Masa për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë pelegrinazhit që do të zhvillohet në datat 12-13 Qershor 2022 në Kishën e “Shna Ndout” Laç.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, në kuadër të zhvillimit të pelegrinazhit në Kishën e “Shna Ndout” në Laç, ka hartuar një plan të detajuar masash që konsistojnë në garantimin e rendit e sigurisë, në parandalimin e konflikteve apo ngjarjeve të tjera kriminale, menaxhimin e trafikut të rënduar dhe parandalimin e aksidenteve, me qëllim krijimin e kushteve për zhvillimin sa më normal të aktivitetit fetar në këto 2 ditë.
Po në vijim të këtyre masave, për shkak të fluksit të lartë të automjeteve si dhe numrit të lartë të njerëzve pjesëmarrës në pelegrinazh, janë përcaktuar një sërë kufizimesh të rrugëve për lëvizjen dhe parkimin e automjeteve.
Konkretisht:
– Nga ora 10:00 datë 12.06.2022 – ora 00:00 datë 13.06.2022, do të kufizohen disa segmente rrugore mbi lëvizjen dhe parkimin e mjeteve, të cilat janë :
Nga “Kryqëzimi i Gjykatës deri te Kisha e “Shna Ndout”
Nga “Kryqëzimi i Poliklinikës” deri te Kisha e “Shna Ndout”
Nga “Kryqëzimi i Gjimnazit” deri te Kisha e “Shna Ndout”
Nga “Pallati 113” – Kisha e “Shna Ndout”
Në këto segmente rrugore do të qarkullojnë vetëm mjete të transportit publik ( autobus/taxi) të liçensuara dhe të përcaktuara nga Bashkia Laç, mjetet e Kishës, mjetet e personaliteteve të larta shtetërore, mjetet e emergjencave civile, zjarrfikëset, ambulancat dhe mjetet e policisë.
Nga Kryqëzimi i Gjimnazit deri te “Kryqëzimi Varrezave” do të jetë rrugë vetëm për këmbësorët.
Nga Mbikalimi i Patokut për në qytet Laç nuk do të lejohen të hyjnë mjete të tonazhit të lartë pasi bëhen shkak të bllokimit të qarkullimit rrugor.
Mjetet do të parkohen në vend parkingje të përcaktuara nga Bashkia Laç dhe nuk do të lejohen parkime në vende që bëhen pengesë për qarkullimin e lirë të mjeteve.
Po në vijim të këtyre masave të marra, Drejtori Vendor i Policisë Lezhë Drejtues i Parë Vehbi Bushati, ka marrë pjesë në një takim të zhvilluar me Kryetaren e Bashkisë Kurbin Zj. Majlinda Cara si dhe të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve të tjera vendore, ku në fokus të diskutimeve, kanë qenë bashkëpunimi për të reaguar dhe menaxhuar për çdo problem dhe situatë që mund të shkaktohet.
Gjithashtu, Drejtor Bushati, ka zhvilluar një takim edhe te Kisha e “Shna Ndout” në Laç me Pater Prelen, ku është biseduar mbajtja e kontaktit të vazhdueshëm dhe koordinimit në kohë për mbarëvajtjen e pelegrinazhit, deri në përfundim të tij.
Policia e Lezhës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve të Laçit, pelegrinëve përdorues të rrugëve për tek Kisha, si këmbësorë apo drejtues mjetesh, që të respentojnë dhe të ndjekin komunikimet e punonjësve të policisë në lidhje me drejtimet e lëvizjeve apo parkimet e mjeteve, në ndihmë kjo për menaxhimin e fluksit të lartë, për një mbarëvajtje sa më të mirë të pelegrinazhit.
Njëkohësisht, ftojmë qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112 , çdo rast të paligjshmërisë apo problemi të konstatuar, duke ju garantuar anonimat të plotë, reagim të shpejtë e profesional. r.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/