Rama në Ohër, ironi me BE: Ballkani i Hapur do forcohet, e...

Rama në Ohër, ironi me BE: Ballkani i Hapur do forcohet, e dimë që Serbia ka miqësi me Rusinë

94
0
Shares

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në samitin në Ballkanin e Hapur ndërsa tha se Shqipëria e vecmas fermerët po përfitojnë shumë nga inisiativa.

Rama nuk kurseu ironinë ndaj BE, ndërsa tha se Ballkani i Hapur është burri dhe BE është nusja. Po ashtu tha se Maqedonia nuk ka shanse pasi ka dalë Bullgaria që është ‘burrë’ për vete. Problemet mes këtyre vendeve do zgjidhen kur kryeministri i tanishëm bullgar do dalë në pension, tha ai.

Më poshtë pjesë nga fjala e Ramës:

Edi Rama:

”Përtej të gjithë miqve dhe partnerëve të rëndësishëm për në Ballkani i Hapur është i rëndësishëm për njerëzit tanë, për hapësirën e përbashkët në të cilën lindin fëmijët tanë e në të cilën nesër fëmijët tanë do marrin në duar fatet e vendeve tona.

Këtë e dinë mirë shqiptarët e Shqipërisë që në këshillimin kombëtar ishin mbi 60% në mbështetje të Ballkanit të Hapur, që e kalon mbështetjen që ka qeveria dhe një shifër që jam i bindur do jetë më e lartë sikundër do ishte më e lartë nëse nuk do ishte bërë
në fillim të pushtimit të Ukrainës ku filluan e zëra të dëshiruar për ta importuar konfliktin nga Ukraina në Ballkan përmes një retorike që është absurde dhe më falni ta them por është e pështirë.

Ne e dimë shumë mirë, s’kemi pritur luftën në Ukrainë për ta ditur marrëdhënien speciale që ka Serbia me Rusinë, nuk pritëm luftën për të mësuar se mes Serbisë e Rusisë ka një histori, se mes Serbisë e Kosovës ka një konflikt ende të pazgjidhur.

Por midis të qëndruarit me kurriz nga e ardhmja dhe kthimit të syve drejt të ardhmes ne kemi zgjedhur këtë të dytën. Dhe sot jemi këtu pikërisht se duam të vazhdojmë të shkojmë drejt të ardhmes pa i mbyllur sytë ndaj problemeve ende të pazgjidhura por të bindur se problemet e pazgjidhura mund të zgjidhen vetëm nëse ne afrohemi, nëse ditë për ditë kuptojmë më mirë sa të rëndësishëm jemi për njëri tjetrin”. a.b

Fjala e plotë e Ramës:

Faleminderit të gjithëve dhe ndërkohë që presidenti i Serbisë e hoqi fjalimin e përgatitur, unë po shkruaja disa shënime jashtë fjalimit të përgatitur sepse besoj që ky është një rast për të folur për Ballkanin e Hapur si në Ballkanin e Hapur. Ne nuk mund të vijmë në një takim të Ballkanit të Hapur dhe të flasim siç jemi mësuar kur shkojmë në Bruksel.

Ne do të flasim shumë hapur dhe duhet ta ruajmë dhe ta fuqizojmë këtë karakteristikë të këtij rajoni pa pasur frikë se nga e folura hapur ne mund të kemi më shumë probleme sesa arsye për tu bashkuar, përkundrazi.

Unë dua të kujtoj se ne mblidhemi sot për herë të parë në një Samit të Ballkanit të Hapur pasi ka nisur lufta në Ukrainë dhe dua t’ju them të gjithëve se, ndryshe nga çfarë disa gabimisht mendojnë, lufta në Ukrainë e bën Ballkanin e Hapur një domosdoshmëri edhe më të madhe se ç’ishte përpara sesa kjo luftë që i befasoi të gjithë të fillonte.

Mbrëmë kam pasur kënaqësinë që të takoj këtu, në vigjilje të Samitit të Ballkanit të Hapur, ambasadorin Chris Hill, një ndër veteranët e diplomacisë amerikane dhe pa diskutim një njohës i thellë i rajonit, i cili ka shërbyer në Tiranë në kohët dramatike të transformimit nga diktatura në demokraci dhe sot shërben në Beograd. Unë besoj se ambasadori Chris Hill me praninë e tij këtu është një nga dëshmitarët më të besueshëm të domosdoshmërisë së Ballkanit të Hapur. Ai është këtu për ta mbështetur Ballkanin e Hapur dhe kjo për ne, për mua personalisht të paktën, është shumë inkurajuese.

Ndërkohë që, jam shumë i lumtur që sot këtu me ne janë edhe Kryeministri i Malit të Zi, Dritani si dhe Zorani nga Bosnja, ashtu siç jam i lumtur që sot këtu janë dhe dy miq të rëndësishëm dhe partnerë të pazëvendësueshëm të rrugëtimit tonë, Komisioneri Varhelyi, përfaqësuesi i Komisionit Europian drejtpërdrejtë për rajonin tonë dhe miku ynë, Gabriel Escobar, i cili është i pranishëm përmes ekranit.

Përtej të gjithë miqve dhe partnerëve të cilët janë shumë të rëndësishëm për ne, Ballkani i Hapur është i rëndësishëm për njerëzit tanë! Ballkani i Hapur është i rëndësishëm për hapësirën e përbashkët në të cilën lindin fëmijët tanë dhe në të cilën nesër fëmijët tanë do marrin në duar fatet e vendeve tona. Këtë e dinë shumë mirë sot, fatmirësisht, shqiptarët e Shqipërisë, të cilët në Këshillimin Kombëtar që ne bëmë, ku morën pjesë thuajse gjysmë milioni qytetarë, ishin mbi 60% në mbështetje të Ballkanit të Hapur, një shifër që e kalon mbështetjen që ka qeveria dhe një shifër e cila jam i bindur do jetë më e lartë, ashtu sikundër do ishte më e lartë nëse Këshillimi Kombëtar nuk do ishte bërë në momentin e fillimit të luftës në Ukrainë kur filluan edhe zëra të dëshiruar për ta importuar konfliktin nga Ukraina në Ballkan, përmes një retorike e cila është absurde dhe e cila, më falni ta them, por është e pështirë.

Ne e dimë shumë mirë, nuk kemi pritur luftën në Ukrainë për të ditur marrëdhënien speciale që Serbia ka me Rusinë. Nuk kemi pritur luftën në Ukrainë për të mësuar se mes Serbisë dhe Rusisë ka një histori. Nuk kemi pritur luftën në Ukrainë për tu informuar se mes Serbisë dhe Kosovës ka një konflikt ende të pazgjidhur. Këto i kemi ditur të gjitha, por midis të qëndruarit me kurriz nga e ardhmja dhe të kthimit të syve drejt të ardhmes, ne kemi zgjedhur këtë të dytën.

Sot jemi këtu pikërisht sepse duam të vazhdojmë të shkojmë drejt të ardhmes pa i mbyllur sytë ndaj problemeve ende të pazgjidhura, por të bindur se problemet e pazgjidhura mund të zgjidhen vetëm nëse ne afrohemi, vetëm nëse ne ditë për ditë kuptojmë më mirë se sa të rëndësishëm jemi për njëri-tjetrin.

Po i kthehem prapë ambasadorit Chris Hill, i cili më tha diçka që nuk e kisha menduar asnjëherë, shumë e thjeshtë. Shtetet e Bashkuara kanë hedhur dy bomba atomike në Japoni dhe një nga aleancat strategjike më të forta dhe nga miqësitë më të ngushta sot dhe jo sot, por prej shumë vitesh në arenën ndërkombëtare është aleanca dhe miqësia e Shteteve të Bashkuara me Japoninë, pas dy bombave atomike. Urdhëroni se ku është sot Japonia dhe nuk do ishte sot aty nëse do të vazhdonte ende sot e gjithë ditën të qëndronte me kurriz nga Shtetet e Bashkuara duke i kërkuar më parë që Shtetet e Bashkuara të uleshin në gjunjë për bombat atomike. Të gjitha gjërat kanë radhën e tyre. Ku janë sot Franca dhe Gjermania? Çfarë po bëjnë sot Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara pas një armiqësie që është e pakrahasueshme për nga thellësia e saj dhe nga gjaku i derdhur dhe nga aktet e çmendurisë me asgjë që ne kemi parë këtu? Janë bashkë! Janë bashkë për të përfituar reciprokisht nga shtrëngimi i duarve dhe rruga e të ardhmes.

Që të mos vazhdoj me retorikën, më lejoni të ndalem tek disa fakte. Kontratat e grurit; kontratat e grurit kur filloi lufta në Ukrainë, mes importuesve të grurit në Shqipëri nga Serbia, gjë që e kanë bërë historikisht, jo për shkak të Ballkanit të hapur dhe që nuk u bllokuan siç fare mirë do ishin bllokuar nëse ne s’do kishim Ballkanin e hapur, sepse Serbia në Ballkanin e hapur është një partner që ka marrë përsipër detyrime dhe ka marrë përsipër reciprocitetin në atë që ne duam të ndërtohet si një solidaritet për të ardhmen. Mos vallë është pak gjë kjo? Apo mos vallë duhet ndonjë imagjinatë e jashtëzakonshme për të menduar në një moment të vetëm se çfarë do të ndodhte nëse ne nuk do merrnim dot gjithë atë sasi gruri të kontraktuar, ku do ta gjenim? E me çfarë do t’i ushqenim njerëzit të cilëve do t’i mungonte buka? Me retorikën e konfliktit? Apo me thirrje për të shkuar e për tu futur në luftë?

Vazhdojmë me energjinë; ne sot jemi në një teh thike që të gjithë dhe nuk jemi vetëm ne këtu në rajon, por në të gjithë Evropën, në të gjithë botën, por ne jemi shumë më vunerabël se shumë të tjerë. Ndërkohë që në horizont është një dimër ku problemi nuk do të jetë çmimi i energjisë i cili do vazhdojë të rritet, problemi do jetë që s’do ketë energji fare për ta blerë. Nuk kemi ne luksin që të qëndrojmë me kurriz nga njeri tjetri dhe të fillojmë të hapim defterët e konfliktit e të rrimë të merremi me retorikë, ndërkohë që njerëzit duan energji? Unë nuk besoj dhe këtu do të jemi dhe përsëri do të provohet njësoj si me grurin sesa e vërtetë është që Ballkani i Hapur nuk është as i imi, as i Aleksandar Vučić, as i Zoran Zaev dje dhe Dimitar Kovacevski sot, as i Dritan Abazovicit dhe i askujt tjetër. Ballkani i Hapur është i njerëzve, Ballkani i hapur është i familjeve shqiptare, Ballkani i hapur është i fermerëve shqiptarë.

57.6 milionë euro është sot janar-prill volumi i eksporteve mes tre vendeve dhe këtu në këtë rast kam parasysh volumin e eksporteve të fermerëve shqiptarë në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut, 57.6 euro. Sa ishte vjet janar-prill? 33.9 euro. Dyfish ose pothuajse dyfish, pse? Për më tepër në një kohë problematike ku vetëm çmimi i naftës për fermerët ka pësuar një rritje të frikshme dhe pavarësisht çfarë kemi bërë ne për ta subvencionuar çmimin e naftës për fermerët, kjo i thyen të gjitha llojet e pasqyrave të rreme që janë ngritur kundër Ballkanit të hapur duke treguar të kundërtën, që Ballkani i hapur është edhe një mekanizëm për të përballuar më mirë krizat që as nuk i hapim ne dhe as nuk i mbyllim dot ne, por që na vijnë për shkak të më mëdhenjve që kanë arsyet e tyre të mos arsyes, për të hyrë në luftëra si kjo luftë barbare e Rusisë në Ukrainë.

Po eksportet në përqindje, e dini sa janë rritur mes Shqipërisë dhe Serbisë eksportet e fermerëve shqiptarë të cilët janë partizanët më të mëdhenj të Ballkanit të Hapur denbabaden, pse janë? Jo sepse ata mësuan se bie tregu serb kur ne bëmë Ballkanin e Hapur, por ata kishin vite që eksportonin atje, 63% plus. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që është një treg ku fermerët tanë po shesin dhe po fitojmë dhe kjo është përgjigje për ata që thonë që Ballkani i Hapur është i Serbisë dhe do fitojë Serbia. Natyrisht Serbia nuk ka hyrë në Ballkanin e Hapur për të humbur, por këtu ne jemi të gjithë për të fituar secili atë që mund të fitojë me punë, me bashkëpunim dhe me liri lëvizje.

Turizmi, janar-prill, nuk po diskutojmë tani sezonin më intensiv. 110% rritje në shifra, turistë nga Serbia në Shqipëri, 51% plus nga Maqedonia e Veriut plus në Shqipëri dhe shifrat e verës do të jenë më të larta, kush fiton nga kjo? Aleksandar Vučić që po i merr Shqipërisë detin si ai bajlozi që doli nga uji? Apo fitojnë të gjithë ata njerëz që kanë ndërtuar hotele dhe që kanë ngritur shërbime gjatë gjithë bregdetit shqiptar ku turistët vijnë dhe paguajnë?

Zjarret; ne kemi ndërtuar një mekanizëm sot që flasim dhe këtë verë unë jam i bindur që njerëzit do të kenë mundësi të shikojnë provat e këtij mekanizmi për të ndihmuar njeri tjetrin me logjistikë, me mjete nga ajri kundër zjarreve. Mos vallë duhet të lëmë më mirë të digjen pyjet sesa të na ndihmoje “shkjau”? Unë nuk i besoj këto, ashtu sikundër e përsëris, unë besoj fort sesa më shumë ne të afrohemi, aq më shumë shanse ka për të zgjidhur dhe konfliktet, aq më shumë shanse ka që të bëhet paqja përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës. Një temë në të cilën unë nuk kam asnjë dakordësi me presidentin e Serbisë, por këtu zgjidhja është shumë e thjeshte, ose kjo mosdakordësi kthehet në një konflikt permanent me të gjitha ato boshllëqe që pastaj mbeten në ekonominë tonë, në sigurinë tonë e kështu me radhë, ose e kundërta duhet bërë. Afrohemi sa më shumë, që të kuptojmë sa më shumë njëri-tjetrin dhe që në fund vetë njerëzit të jenë të vetëdijshëm se e ardhmja është shumë më e rëndësishme se e shkuara.

Edhe dy fjalë për Bashkimin Europian dhe për këtë “dasmën” e radhës. Them dasmë se sa herë afrohet ky Këshilli Europian është njësoj sikur përgatitemi për dasmë. Unë e kam thënë dhe më përpara, Shqipëria nuk përgatitet më për atë dasmë. Nëse do ndodhë dasma do shkojmë me rroba të rastit. Nuk do vishemi, zbukurohemi, nuk do porosisim orkestrën më të mirë, nuk do shpenzojmë për të bërë banketin më të madh në pritje që të vijnë krushqit dhe në fund mbetemi vetëm me nusen në derë, se nuk vjen dhëndri që ta marrë, ose më keq akoma na ngelet dhëndri në derë, se të ngelet nusja në derë ku ma gjen, por të ngelet dhëndri një zdap në derë se nusja thotë, “jo se nuk dua të flas me këtë se kam disa punë të tjera”, kjo është dhe më keq dhe në këtë rast le ta themi: Ballkani i Hapur është burrë, Europa e Bashkuar është nusja. Kjo është keq për ne, do ishte më mirë të ishim ne nusja se do na merrnin më shpejt. Duke qenë burri dhe burrë më gjithë këto probleme dhe me gjithë këto histori, “ke qënë atje, kë vrarë këtë, atje ke therur këtë, këtu ke hedhur në erë këtë”, është problem i madh, por ne e kemi shumë të qartë rrugën tonë, ne do ta ndërtojmë Evropën këtu. Çfarë do të thotë? Do të ndërtojmë sistemet tona të funksionimit të shtetit, të ekonomisë, të gjithçkaje tjetër dhe pastaj kur ata do të duan ta bëjnë “dasmën” ne jemi gati. Prandaj i them miqve të Maqedonisë së Veriut, mos e merrni me kaq stres këtë punën e “dasmës” se na futët edhe ne stresin, sa herë vijmë këtu ju shohim të mërzitur që prapë nuk ju do ju marrë njeri. Nuk do ju marrin! Ka mbaruar kjo punë! Ka dalë Bullgaria, e kuptoni apo jo? Bullgaria është “burrë” për vetë se të ishte ndonjë femër e bukur si shumë të tjera ne Evropë, hajde de, por edhe Bullgaria një “burrë’’ me probleme është. Kështu që na ka dalë Bullgaria përpara. Ne shqiptarët jemi në rregull. Nëse do duan ta bëjnë dasmën, këtu na kanë, gati jemi. Nëse s’do duan, prapë këtu jemi, s’ka asnjë problem, kështu që, i dashur Dimitër, të dashur miq të Maqedonisë së Veriut, tani është koha t’i jepni fund këtij stresi, “na u hapën, s’na u hapën, na erdhën, s’na erdhën, na duan, s’na duan”.

Rëndësi ka që të bëjmë këtu gjërat dhe pastaj edhe Bulgaria kur të mërzitet me këtë “kukullën” që ka gjetur tani, që loz atje, do ta hedhë edhe këtë kukull, do të gjejë ndonjë “kukull’’ tjetër dhe pastaj do hapen edhe këto negociatat, së këtu kulmi është për të hapur bisedën, nuk bëhet fjalë për të mbyllur bisedën. Biseda do mbyllet kur kryeministri aktual i Bullgarisë të jetë gjysh, të jetë duke shkruar kujtimet, tani është djalë i ri.

Pra anëtarësimi, këtu bëhet fjalë për të hapur bisedën. Ne të vazhdojmë bisedën mes nesh, jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e këtij kontinenti, jemi shumë të devotshëm për t’u bërë pjesë e Bashkimi Europian por një gjë dua t’iu them në mbyllje, sinqerisht, e kam thënë atje dhe dua t’jua them edhe ju këtu. Dikur kur shkoja në Bruksel, shkoja që të merrja kurajo nga ata, tani kur shkoj në Bruksel, më duket sikur do t’u jap kurajo atyre, sinqerisht. Dikur me dukeshin ata në kulmin e formës, sot sikur me vjen keq kur i shoh atje. Kështu që shkojmë atje, u japim pak energji dhe atyre se Ballkani nuk vdes, po ky i “hapuri”, aq më pak vdes. Kështu që sido që të rrotullohet bota, Ballkani këtu do jetë. Kam dhe një lajm për ju, Serbia nuk do të ikë në ndonjë planet tjetër, Maqedonia e Veriut jo e jo, as Bosnja nuk do iki, do rrijë këtu në Ballkan, do të vazhdojë të ziejë nga Brenda, por aty është. Ne shqiptarët s’kemi ku shkojmë se këtu jemi, kështu që Bashkimi Europian me të parë e me të bërë, por ne jemi këtu mes Evropës dhe ne BE na bëjnë ata, po ne “E”-në europian e kemi vetë.

Shumë faleminderit! 

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY