Berisha në Lezhë, vendi po shkon drejt shkretimit, Rama donte të emëronte...

Berisha në Lezhë, vendi po shkon drejt shkretimit, Rama donte të emëronte vetë opozitën

47
0
Shares

Ish kryeministri Berisha ka takuar sot demokratët e Lezhës ndërsa theksoi se vendi është drejt shkretimit.

“U rikthyem në jetë ashtu sic duhet të ishte si forcë opozitare Partinë Demokratike. Në këtë rrugë ne kishim vështirësi të jashtzakonshme dhe forca e vetme ishte ajo e idelave tona. Kishim kundër një qeveri që nuk ka ligj as moral, qeverinë që është mafia më e rrezikshme ndërkombëtare.
Në vitin ’90 e mbytëm komunizmin bashkarisht.
Donin ta emëroni vetë kryetarin e opozitës. Kombi ynë po shkon drejt shpërbërjes dhe shkretimit prandaj misioni ynë është jetik për shoqërinë”, tha Berisha

Vend me potencial si ky vend nuk ka nëse i vendosim vetes qëllim të nxjerrim shqiptarët nga varfëria, theksoi Berisha duke kujtuar qeverisjen e tij në 2005-2013.

“Ne krijuam klimën e biznesit, dyfishuar rrogat dhe pensionet. Shqiptarët panë se këtu mund të jetohet dhe të ndërtohej një jetë në përmirësim. Nuk u ndal treni ynë drejt Europës. U anëtarësuam në NATO, hoqëm vizat, morëm statusin. Para zgjedhjeve, mos harroni se Edi Rama bllokoi statusin me 3 ligje. Shumë thanë se nuk e kanë kundër Europës. Çfarë ndodhi këto 8 vite, cilat janë hapat? Tani del dhe thotë se po nuk na e dhatë, do shohim drejtimin. Mos gabo ta lëvizësh qoftë dhe një milimetër, se drejtimi ynë është vetëm Europa e bashkuar dhe Bashkimi Europian. Paraardhësit kanë luajtur me drejtimin dhe dinjitetin e shqiptarëve. Shqiptari do jetë shqiptar”, tha Berisha. m.k

Fjala e Berishës në Lezhë:

Së pari, dëshiroj me mirënjohjen më të thellë, nderimin më të madh, t’ju përshëndes ju, të përshëndes të gjithë demokratët e këtij qarku, banorët e këtij qarku për mbështetjen e jashtëzakonshme që ju si misionarë të vërtetë dhatë gjatë këtij harku kohor disamujor, në rithemelimin e Partisë Demokratike, në të vërtetë në rithemelimin e pluralizimit shqiptar.

Nuk e them këtu pa një lëndë të veçantë, pa një materie, nuk shpreh këtu bindjen time se ju jeni në një mision fisnik, ndoshta edhe më të madhin e jetës tuaj. Në vitin ’90 ne përmbysëm komunizmin bashkërisht dhe ai ishte një mision historik, por ishte edhe një destinacion historik. Kurse në gjysmën e dytë të vitit 2021 e gjer sot ne ringjallëm, ne i rikthyem vendit, në një rrugë shumë të vështirë, falë idealeve, përkushtimit tuaj, i rikthyem opozitën e vërtetë vendit, i rikthyem pluralizmin. Rikthyem në jetë ashtu siç duhet të ishte, si forcë politike opozitare, Partinë Demokratike.

Në këtë rrugë, ne kishim vështirësi të jashtëzakonshme dhe forca e vetme që ne kishim ishte forca e idealeve tona. Ne kishim kundër një qeveri që nuk ka ligj as moral, se në një vend demokratik kurrë një qeveri nuk mendon të marrë peng opozitën. Ne kishim kundër një pseudo-opozitë e cila shërbehej me të gjitha mënyrat nga qeveria. Por fatkeqësisht ne kishim kundër dhe ndoshta mafien më të rrezikshme ndërkombëtare, atë të George Soros.
Censura, kërcënime nga më të shumtat u bënë ndaj jush. Në këtë sistem që mbeti pa opozitë të vërtetë, në një mënyrë ose një tjetër, jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe mjaft nga ato privatet silleshin me ju njëlloj si të ishin ndërmarrje shtetërore, ju kërcënonin, kërkonin të mos ndiqnit këtë lëvizje, por të gjitha këto përpjekje dështuan, dështoi censura që vendosën ndaj veprimtarisë tonë, dështoi fushata e paimagjinueshme propagandistike dhe mediatike për të dekurajuar përpjekjen tonë. Dështuan sulmet e egra të qeverisë ndaj kësaj lëvizje, dështuan deklaratat e përsëritura edhe të Guvernatores e cila jashtë çdo lloj parimi, marrëveshje ndërkombëtare dhe kombëtare, në çdo hap të rëndësishëm që bënim, do të bënte një deklaratë për t’ju dekurajuar ju.

Pra, në të gjitha këto kushte, ne arritëm në një betejë epike demokratike kundër autokracisë, e cila kërkonte të mos kishte opozitë Shqipëria, kërkonte ta tërhiqte për hundësh opozitën, kërkonte ta fuste në qeveri opozitën si shtojcë, si vegël të saj, kërkonte ta kishte atë thjesht si freskore, apo të tjerë që kërkonin t’ia emëronin vetë kryetarin, të mos e zgjidhnit ju me votën tuaj, përdorën procese gjyqësore dhe të gjitha formcat. Por cili ishte rezultati? Rezultati ishte dështimi. Dhe ne arritëm në të drejtën tonë sot të jemi një opozitë e vërtetë e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Sot arritëm që ne të përmbushim detyrimin tonë madhor ndaj interesit kombëtar të shqiptarëve dhe demokracisë së këtij kombi. Interesi kombëtar i Shqipërisë dhe shqiptarëve është opozita e vërtetë dhe jo një komb me opozitë të shtirë, jo një komb me falso-opozitë, ai nuk ka të ardhme.

Albanofobë, të huaj dhe shqipfolës, parashikonin në një lloj urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve një skenar të tillë. Por ne mendonim ndryshe dhe ja ku jemi sot, një parti e rithemeluar, parti e interesit kombëtar. Të tillë u themeluam në vitin 90, parti e lirive dhe e të drejtave njerëzore. Jemi, pra, parti e vlerave më të mira arbërore, por jo vetëm arbërore, e vlerave universale.

Ne kemi arritur në një stacion, kemi fituar një betejë, por jo luftën. Lufta është e vështirë, është aspak e lehtë. Ju e keni konstatuar vetë se çfarë zhurmnaje e madhe është bërë gjatë këtij procesi, nga një propagandë e cila sikur vinte nga një vend diktatorial, nga një propagandë e cila sikur vinte në një vend ku vota nuk ekzistonte, në të cilën parimet e lirisë nuk ekzistonin dhe unë habitesha. Ju më keni dëgjuar ndonjëherë edhe në studio t’ju them edhe në debate televizive, po kjo është vota, por ju duhet të shihni votën, beteja jonë është për votën, sepse votën e kanë përzënë, por vota është zemra e lirisë, është zemreku i saj, shoqëritë nuk bëhen kurrë pa votën e lirë, ligji nuk bëhet kurrë pa votën e lirë.

Ky kryeministër që është sot në pushtet, ky nuk voton më. Ua lexova dje në Fier një status të një socialisti, por socialist që kishte kuptuar që vota duhet të jetë mekanizmi i partisë së tij. Çfarë thoshte ky socialist: “Kur e dëgjova kryetarin nuk mu besua ato që dëgjova dhe mora në telefon një mik, mor mos e kam dëgjuar gabim – a është e vërtetë kjo që thotë se socialistin e degës do ta emërojë komisioni dhe nuk do e votojnë? A është e vërtetë se në këtë mënyrë ne po përjashtojmë votën?”

Dhe që nga viti 2009 aty kryetari i partisë nuk bëhet fjalë të votohet. Por mos harroni se ajo është parti në pushtet. Tragjike ishte se këtë rrugë ndoqi ish-kryetari ynë, votën e përjashtoi, e manipuloi dhe po shkonim drejt njësimit, po shkelmonim mbi interesin më jetik të këtij kombi, ndër më të lashtët, por që e ka nevojë jetike demokracinë, votën e lirë, lirinë. Gjithë përpjekja mijëra vjeçare e shqiptarëve ka qenë përpjekje për liri. Ata që deklarojnë nëpër ekrane se shqiptarët nuk kanë luftuar dhe ku i kanë luftërat?, shqiptarët vetëm luftëra kanë, ata janë vetëm trillues dhe të gjitha ato luftëra të tyre janë bërë për më shujmë të drejta, për më shumë liri, edhe kur kanë qenë nën pushtim shekullor. Pra, ne arritëm që partinë tonë ta ndërtojmë mbi vullnetin e lirë të anëtarëve të saj. Tani vazhdimi i misionit tonë është jetik për Shqipërinë, përndryshe identiteti ynë kombëtar, qenia jonë, kombi ynë ecën çdo kohë, çdo muaj e më shumë drejt shpërbërjes, drejt shkretimit dhe jo vetëm shkretimit që e shohim të gjithë që po na ikin të rinjtë dhe jemi shndërruar në një komb serë që rrisim fëmijë për emigracion dhe për të tjerët. Në një vend të bekuar nga zoti si asnjë vend tjetër ndoshta, por edhe për faktin tjetër se si të mund të përçudnohemi më shumë, se si të mund të paraqitemi më shumë të shpërfytyruar, të pa qytetëruar, të çuditshëm.

E kam treguar njëherë dhe po e tregoj prap, po udhëtoja në vitin 1978 në Itali. Shkoj te sporteli i aeroportit, sheh pasaportën punonjësi dhe më pa me një urrejtje patologjike. – Shqiptar?, tha. Po, shqiptar i them. – E vratë Stefanon, tha. E kishte fjalën për At Shtjefën Kurti. I thashë, zotëri unë jam mjek. – S’ka rëndësi se je mjek, tha, Stefanin e shkretë e vratë ju, tha. Tani, isha mjek, s’isha mjek, por vendi im kishte ekzekutuar priftin pse kishte pagëzuar një fëmijë 7 vjeç. Kjo ishte e vërteta.

Desha të ndalem me këtë që, para 3 ditësh u hodh poshtë rezoluta për gjenocidin në Bosnje. A mund të imagjinohet që një Parlament i një vendi të lirë të mund të marrë një vendim të tillë? Po është detyrim ndërkombëtar. Dënimi i gjenocidit është detyrim në ligjet ndërkombëtare. Atë rezolutë që rrëzoi Edi Rama në Parlament e ka votuar Parlamenti Europian, e ka votuar Kongresi i SHBA, e ka votuar Parlamenti i Malit të Zi një vit më parë. Pse po e them këtë? Po e them këtë se interesi ynë kombëtar po shkelmohet dhe do të shkelmohet derisa ne të bindim çdo shqiptar se duhet t’i dalim zot. Gjithçka është një përpjekje për të shpërbërë qenien tonë. Unë ju garantoj ju, është e qëllishme. Pse them e qëllimshme? Sepse të qeverisësh 8 vite dhe t’i lësh qytetarët e t’u të zbresin në pikiatë, nga më mirë të paguarit në rajon, te më keq të paguarit në rajon, të lësh qytetarët e tu të zhyten në mënyrë të frikshme në varfëri, por sigurisht që t’i punon për shpërbërjen e tyre. Ti u le atyre dy alternativa, ose ikni nga ky vend dhe po ikin më shumë se çdo komb tjetër, ose topituni në varfëri dhe mjerim. Sepse është e njohur, topitja shkëput interesin e njeriut nga mjedisi përreth dhe dergjet si të thuash në hallet dhe problemet e tij dhe ky është i qëllimtë, i të gjitha regjimeve autokratike.

E thashë dje, po e them prapë, Enver Hoxha hoqi tufëzat dhe arëzat, pikërisht për të realizuar këtë topitje ekstreme. Ai e dinte, është fenomen i njohur ky, ai që numëron kafshatën e ka të vështirë të merret me probleme të tjera. Edi Rama e di këtë dhe le të varfërohen këta. Ka rritur borxhin, në 2005-2013 borxhi u rrit 4.6%, nga 2013 e deri sot borxhi është rritur 40%. Po ku shkoi ky borxh? U kthye në rroga për ju? U kthye në pensione për ju? Në banesa për ju? Në ujësjellësa, kanalizime, në përmirësimin e jetës? Jo, absolutisht, u vodh, u abuzua, u shpërdorua. Dhe ku përfunduam ne? Përfunduam në njerëzit me rrogat më të ulëta në rajon, përfunduam në të gjithë treguesit më të varfër, përfunduam në një shëndetësi me numrin më të pakët të personelit shëndetësor për frymë në Europë dhe në vendet e tjera. Atëherë, a mund të më thoni ju mua a nuk është ky një shkelmim mbi qenien tonë kombëtare, mbi identitetin tonë, a nuk është kjo një përpjekje për të rrënuar identitetin tonë. Nuk është problem nacionalizimi, këtu është problem ekzistence.

Statistika e fundit tregon se lindën 2 mijë fëmijë më pak se sa vdekjet. Të gjitha këto rezultate të një politike antishqiptare të koordinuar. Të gjitha kombet kanë njerëz që nuk i duan, edhe ne kemi tanët, por problemi i albanofobëve është se gjejnë terren brenda, gjejnë lidhje brenda, sintoni me veprimet e tyre. Nëse Çubrilloviç thoshte t’i mërzisim për vdekje ata që të ikin nga shtëpitë e tyre, nëse ti arreston 36-37 mijë qytetarë për faturat e dritave dhe të ujit nuk ka mekanizëm më të egër intimidimi se sa ky.

Unë u ndala në këtë analizë vetëm e vetëm për të paraqitur para jush të dashur demokratë, rëndësinë jetike të këtij misioni që kemi së bashku. A do mund t’ia dalim ne? Absolutisht, po! Po! Por, ne ia dalim vetëm secili prej nesh duke marrë përsipër në këtë mision të bisedojë, të sqarojë çdo shqiptar që do t’i bashkohet lëvizjes sonë. Jemi parti, por tani jemi lëvizje. Mos harroni një gjë, u rithemeluam si parti se ishim lëvizje, se për ndryshe nuk ia dilnim kurrë ne. Përndryshe mbeteshim rrugës, nuk mbetëm rrugës dhe u bëmë lëvizje. Unë e quajta revolucion, si të doni quajeni, por ne sot arritëm të rithemelojmë partinë tonë sepse e nisëm si lëvizje e fuqishme, e pandalshme dhe realizuam qëllim tonë të parë.

Përsëri si Parti Demokratike ne duhet të jemi bërthama e kësaj lëvizje me të cilën do të bëjmë gjithçka që të bashkohet çdo shqiptar që i thotë vetes shqiptar, që i thotë interesit kombëtar interes kombëtar, që i beson Shqipërisë dhe unë ju them ju, vend me potenciale si ky vend nuk ka. Dhe nëse ne i vëmë vetes qëllim para së gjithash të nxjerrim shqiptarët nga varfëria. Nuk meritojnë varfëri shqiptarët. Varfëria është ndëshkim qeveritar për shqiptarët. Ishe 35%, zbriti në 12%, mjerimi ishte 4%, zbriti në 1.3% dhe do të zhdukej, absolutisht, sepse lehtësuam biznesin, sepse krijuam klimën e biznesit, sepse dyfishuam rrogat, sepse dyfishuam pensionet, rikthyem shpresën. Shqiptarët e panë se këtu mund të jetohet, se këtu mund të ndërtohet një jetë në përmirësim. Nuk u ndal ndonjëherë treni ynë drejt Europës dhe treni euroatlantik, nuk u ndal asnjëherë. U anëtarësuam në NATO, hoqëm vizat, morëm statusin para zgjedhjeve. Mos harroni se Edi Rama bllokoi statusin me tre ligje, me tre këshilltarë të Fierit. Shumë shqiptarë menduan se nuk e ka kundër Europës, por për qëllime politike, për ta mposhtur Berishën dhe për të fituar zgjedhjet. Por çfarë ndodhi këto 8 vite, më thoni pak? Cilat janë hapat? Asnjë! Dhe tani del e thotë në Bruksel se, “po nuk na e dhatë, do të shohim drejtimin”. Drejtimin, po ia themi këtu, mos gabo ta lëvizësh qoftë edhe një milimetër, se drejtimi ynë është vetëm Europa e Bashkuar, vetëm Bashkimi Europian. Nuk ka drejtim tjetër për ne! Paraardhësit tuaj kanë luajtur me fatet e këtij populli, me identitetin e tij, me dinjitetin e tij, por ti kurrë nuk do të mund ta spostosh as drejt Beogradit, as drejt Stambollit, identitetin dhe dinjitetin e shqiptarëve.

Shqiptari do të jetë shqiptar në të gjitha kohërat në vokacionin e tij Perëndimor.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY