Kreu i PD, Sali Berisha e konsideron projektin për Butrintin si marreveshje qe do hyjë në histori si marrëveshja më korruptive për pasojat e saj. Shkatërrimtare për pasurinë tonë përrallore kombëtare, tha kreu i PD.
Berisha tha se anetare bordi jane Ministrja Margariti me avokaten që bëri marrëveshjen.
“Mund t’ju them edhe zotërinjve të Fondit, nuk ju takonte ju të shndërroheshit në një mashë të Edi Ramës, për të kënaqur ambiciet e tij të pafundme korruptive”, theksoi Berisha.
U nxorën jashtë Parkut zona të tjera, do të ndërtohen 620 vila në Kepin e Stillës, ka parashikuar të ndërtojë resorte të mëdha turistike në zonën e Gjirit të Manastirit, tha kreu i PD ne Parlament.
Fjala e Berishes ne Parlament:
Sot këtu diskutohet për njërën nga pasuritë më përrallore të tokës shqiptare. Diskutohet për Parkun e Butrintit në të cilin janë gërshetuar pasuri mahnitëse, ndoshta si asnjë park tjetër në Europë dhe më gjerë.
Në vitin 2005, pas një studimi nga qeveria paraardhëse, të një grupi të gjerë specialistësh të shquar të fushave nga më të ndryshme arkeologë, historianë, zoologë, botanistë, olitologë etj., u vendos që Parku i Butrintit të shtrihet përkatësisht në zonën A1 me pasuri të jashtëzakonshme veçanërisht shpendë shtegtarë që vijnë nga kontinente të tjera në këtë lagunë.
Krahas kësaj zone, është zona A2 e cila është një nga zonat me biodiversitetin më të lartë në Europë, realisht Kepi i Stillos. Kjo zonë, përveç llojeve të pafundme të specieve, ka edhe specie endemike, thellësisht të mbrojtura dhe së fundi studiuesit besojnë se aty kanë strofullat e tyre ujore edhe foka Mesdhetare. Këtu tek zona nën ujore dhe zona e bregut ka objekte arkeologjike të një vlerë të paçmuar. Ju them ju se nga Butrinti që është zona A3 ku është qyteti e deri te Kepi i Stillos, i tërë territori është me gjetje jashtëzakonisht të rëndësishme arkeologjike.
Përveç këtyre, ka zona rekreative, siç është zona B, Manastiri i Kishës për të cilin u diskutua këtu. Ku qëndron shkaku, problemi themelor i kësaj marrëveshje ndër më shkatërrimtaret për pasurinë tonë përrallore kombëtare? Çfarë ka bërë Edi Rama në këtë rast? Edi Rama, duke shfrytëzuar një plan menaxhimi të zonës A3, ka nxjerrë jashtë Parkut zonat e tjera dhe ka parashikuar të ndërtojë 620 vila në Kepin e Stillës, ka parashikuar të ndërtojë resorte të mëdha turistike në zonën e Gjirit të Manastirit.
Mund t’ju them edhe zotërinjve të Fondit, nuk ju takonte ju të shndërroheshit në një mashë të Edi Ramës, për të kënaqur ambiciet e tij të pafundme korruptive.
Të nderuar zotërinj,
Unë kam pa asnjë diskutim respektin më të madh për kontributet e tyre shumë të mëdha në Shqipëri, në projekte. Por zotërinj të nderuar, keni qenë ju që kur qeveria e mëparshme zgjeronte një rrugë dhe protestonit pse u zgjerua rruga, që protestonit pse u hoq një zonë kreative siç ishte Ksamili që ishte hequr de facto. Kurse tani ju bëni një plan menaxhimi i cili shërben si pretekst për ata që duan të dinë të vërtetën për të rrëmbyer 830 ha toka me pasuri të shumëllojta dhe për të bërë ndërtime klani Rama dhe klanet e tjera.
Këtu është problemi kryesor i kësaj marrëveshje e cila do të shkojë në histori si marrëveshja më korruptive për pasojat e saj.
Së dyti, unë kam ndjekur arkeologë, kam shumë respekt për ata, por në detaje arkeologjike nuk ndërhyj këtu, ata ndërhyjnë në parime. Fondi është autori i planit të menaxhimit, Fondi ka bërë para këtij plani një plan tjetër menaxhimi të cilin nuk e publikon sepse nuk thotë pikërisht këto që thotë plani i dytë.
Avokatja që ka bërë kontratën është bërë anëtare Bordi.
Zotërinj të Fondit, dua t’ju pyes ju nga ky Parlament, a ekziston konflikti i interesit apo jo? A është konflikti i interesit një nga parimet madhore të korrupsionit? Nuk mundeni kështu! Pse nuk bëtë planin e menaxhimit për të gjithë Parkun Kombëtar? Shtoj këtu se zona A2, A3, kanë patur planin e menaxhimit. Kë pyetët ju që bëtë këtë hata me Parkun e Butrintit? Kush u pyet? Profesor Muraj, Profesor Bego, Profesor Bino? E kuptoni ju që aty ka pasuri biologjike natyrore të pafundme.
Së fundmi, zonjë që shkruhet shumë se je shumë e egër në zyrë me punonjësit, ashtu të mos jesh këtu, se i fole jo mirë atij, absolutisht qenia jote në bord për 2 vjet dhe me emër të akuzon ty shumë rëndë. Ti mund të jesh në bord, nuk ka asgjë, por ti je ministrja e Kulturës dhe nuk je zonja Margariti, por je ministrja e Kulturës dhe ajo pasuri ka të garantuar se edhe për 10 vite, ministrja e Kulturës është anëtare e bordit. Kurse marrëveshja shkruan se pas 2 vitesh zgjidhet dikush tjetër. Pra, unë besoj se bordi i një pasurie publike duhet të dominohet nga shteti. Po të themi se Mato dhe Carapuli janë shteti, do të thotë të tallesh me shtetin. E vërteta është se shteti aty ka vetëm dy vetë, zonjën ministre dhe një të departamentit të Arkeologjisë. Mato dhe Carapuli, s’po flas për këta, s’po përdor platformën të flas për ta, por ata nuk meritojnë kurrë të përfaqësojnë shtetin shqiptar, përfaqësojnë Fondin.
Kështu që, edhe këtu për ju, nëse keni një dhembshuri minimale duhet të pranoni se kjo pasuri publike duhet të kontrollohet menaxhimi i saj nga shteti. Në të vërtetë kontrolli është tërësisht në duart e Fondacionit dhe unë për këtë nuk jam dakord. m.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/