Mbledhja e 2 qeverive, Rama thotë se me Kurtin ka kohezion të...

Mbledhja e 2 qeverive, Rama thotë se me Kurtin ka kohezion të plotë

50
0
Shares

Mbledhja e përbashkët e radhës mes dy qeverive Shqipëri-Kosovë, u zhvillua sot në Prishtinë, nën bashkëdrejtimin e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit Albin Kurti, si dhe me pjesëmarrjen e ministrave, anëtarë të kabineteve respektive.

Më herët, Kryeministri Edi Rama dhe delegacioni që e shoqëronte u prit në  një ceremoni zyrtare nga Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti.  

Në nisje të mbledhjes së përbashkët, kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri Albin Kurti mbajtën një fjalë përshëndetëse:

Kryeministri Edi Rama:  I nderuar kryeministër, të nderuar ministra, i dashur Albin, unë e hoqa këtë fjalimin e përgatitur për tu përqendruar në disa pika që besoj janë me një rëndësi të veçantë dhe evidentojnë më së miri rezultate konkrete të një bashkëpunimi shumë konkret. Ndërkohë që, shprehjen e kënaqësisë për këtë moment, dua ta bëj duke falënderuar përzemërsisht Albinin dhe të gjithë ju, por në veçanti Albinin dhe duke e thënë publikisht edhe në sytë të të gjithë atyre që na ndjekin, për mirë apo për keq, është një kënaqësi e veçantë edhe pse pak kush e beson kur unë e them që kur ne takohemi kemi një sinergji të plotë dhe qeshim jo pak. Kjo është e rëndësishme.

Dua të them disa shifra që besoj janë domethënëse. Kur ne kemi nisur punën më nga afër dhe më intensivisht me qeveritë e Kosovës kemi pasur një volum të shkëmbimeve tregtare 160milionë euro. Sot volumi i shkëmbimeve tregtare për vitin që lamë pas është 433milionë euro. Kemi hyrë në zonën kur shifrat marrin një lloj serioziteti në krahasim me shifrën shumë qesharake prej 160 milionë euro mes dy vendeve, ndërkohë që vite të tëra ishin harxhuar në këtë drejtim.

E dyta që dua të sjell në vëmendje është që sot në Shqipëri rezultojnë të regjistruara 1225 subjekte biznesi nga Kosova, 1081 prej të cilave janë pronësi 100% të subjekteve të këtushme,ndërkohë që 145 të tjera janë pronësi e përbashkët me partnerë në Shqipëri.

Investimet e Kosovës në Shqipëri në 2017, 9 milionë euro. Në vitin 2021, 139 milionë euro. Besoj që është një shifër shumë domethënëse dhe e fundit që dua të sjell në vëmendje është fluksi i investimeve në vlerën më të lartë historike ka qenë 16milionëshi i 2018, ndërkohë që jemi në 41 milionë në vitin 2021, një indikator jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Unë besoj që ne kemi gjithë mundësinë që ta intensifikojmë dhe ta shtojmë volumin e investimeve reciprokisht, ndërkohë që dua t’i kujtoj ministrave të brendshëm këtu të pranishëm se kemi një protokoll të nënshkruar në prill të 2019 në Morinë që shërben si udhëzues shumë i qartë për kalimin praktik të kufirit dhe besoj që Kryeministri është dakord me mua që në këtë sezon është e palejueshme dhe e pajustifikueshme që të kemi më probleme të natyrës që kemi pasur deri vjet apo vitet e tjera dhe radhë të pafundme për shkak të kontrolleve një për një të makinave që vijnë drejt Shqipërisë.

Sot më vjen shumë mirë që ne kemi ardhur bashkë me përfaqësues të kompanisë prestigjioze globale Royal Haskoning për të prezantuar këtu studimin e portit të Durrësit, i cili shtrihet nga Durrësi në Prishtinë, me portin pritës në Durrës dhe në portin e Thatë të Prishtinës, çka përbën një projekt me rëndësi strategjike, i cili ka bërë më të integruar edhe hekurudhën Durrës- Prishtinë, për të cilën ne kemi filluar punën konkretisht me studimin përkatës bashkërisht dhe besojmë që duke e shtyrë bashkërisht këtë projekt të madh të portit të ri me Portin e Thatë të Prishtinës dhe portin e Durrësit të integruar me hekurudhën dhe me portin ushtarak bazë të NATO-s të re në Mesdhe në Durrës, gjë për të cilën ne kemi filluar kontaktet me NATO-n, jemi në një situatë krejtësisht tjetër për dhjetëvjeçarët e ardhshëm.

Tjetra që dua ta theksoj dhe kjo është rezultat i punës së përbashkët të këtyre dy qeverive, zbatimi i angazhimit që morëm së bashku në takimin e shtatorit në Prishtinë, me të dyja akademitë që nisin punën konkretisht me financim të dy qeverive për enciklopedinë shqiptare, projekti madhor albanologjik, projekt i shumëpritur, i shumë munguar që merr udhë si një vullnet i përbashkët i qeverisë së Kosovës dhe i qeverisë sonë.

Ashtu sikundër, është këtu, besoj, vendi i duhur për ta thënë, se ka përfunduar faza e parë e punës së grupit të përbashkët për abetaren e unifikuar dhe kemi fituesin, puna për fazën e dytë të zbatimit vazhdon dhe jam shumë i lumtur që do kemi mundësinë, së bashku me Albinin, që të dorëzojmë abetaret e unifikuara, ndërkohë që kemi folur dhe me përfaqësuesit e popullsisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, kemi folur edhe me kryeministrin e Malit të Zi dhe do flasim dhe me autoritetet në Serbi që kjo abetare e unifikuar të shkojë tek të gjithë shqiptarët, familjet shqiptare dhe gjithë fëmijët shqiptarë, plus edhe në zonën tjetër, që e ka merak vetë Albini, të diasporës dhe aty jemi të sigurt që do kemi shpërndarje të abetares kudo do na kërkohet.

E fundit, kryeministër, sepse në pjesën tjetër të optimizmit që kthehet në entuziazëm e ke merak vetë, në funksion të optimizmit që kthehet në entuziazëm, unë do t’iu propozoja që duke qenë se jemi në 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjes së flamurit të pavarur të Shqipërisë, ne të kishim në nëntor të parin Kuvend të përbashkët, me të dyja parlamentet e mbledhura në një dhomë, ku po na u dha mundësia dhe po u ra dakord, të na jepet dhe ne të dyve të adresojmë këtë dhomë të përbashkët të Kuvendit, por në të gjitha rastet, nëse bashkërishtarrijmë të bindim të dy kryesitë e Kuvendeve, në Kosovë dhe në Shqipëri, që të kemi këtë Kuvend të përbashkët, atëherë japim dhe mesazhin, për të gjithë ata që lexojnë sloganet e mbledhjeve, që këto nuk janë slogane bosh.

Mbledhja e 8-të e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë me sloganin “Të përbashkuar” materializohet në Kuvendin e përbashkuar të nëntorit. Edhe ky është, besoj, një projekt që na vlen dhe në ndërkohë, me shumë kënaqësi dua ta them këtu se puna e nisur mes dy Kuvendeve, mes dy kryetarëve të Kuvendeve dhe kryesive dhe grupeve parlamentare ka kaluar në një nivel komplet tjetër sa i përket ndërveprimit dhe ndarjes së informacionit për legjislacionin si dhe përafrimit të legjislacionit për gjithë ato tema apo fusha ku ka procese që janë të përbashkueshme.

Këto ishin fjalët e mia të kësaj hapjeje.

Edhe njëherë, me shumë sinqeritet dhe respekt, faleminderit për këtë mundësi. Është kënaqësi e veçantë edhe faleminderit edhe për ndalimin e shiut se ka pasur herë pas herë reshje 20minutëshe që mund të prishnin problemin. Ishte një qen aty që lehte para se të fillonin himnet, por pas këndimit të himneve edhe qeni nuk lehu më, çka, mbase, jep një mesazh për të ngjashmit e tij në botën e njerëzve që kërkojnë vazhdimisht të fusin xixa mes nesh dhe kërkojnë të shikojnë me patjetër çështje të hapura mes meje dhe homologut këtu.

Nuk ka të tilla sepse ne jemi shumë të hapur dhe çështje për të cilat nuk merremi vesh, kemi kënaqësinë e madhe t’i ndajmë duke u marrë vesh të mos merremi vesh.

Kështu që, me të falat përkatëse për qenin, unë e konsideroj të hapur këtë mbledhje. 

Kryeministri i Republikësë së Kosovës Albin Kurti: I nderuar kryeministër i Republikës së Shqipërisë zoti Edi Rama! Të nderuar ministre dhe ministra të kabineteve qeveritare të dy vendeve, mirë se vini në këtë mbledhje të 8-të të përbashkët, e cila kësaj radhe po mbahet në Prishtinë.

Në mbledhjen e kaluar patëm thënë se jemi popull optimist dhe se gjithnjë jemi një. Tanimë duke kaluar nga njëra mbledhje në tjetrën besoj se duhet ta kthejmë optimizmin në entuziazëm, entuziazmi në rastin tonë është optimizëmi i bashkërenduar mes kapaciteteve njerëzore dhe dinamikave ekzekutive. Entuziazmi është po ashtu organizim më i mirë i mundshëm  mes imagjinatës dhe racionalitetit. Sfidat sot siç e dimë të gjithë janë të shumta dhe situatat politike botërore duket shumë e rënduar,por në të njëjtën kohë ne mund ta lexojmë këtë gjendje dhe më mirë, edhe më qartë, kur problemet shfaqen më haptas, kur orientimet gjeopolitike shfaqen më hapur, jo vetëm në burimet e tyre historikë dhe ideologjike, përcaktimi ynë është më i thjeshtë. Besoj se parimi dhe strategjia jonë njehsohen kur situata e madhe gjendet e detyruar të deklarojë rreshtimin e vetë. Prandaj dhe këto mbledhje qeverish tingëllojnë më të vërteta dhe më efektive se kurrë më parë.

Para pak ditësh festuam çlirimin e Kosovës, përkujtoj këtu dëshmorët dhe luftëtarët e ardhur nga Republika e Shqipërisë, si dhe mbështetjen dhe solidaritetin e paparë të vëllezërve dhe motrave tona për refugjatët shqiptarë nga dëbimi masiv dhe spastrimi etnik që po bëhej ndaj tyre.

Sot, bashkëpunimi midis dy shteteve tona në kohën e paqes duhet ta rindezë atë entuziazëm që pati në kohën e luftës për çlirim. Me këtë rast më vjen mirë të theksoj se ky bashkëpunim nuk ka qenë asnjëherë më i gjerë dhe më intensive sesa në fushën e burimeve njerëzore aq dhe të atyre natyrore. Sepse megjithëse për një kohë ka patur kufij ndarës të imponuar politikisht, natyra nuk ka ditur për ta kur i ka ndarë burimet e saj zhvillimore në këtë rajon. Ndërkaq me kotësimin e tij progresiv,ai kufi duhet të na shërbejë si matësi I emancipimit tonë ekzekutiv. Me kotësimin e tij si artific përbashkohet karakteri ynë kombëtar me zotërimin e përbashkët të natyrës.

Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona janë dëshmi se kur nuk ekzistojnë problem të pazgjidhura politike, suksesi imarrëdhënieve në të gjitha fushat e tjera është i garantuar. Është gjithashtu dëshmi se bashkëpunimi, integrimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm në gjithë rajonin, sigurohet duke i zgjidhur problemet politike në fillim dhe jo në fund. Lënia përfund dhe mbajtja pezull e zgjidhjes së problemeve esencial politik, mban pezull mosbesimin e ndërsjellë social. këtu më pëlqen ta kujtojargumentin bindës të socio-ekonomistit të famshëm izraelito amerikan Amitai Etzioni se besimi social luan rol të madh për suksesin ekonomik dhe se në fund të fundit aty ku ndërbesimi social është më i madh edhe kostoja e përgjithshme e transaksioneve ekonomike ndërmjet palëve është gjithnjë më e ulët. Bashkëpunimin dhe integrimin brenda kombit dhe ndërmjet dy shteteve tona e ka lehtësuar fakti se veç sa po e zbatojmë rastin tonë, parimet dhe praktikat tashmë të njohura të BE, përderisa dhe anëtarësimi në BE mbetet synimi ynë i përhershëm dhe drejtuesi i politikave tona.

Kjo mbledhje e 8 e dy qeverive tona vjen vetëm 6 muaj pas mbledhjes së kaluar ën të cilën u patën nënshkruar 13 marrëveshje ndërqeveritare dhe 8 marrëveshje ndërmjet institucioneve. Jam i kënaqur të njoftoj se brenda këtyre 6 muajve janë realizuar dhe janë në zbatim të gjitha këto marrëveshje, përveç njërës që pritet të hyjë në zbatim së shpejti. Me to është lehtësuar jeta e qytetareve në fusha të ndryshme,ndër të cilat mund të përmendim lehtësimin e marrjes të lejes së qëndrimit, njehsim reciprok i diplomave, kalendari i përbashkët kulturor dhe bashkëpunimi në fushën e trashëgimisë kulturore, të bujqësisë etj.

Po ashtu, jemi duke punuar për realizimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në të kaluarën.  Nga 127 prej tyre janë zbatuar pa probleme vetëm 75 ose 59 %, që është shumë më pak krahas 93 % e të realizimit të marrëveshjeve të nënshkruara vetëm para 6 muajsh. Të gjitha marrëveshjet që do të miratohen sot kanë për qëllim lehtësimin e mëtejshëm të jetës së qytetarëve, afrimin dhe rritjen e kompetencës njohëse dhe praktike të tyre si qytetarë, duke ndërtuar në radhë të parë infrastrukturën e përbashkët për arritjen e atyre synimeve ,qoftë asaj fizike, qoftë asaj administrative.

Kompetenca njohëse e qytetarit rritet kur rregullat përafrohen deri në njehsim dhe kur krijohen trupa të përbashkët administrativë në fushat përkatëse.

Në këtë drejtim po përmend vetëm marrëveshjen për pranimin e studentëve në institucionet e arsimit të lartë me të njëjtat procedura, pavarësisht se në cilën anë të kufirit ata ndodhen ose edhe atë për ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës për studimin, hartimin dhe vlerësimin e projekt-marrëveshjes për bashkimin doganor, studimin e fizibilitetit dhe projekt-idesë për linjën hekurudhore Durrës- Prishtinë  etj.

Është e veti e këtyre mbledhjeve të flasin me gjuhën e rezultateve, po ashtu është veti e këtyre mbledhjeve të nxjerrin në pah imagjinatën e sektorëve të veprimit. Pritshmëritë tona janë reale.

Proceset integruese përbashkuese të parashikuara në këto marrëveshje, janë tashmë të gatshme në praktikat më të mira botërore dhe veçanërisht ato të Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, na mbetet edhe përcaktimi i shpejtësive të zbatimit të tyre. Ne besojmë se 6 muaj më pas do të kemi rezultatet e ardhshme.

Përfund na duhet harmonizim e bashkërendim më i mirë i politikave dhe veprimeve mes dy vendeve tona si në çështjet rajonale, po ashtu edhe në çështjet e politikës së jashtme . Është e vërtetë që shqiptarët sot jetojnë më mirë se kurdoherë, por krahasimi ynë vetëm me vetveten nuk është matësi më i mirë sepse ne ishim populli më i shtypur e si rrjedhojë edhe më ipazhvilluari në Evropë.

Progresin tonë duhet ta matim, duke e krahasuar me atë të vendeve të zhvilluara në të cilat edhe kanë ikur një pjesë e mirë e popullit tonë. Pra na duhet një krahasim mes asaj ç’ka realisht po bëjmë dhe ç’ka potencialisht mund të arrijmë e këtu kam përshtypjen se kemi një oqean të tërë të mundësive të pashfrytëzuara.

Nga kjo pikëpamje besoj se duhet të gjykohen edhe marrëdhëniet mes dy shteteve të kombit tonë dhe rolet që kemi secili nga ne, nga mundësia historike që na është dhënë për të shërbyer në një kohë të shanseve shumë të mëdha e s’ka dyshim se kjo mundësi historike që na është dhënë do të jetë edhe gjykim i historisë  për  ne, por shpresojmë e besojmë për të mirë e për të mbarë. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY