Kokaina në Portin e Durrësit, arrestohet anëtari socialist i Këshillit Bashkiak të...

Kokaina në Portin e Durrësit, arrestohet anëtari socialist i Këshillit Bashkiak të Tiranës

71
0
Shares

Nga Geri Emiri

Policia e Durrësit njoftoi mbrëmjen e të mërkurës se kishte gjetur 45.5 kilogramë kokainë midis  një ngarkese me mish pule me destinacion Maqedoninë e Veriut ndërsa bashkë me drogën policia njoftoi edhe arrestimin e Arben Ferizit, biznesmenit që kishte porositur mishin dhe Egert Vargun anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës i propozuar nga Partia Socialiste dhe administrator i agjencisë doganore që kishte bërë zhdoganimin e kontejnerit në Portin e Durrësit.

Droga e kapur ishte e ndarë në 40 pako, të cilat ishin shënuar nga 3 simbole që sipas policisë përfaqësojnë porositësit e saj, kamufluar nën imazhin e Gokut, një personazh i serialit të animuar për fëmijë “Dragon Ball”, dhe imazhi i filmave vizatimorë që ngjasonte me Gautama Buda, themeluesi i budizmit.

E pyetur nga BIRN për arrestimin e Vargut, i zgjedhur në Këshillin Bashkiak në vitin 2019, kryetarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës Romina Kuko tha se nuk kishte ende një qëndrim, por “Këshilli do të dilte me një deklaratë për mediat”.

Opozita e ka akuzuar vazhdimisht Partinë Socialiste për përfshirje në lista politike të personave me precedentë penale apo të përfshirë në aktivitet të paligjshëm. Kjo solli edhe në miratimin e ligjit për dekriminalizimin, i cili detyron kandidatët në poste publike të deklarojnë precedentët penalë.

Dy prej kandidatëve për kryetarë bashkie të socialistëve në zgjedhjet lokale të vitit 2019, të bojkotuara nga opozita, e humbën mandatin e fituar pa rivalë për shkak se nuk kishin deklaruar problemet me ligjin më herët në formularin e dekriminalizimit. Një prej tyre, Agim Kajmaku ish-kryebashkiak i Vorës u arrestua pak javë më parë në Itali me dyshimin se po transportonte 20 kilogramë kokainë. Kajmaku e ka mohuar dijeninë për drogën.

Operacioni i zhvilluar nga Task-Forca e përhershme e vendosur në Portin e Durrësit, midis Policisë së Durrësit, Policisë Kufitare dhe autoriteteve doganore të portit nuk është i vetmi i kohëve të fundit.

Më herët në qershor të vitit 2021 policia gjeti në port rreth 300 kg kokainë të paketuar me simbole, si logot e “Chicago Bulls” – logo e ekipit profesionist amerikan të basketbollit me seli në Çikago, logo e Klubit të Futbollit “Paris Saint-Germain”, simboli i kokës së një tigri, logo e “Christian Dior”, një shtëpi luksoze franceze e modës dhe 3 simbole të tjera.

Që prej mesit të muajit maj policia gjeti në anijen “Unistream” që vinte nga Kolumbia e ngarkuar me qymyr rreth 60 kilogramë kokainë, por nuk ka dhënë ende një version zyrtar për ngjarjen dhe nuk dihet fati i operacionit.

Teksa kapja e drogës në anijen për mallrat në sipërfaqe ishte risi, ndryshe nga dhjetëra raste të gjetjes së kokainës së fshehur midis arkave të bananeve apo ushqimeve të ngrira që vijnë me kontejnerë nga Amerika Latine. reporter.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY