përgjigjet e duhur. Po nuk dhamë dot përgjigjen e duhur, do ta mendojmë edhe do ta reflektojmë në vijim!

***

– Aty në monitor u shfaq një shumë, 700 mijë lekë shpërblim. Ajo është realizimi i veprës?

Kryeministri Edi Rama: Ajo është vetëm për autorin.

– Vetëm në momentin që fitohet projekti? Pastaj pjesa tjetër si realizohet vepra me 700 mijë lekë?

Kryeministri Edi Rama: Paraqitja e idesë shoqërohet natyrisht dhe me një buxhet. Në momentin që do paraqesësh një ide, do thuash kushton kaq. Ai është shpërblimi për ty, nuk ka lidhje me shpenzimin për veprën. Kjo është për autorin. Natyrisht pastaj ti do kursesh dhe te materialet e do fitosh.

– Mendoni që kufizimi i projekteve për një autor na kufizon? Se mund të jetë një autor shumë i mirë. Pse mos ti bëjë ai të gjitha?

Kryeministri Edi Rama: Për momentin kemi vendosur njëlimit duke pasur parasysh dhe kohën e shkurtër. Natyrisht nuk jemi të detyruar të zgjedhim me zor. Janë 18 hapësira të cilat natyrisht ju duhet të shkoni ti shikoni në vend për të krijuar njëide më të saktë, e për cilëndo nga ato hapësira ne nuk do kemi ide bindëse, atëherë nuk kemi pse i realizojmë. Ndërkohë që për kufirin, së pari e thashë dhe në fillim, ky është dhe një program për të  stimuluar energjitë e komunitetit. Është dhe një mënyrëpër t’i dhënë një dorë artistëve e për ti dhënë një frymëmarrje më shumë skenës, duke i krijuar artistëve mundësinë që të krijojnë dhe të shpërblehen, pra e ka këtë komponent brenda. Është një investim publik edhe në këtë drejtim. Pastaj, vitet do ta tregojnë që dikush mund të jetë shumë më i shpejtë, shumë më igatshëm e shumë më i përshtatshëm, dikush tjetër mund të mos jetë më i interesuar ose mund të mos japë impaktin maksimal,por unë nuk e shoh për momentin se si vetëm njëri mund të bëjë 18 projekte në 18 destinacione, kjo më duket pak e ekzagjeruar. E kuptoj që pyetja kishte të bënte më shumë me kufizimin se me këtë, por për momentin kështu kemi menduar që t’i japim mundësi një grupi më të gjerë, për të mos vendosur që vetëm një por as për të mos thënë “bëni sa të doni”, pra të kemi teorikisht 6 grupe, nëse po marrim maksimumin që secili nga grupet apo individët, se varet si paraqiten, do marrë të treja.

E fundit, këto janë vepra që do kërkojnë krijimin e një grupi, detyrimisht, nuk është vetëm një person, sepse është nevoja për një arkitekt konsulent, është nevoja dhe për ndriçimin sepse janë vepra që do jenë aty dhe që duhet të kenë impaktin e tyre dhe natën. Kështu që, besoj që është një program pozitiv për skenën dhe komunitetin.

 

Paraqitja e projekteve, në datën 7 korrik në mos gaboj thatë ju, do t’i paraqesim në mënyrë elektronike apo do jetë njëfarë projekt tredimensional i paraqitur?

Kryeministri Edi Rama: Nuk kemi dashur të ngarkojmë me mokete e të tjerë sepse e thashë, është pak e kushtëzuar nga gjithë harku i kohës dhe nga nevoja që gjithë ky buxhet të përdoret sepse është fond i buxhetit të shtetit që duhet përdorur deri në fund të vitit.

Ndërkohë, pjesa tjetër që mbase duhet shtuar është që ne duam që programi të fillojë, hap pas hapi, të funksionojë si një mekanizëm i cili gjeneron dhe një fond për të blerë vepra nga artistët, por kjo në një fazë të dytë. Që do të thotë, të kushtëzojmë financimet publike të institucioneve me një përqindje të vogël por që nuk është e vogël në krahasim me fondet, për të blerë vepra arti nga artistë. Nuk është diçka që e kemi shpikur ne, është diçka që shumë vende e kanë dhe e përdorin me shumë sukses sepse i jep skenës shumë mbështetje dhe motivim. Në këtë fazë jemi në hapin e parë kështu që, e thashë paraprakisht, që jo gjithçka është siç do duhet të ishte për të qenë profesionalisht e pakritikueshme sepse do ishte mirë të kishim një fazë të parë me projekt-ide e më pas një fazë të dytë pak më të thelluar edhe me mokete sepse këtu bëhet fjalë për monumente, nëse e marrim në mënyrën klasike, bëhet fjalë për volume të konsiderueshme që do vendosen në hapësirë.

Nga ana tjetër, ka edhe raste kur bëhet fjalë për sipërfaqe që duhen pikturuar me mjete të ndryshme. Do t’i besojmë në këtë moment projekt-ideve të paraqitura me simulime kompjuterike, qoftë edhe me video, kjo varet pastaj edhe nga ju si do i paraqisni idetë. Mund të bëni dhe një video të vogël për të dhënë një ide të hapësirës. Është pak kohë e ngushtë, por gjithsesi ne duam të fillojmë punën. Në fund do përpiqemi, të dyja palët, të arrijmë të kemi cilësi pastaj do mësojmë nga gabimet.

 

Meqenëse i gjithë projekti është një bashkëpunim mes artistëve vizualë, arkitektëve, inxhinierëve të ndërtimit dhe urbanistëve, e në këtë rast do ndërtohen grupe që ne duhet të fillojmë nga puna që sot, cili është mekanizmi i pagesës në rastin konkret? Nëse janë 200 milionë, sa thatë ju dhe po bëjmë një ndarje proporcionale për 18 projekte, sigurisht varet nga involvimi i gjithsecilit në projekt, por si do ta propozojmë ne tek grupi i punës?

Kryeministri Edi Rama: Ajo është çështja e juaja, nuk është çështje e jona. Ajo që “këtu nuk kemi fond limit” është çështja e juaja. Pastaj në përzgjedhje do varet dhe nga buxhetet sepse nëse vjen dikush që sjell një kryevepër që kushton gjithë fondin, do jetë pikëpyetje “a duhet bërë 1 me gjithë fondin?”. Pra e kam fjalën që nuk ka një limit, nuk jemi këtu që të themi që të “18 do realizohen dhe punë e madhe fort se kemi një që na del pak nga buxheti dhe ta djegim”, jo. Ne do fokusohemi të zgjedhim idetë më të mira dhe të japim buxhete që bëjnë vepra cilësore sepse ato do jetë aty për gjatë, me shi, me diell dhe kushte atmosferike e duhet të kenë materiale cilësore ashtu sikundër nuk kemi vënë asnjë lloj limiti për materiale, asnjë limit. Që nga propozimet më ekstreme deri tek propozimet për të bërë një statujë në bronz janë të mirëpritura. Çështja është që në rastet kur ka propozime komplekse që duhen edhe të tjerë, nuk është e detyrueshme që të kesh inxhinierë e arkitektë, por mund edhe të duhen dhe normalisht do duhet.

Kështu që, ato të gjitha përfshihen tek buxheti i punës. Pra, do ketë një shpërblim për artistin, që është ai që thamë, dhe pastaj një buxhet ku artisti fut “krahun e punës” që duhet. Është artisti menaxher. Kontrata është me autorin. Autori pastaj ka ekipin, materialet dhe janë buxheti i veprës, këto nuk janë në lidhje me ne. Edhe nëse juve ju ndodh që t’ju ngrihen ndihmesat, që t’ju thonë që meritojnë më shumë sesa merrni ju, këtë gjë do ta zgjidhni ju, të mos futet shteti në mes për ta zgjidhur.

 

Përshëndetje. Ju përgëzoj për iniciativën sepse mendoj se ishte e rëndësishme dhe e nevojshme, unë kam më shumë pyetje dhe është mendim i imi për këtë idenë e artit në hapësirën urbane. Sot ka shumë diskutime mbi rreth rrotullimet, sa janë funksionale, sa është arti funksional në rreth rrotullimet urbane, duke qenë se ju e thatë disa herë që është faza e parë, do isha kurjoz të di se përveç infrastrukturave urbane që në këtë moment janë më shumë rreh rrotullime  dhe nënkalime, përveç spitalit që është shumë interesat, a do ketë në të ardhmen ndërhyrje në më shumë hapësira, siç është spitali apo hapësira ku jeton dhe shkon çdo ditë komuniteti?

Kryeministri Edi Rama: Kjo është absolutisht e nevojshme dhe pjesë e qëllimit, prandaj e preka pak. Ne duam të kemi në këtë program dhe të fusim kontributin e të gjithë institucioneve dhe të gjithë institucionet të kenë një buxhet për artin, sado të vogël. Nëse kanë 100 lekë për shpenzime kapitale, ndërtime, restaurime, rindërtime, 1 lekë të shkojë për të shpenzuar për artin në hapësirat e tyre. Pra, nuk ka arsye pse të mos e bëjmë dhe nuk është diçka që e kemi shpikur ne, është diçka që të tjerët e kanë bërë dhe e kanë bërë me shumë sukses.

Kështu që, edhe kjo që shikoni është përsëri rezultat i shpejtësisë pak, domethënë i kemi rënë pak rrugës më të shkurtër duke marrë këto hapësira që janë hapësira problematike shumë nga pikëpamja vizuale dhe na duhet shumë sepse për një vend që synon të zhvillojë dhe të bëhet pikë referimi për turizmin, është shumë e rëndësishme të ofrojë, në mënyrë të vazhdueshme, në gjithë territorin e vet shije, estetikë, pastërti, bukuri.

Në këtë rast duhet të bëni konsultat e duhura se ku do preken këto hapësira sepse jo gjithçka dhe jo gjithkund duhet prekur, në rastin e një rreth rrotullimi, ka të bëjë me sigurinë, me mos-shpërqendrimin. E gjitha është pjesë e punës që do bëni ju. Vitin e ardhshëm besoj do keni më shumë kohë dhe më shumë eksperiencë të fituar nga ky vit dhe do kemi dhe hapësira të tjera, siç është në këtë rast hapësira e spitalit ku do stimulojmë më shumë marrëdhënien e institucioneve me komunitetin e artistëve.

Edhe një gjë tjetër. Po të shikoni, do jetë shumë e udhës dhe shumë e mirëseardhur nga ana juaj që jo thjesht në këtë situatë të vendoset një vepër, por të bëhet dhe një propozim mjedisor që nuk është më pastaj detyra juaj, por është një mundësi që na jepet ne për të shfrytëzuar ju aty. Për shembull, në rastin e një situate siç ishin ato rreth rrotullimet, mbjelljen me pemë apo veshjet me gjelbërim, veshjet me gur, pra një propozim arredimitërësor urban, si pjesë e punës do ishte shumë i mirëseardhur. Mund të jetë vepra vetë diçka e tillë, pa pasur fare skulpturë ose një objekt aty, por gjithë ndërhyrja peizazhistike në atë zonë me një propozim financiar që është për të mbjellë peme e të tjera. Në këtë rast, kjo është një situatë katastrofike e ndaj propozimi do ishte mirë të ishte një propozim tërësor që përfshin dhe mënyrën se si mund të maskohen ato ndërtesat nga lart, si mund të zgjidhet situata me sipërfaqet ish të gjelbërta atje, çfarë gjelbërimi mund të shtohet, si mund të luhet me ndriçimin.

Në këtë sens, bëhet fjalë për ide komplekse që pastaj janë të ndara; nëse ne kemi mundësi, ju themi “OK, ky është buxheti për instalacionin aty apo skulpturën” dhe pastaj një buxhet ekstra që vendoset për gjelbërimin ose projekti mund të jetë thjesht projekt gjelbërimi. Projekt me lule e gjelbërim pa asnjë ndërhyrje artistike, në kuptimin me vepër arti, por me gurë, gjelbërim dhe ujë. Pra, me të gjitha mjetet e imagjinueshme.

Shumë faleminderit!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY