Ish kryeministri Berisha ka mbajtur një konferencë shtypi. Ai është pyetur nga gazetarët në lidhje me votimin për kryetar.
Pyetje- përgjigje:
Pyetje: Zoti Berisha, nesër skadon afati për dorëzimin e dokumentacionit për garën e kryetarit të ri të PD. Ju i qëndroni asaj që keni thënë se do të bëheni pjesë e garës dhe a iu shqetëson fakti që përballë jush mund të mos ketë asnjë kandidat tjetër?
Sali Berisha: Pyetje është kjo?! E pakuptimtë! Së pari dua të denoncoj fushatën e paimagjinueshme të financuar me miliona euro nga qeveria, mafia e Soros dhe jo vetëm ajo, por tani edhe të tjerë, kundër kandidimit të Sali Berishës. A mund ta imagjinoni ju, njeriu ka shpallur publikisht që do të kandidojë dhe bëhen emisione a duhet të kandidojë apo jo? A është kjo një antifushatë e mirëfilltë që shkel çdo rregull demokratik? Dhe mbrëmë të gjitha emisionet e vendit këtë kishin pyetjen kryesore. E pashembullt kjo. Do të kandidoj! Dhe i kam plotësuar dokumentet, do t’i dorëzoj dhe do t’u drejtohem shqiptarëve në mënyrën besimplotë se kandidoj si dëshmi e respektit, e dashurisë, e pasionit tim për të ndryshuar për mirë jetën e tyre. Nuk mundet të pajtohem unë kurrë me këtë situatë në të cilën shqiptarët janë shndërruar në një komb që lindin fëmijë për emigracion. Unë kësaj situate do t’i jap fund një minutë e më parë.
Pyetja e dytë e juaja nuk qëndron. Më vjen keq të dal në këtë çështje, por thjeshtë unë do të jem një lider referendar, i zgjedhur me referendum popullor. Nuk ka garë më të fuqishme se kjo. Pra, nëse të tjerë nuk marrin përsipër të kandidojnë për arsyet e tyre dhe unë i garantoj për një garë të ndershme me rregulla të plota transparente. Por unë nuk jam Edi Rama që shpik rivalë. Atë nuk e bëj, është fake, është antidemokratike. Kush të dojë, urdhëro, ka një komision të përcaktojë çdo rregull. Atëherë mbetet referendum dhe unë në datën 22 maj nëse zgjidhem, zgjidhem në një referendum të mbarë demokratëve. Nëse nuk zgjidhem, i nënshtrohem plotësisht verdiktit të tyre referendar. Nuk ishte kjo kërkesa ime, por natyrisht një zgjidhje referendare më nderon shumë.
Pyetje: Sa i takon çështjes së Presidentit, një ditë më parë Alibeaj si kryetar grupi ftoi deputetët që e mbështesin atë, por edhe deputetët e Rithemelimit që brenda ditës së diel të sjellin propozime konkrete sa i përket kritereve që duhet të ketë kreu i ri i shtetit. A do t’i bashkohen deputetët e Komisionit të Rithemelimit kërkesës së Alibeajt?
Sali Berisha: Gjithçka zhvillohet në atë proces, gjer sot është bërë e qartë si drita e diellit, është manipulim i pastër i Edi Ramës. Nga zarfet sekrete si në shpellat e Cosa Nostras tek paraqitja si kandidaturë nga Stanishiqi në emër të Ramës të bashkëshortes, tek angazhimi dhe loja me kukulla dhe opozitë të emëruar, i tëri ky është një skenar i turpshëm, dinjitoz vetëm për kreun e organizatës kriminale shqiptare. Askush nuk ka ndërmarrë një proces të tillë në historinë e vendit. Askush! Ky është procesi më diskredituar që mund të zhvillohet dhe bëhet ndonjëherë. Këshilli Kombëtar, organi më i rëndësishëm i PD pas Kuvendit, mblidhet sot për të përcaktuar qëndrimin e PD ndaj këtij procesi dhe për të marrë vendimin politik. Edi Rama do të haset me opozitën e vërtetë. Kjo është ajo çka mund të them. Është e kot që të komentoj emrin që shqiptove ti, në një kohë kur ai nuk përbën asgjë tjetër veçse sillet si ministër i Edi Ramës.
Pyetje: Gazment Bardhi është shprehur se për qëndrimin e PD lidhur me Presidentin nuk mund të vendosin Rudina Hajdari, Jozefina Topalli dhe Myslim Murrizi të cilët në zgjedhjet e prillit të kaluar kanë qenë kundër PD. Si e shikoni ju këtë qëndrim?
Sali Berisha: Për ju këtu dhe për të gjithë shqiptarët, politika ka një moral. Myslim Murrizi, Rudina Hajdari ishin dy deputetë që nuk u pajtuan me vendimin e PD për djegien e mandateve. Në Kuvendin e 30 prillit u votua nga të gjithë delegatët një rezolutë ku dënohej ky akt dhe përcaktohej qartë se PD kurrë nuk mund të djegë mandatet. Unë mendoj se qoftë zoti zoti Murrizi, qoftë zonja Hajdari, meritonin plotësisht vendet e tyre në PD, për qëndrimin që ata mbajtën. Asnjëri prej tyre nuk i lejoi vetes, sa ishin në Parlament, të devijojë nga qëndrimi opozitar. Në këtë kontekst, në politikë nëse njeh gabimet, nëse denoncon gabimet, je i detyruar t’u japësh të drejtën atyre që nuk i pranuan ato në kohë. E njëjta gjë është me zonjën Jozefina Topalli e cila bashkë me zotin Patozi, Imamin dhe të tjerë, me një pusi të shëmtuar politike, u asgjësuan si politikanë në PD. E kam thënë atëherë edhe publikisht, se me aktin dhe pusin që iu zuri Lulzim Basha atyre iu dha të drejtën e zotit, këtë fjalë i kam thënë, të ndërmarrin çdo akt politik kundër teje. Nuk mund të veprohej në atë mënyrë kurrë. Ti mund të kishe kundërshtira me ta, mospëlqime, por nga ish-nënkryetar partie, nga ish-drejtues për 25 vite, individë për të cilët nuk kishte asnjë fakt, provë, dokument se kishin shkelur ligjin, që kishin investim shumë të madh në PD, i bëjë të paqenë vetëm e vetëm se të bënin hije ty. Madje, ai kthim jo vetëm ishte i merituar, por ishte i vonuar. Ju e patë sa mirë e priti audienca e demokratëve praninë e tyre. Mund të them se për kohën sa ata ishin, qëndruan opozitë e vërtetë në PD, në çdo rrethanë.
Pyetje: Për Reformën Zgjedhore bashkuan votat me Edi Ramën…
Sali Berisha: Reformën Zgjedhore e futi në kaos Lulzim Basha. Pse? Në mënyrë të përsëritur ju kam deklaruar se ky njeri humbi çdo marrëveshje me Edi Ramën. Më thoni një marrëveshje me Edi Ramën që e fitoi? Nëse je i tillë, atëherë pse vazhdon me marrëveshjet? Dhe unë nuk fajësoj fare Rudinën, por fajësoj Bashën, sepse çdo marrëveshje… Rudina ishte një deputete, PD ishte një forcë politike dhe PD kishte muskuj. A i tregoi gjë muskujt PD-ja Edi Ramës? Asnjë. Nuk duhet të flasim për zgjedhjet. Pse? Është qëndrimi më tradhtar që është bërë ndaj zgjedhësve. Nëse Lulzim Basha nuk do të ishte ai që është, ai në datën 27 prill mbushte sheshet, mbi ato që shkroi Komisioni i Vëzhgimit të zgjedhjeve, i OSBE-së. Nëse ndonjëherë ndonjë opozitë kishte fakte madhore për të mbushur sheshet dhe për të thënë se këto zgjedhje nuk i njoh dhe kishte një histori…Në 2001 ne ndryshuam qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar, e vumë nën sanksione qeverinë e Fatos Nanos, të Parlamentit Europian. Faktuam që i ka grabitur mandate opozitës. Kur kam shkuar në Bruksel tek një zyrtar i lartë për t’i paraqitur rastin, por nuk kishte dalë raporti përfundimtar, më tha, zoti Berisha, të dhënat tona janë krejtësisht tjera për ato zgjedhje. Dhe unë ia ktheva, i nderuar zotëri, këto që thashë unë këtu, nëse nuk faktohen një më një nga raporti ndërkombëtar i ODIHR, kur të dalë, ju këto dokumente që po iu dorëzoj hidhi aty në kosh. Përndryshe pastaj ky është një institucion demokratik, duhet të qëndroni për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai ishte njeri i ndershëm, me integritet të lartë dhe ai qëndroi dhe ndihmoi Shqipërinë 4 vite, derisa Shqipëria arriti të bëjë zgjedhjet më të mira se ato. Kështu që, këto, zoti Basha, marrëveshje me Ramën se do të bashkëqeverisnin, i harroi. Megjithëse, ia thashë të gjitha. Dhe akoma më e tuprshme, më e paimagjinueshme është shuarja e Komisionit të Hetimit të Zgjedhjeve. U krijua Komisioni në fund të tetorit. E dini kur u shua? Kur u kërkua që në agjendë të hetohej Elbasani. Gjëja më normale. E ke kundërshtar, por aty u derdh gjak, u vra një njeri. Aty u gropos Komisioni me urdhër të Bashës. Direkt përgjegjësi ka Gaz Bardhi me Taulant Ballën, të dy. Ndodhi një vrasje aty, vrasja e një mjeku, ishte një militant i majtë, por nuk ishte kurrë për t’u vrarë. Askush nuk duhet të vritet në Shqipëri. E sheh ti se ku janë këta? Se çfarë bëjnë? E morën prokurorin që është njëlloj Blerina Muça në katror, dhe po këtë prokuror që gënjeu shqiptarët se nuk kishte materiale zgjedhore në makinën e militantit të Taulant Ballës, këtë e prunë prokuror në SPAK. Ra paqja midis tyre. Ndaj nuk ka asnjë tagër të flasë për këto gjëra. Shqiptarët çdo ditë po shohin kontrastin e vërtetë mes opozitës së vërtetë dhe peng opozitës së Edi Ramës.
Pyetje: Zoti Berisha, Kuvendi Kombëtar i PD shkarkoi Alibeajn si kryetar grupi, ndërkohë negociatat po zhvillohen në nivel grupesh parlamentar. Si do të negociojë PD kur nuk ka kryetar grupi?
Sali Berisha: Qëkur është vendosur pluralizmi e deri sot, kurrë debati për Presidentin nuk është zhvilluar në nivel grupi parlamentar. Është zhvilluar gjithnjë në nivel kryetarësh partie. Zhvillohet në nivel grupesh parlamentare vetëm për një shkak. Ju kujtohet para tre muajsh kur u hapën fjalë se ky do të jetë zv/kryeministër, ky ministër i Brendshëm, bashkëqeverisje, nuk është një invecion, ju kujtohet. Pra, e trajton si ministër të qeverisë së tij dhe prandaj zgjedh të negociojë vetëm me të. Në mënyrë që, t’ia emërojë nën dorë Presidentin. Po zhvillohen në dritën e diellit skenarë të padenjë, lojë e shëmtuar e Edi Ramës me fake opozitën, apo pseudoopozitën, për ato arsye që i diskutuam më parë.
Pyetje: Salianji ka deklaruar dje se do të punojë për një mbledhje të përbashkët të deputetëve, duke caktuar edhe një rend të ditës. Duke qenë se e kemi shkarkuar Alibeajn, do të merrni pjesë nëse në fillim të javës që vjen njoftohet një mbledhje?
Sali Berisha: Se kemi shkarkuar zotin Alibeaj, nuk kemi shkarkuar Kryesinë e Grupit Parlamentar. Dje, ne kemi bërë një deklaratë në cilën shprehemi në si Komision se, Alibeaj është i tëri në funksion të lojës së Edi Ramës. Është i shkarkuar, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë tagër për të thirrur grupin parlamentar, as për të përcaktuar agjendën., Grupi Parlamentar ka nënkryetarët, ka sekretarin, ka deputetë të tjerë që mund të mblidhen dhe natyrisht vendimet e Kryesisë do të respektohen. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/