Rikthimin e Berishës në krye të PD pas votimit të së dielës në të gjithë vendin e ka komentuar edhe Zëri i Amerikës.
Më poshtë është kronika e plotë:
Në Shqipëri, mbështetësit e Grupit të Rithemelimit zgjodhën sot Sali Berishën kryetar të Partisë Demokratike.
Komisioni i zgjedhjeve bëri të ditur se zoti Berisha u zgjodh kryetar me 40 mijë e 820 vota, ose 93.45 për qind të votave.
Konkurrenti tjetër, Ibsen Elezi, mori 2 mijë e 532 vota ose 5.8 për qind e votave, ndërsa gjithsej në votime morën pjesë 43 mijë e 680 anëtarë të Partisë Demokratike.
Zoti Berisha e quajti rizgjedhjen dhe procesin si “mrekullia e vërtetë shqiptare në shekullin 21”. Në një fjalë të shkurtër pas publikimit të rezultateve zgjedhore, ai tha se “misioni është që të shpëtojmë Shqipërinë nga një regjim që kurrë nuk e meritoi pushtetin” dhe se “duhej bërë gjithçka që ëndrrat e të rinjve të bëhen realitet në këtë vend”.
Partia Demokratike dhe grupi i saj parlamentar janë ndarë në pro dhe kundër zotit Berisha, nga koha kur ai, dhe familja e tij, u shpallën nga Departamenti amerikan i Shtetit si persona të papërshtatshëm për të vizituar SHBA-të, për shkak të korrupsionit madhor dhe cënimit të demokracisë.
Zoti Berisha nisi atëherë një tur nëpër Shqipëri për të sqaruar qëndrimet e tij, të quajtur “Foltorja”, dhe brenda pak muajsh rimori kreun e Partisë Demokratike, së bashku me Grupin e Rithemelimit. Ish kryetari Lulzim Basha, që e përjashtoi atë nga partia, tashmë ka dhënë dorëheqjen.
Përfaqësues të lartë të diplomacisë amerikane, që kanë vizituar Shqipërinë, janë shprehur se nuk do të kenë kontakte me zotin Berisha, as me Partinë Demokratike, nëse ai kthehet në krye të saj.
Një pjesë tjetër opozitare po përfaqësohet nga kryetari i grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj, i cili po takohet rregullisht me diplomatët amerikanë dhe po negocion me socialistët e shumicës për presidentin e ri.
Të dyja palët nuk e njohin njëra tjetrën dhe një proces gjyqësor po vazhdon në Apel për të marrë përfaqësimin e Partisë Demokratike.
Nesër parlamenti zhvillon një raund të dytë për zgjedhjen e presidentit, i cili pritet të dështojë për mungesë kandidaturash.
Socialistët po bisedojnë me përfaqësues të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, dhe janë shprehur se nuk do ta negociojnë zgjedhjen e presidentit të ri me persona të shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/