Kuvendi i PD dënon me rezolutë bojkotin e zgjedhjeve lokale dhe djegien...

Kuvendi i PD dënon me rezolutë bojkotin e zgjedhjeve lokale dhe djegien e mandateve, konfirmon linjën proamerikane të PD

37
0
Shares

Kuvendi i PD ka miratuar sot nje rezolute ku është dënuar praktika e bojkotit të zgjedhjeve, një rast që ndodhi në vitin 2019 në zgjedhjet lokale, dënon praktikën e djegies së mandateve, metodat jodemokratike në drejtimin e partisë.

Ndërkohë rezoluta ka dënuar praktika e menaxhimit të PD dhe funksionimit të financave pa transparencë në PD.

Në vijim rezoluta rikonfirmon aspiratën për të cilën PD u themelua: integrimin europian të vendit dhe mbështetjen për institucionet euro-atlantike dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më poshtë rezoluta  e plotë e PD:

REZOLUTË E KUVENDIT KOMBËTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE

Pasi ka reflektuar për veprimtarinë dhe vendim-marrjen politike gjatë dy mandateve në opozitë, Partia Demokratike është e vetëdijshme dhe e vendosur t’u japë fund praktikave jodemokratike dhe qasjeve të dështuara politike.

Partia Demokratike:

— Dënon dhe distancohet nga praktika e bojkotit të zgjedhjeve. Partia Demokratike solli pluralizmin dhe liritë politike në Shqipëri dhe ajo nuk do të jetë asnjëherë direkt apo indirekt pjesë e përpjekjeve për të dëmtuar pluralizmin dhe kufizuar lirinë e zgjedhjes politike të qytetarëve.

— Distancohet nga praktika e ‘djegies’ së mandateve parlamentare. Parlamentarizmi është vlerë thelbësore e çdo shoqërie të lirë dhe demokratike dhe Partia Demokratike është e vendosur të luftojë për forcimin e parlamentarizmit. Partia Demokratike do të jetë kudo ku luftohet për interesat e qytetarëve dhe një nga vendet kryesore të mbrojtjes së këtyre interesave është Kuvendi i Shqipërisë.

— Dënon dhe distancohet nga metodat jodemokratike në drejtimin e partisë, duke i dhënë fund Kryetarokracisë, vendim-marrjes arbitrare individuale, drejtimit të partisë me struktura ekstrapartiake dhe pushtetit të familjarëve, miqve apo këshilluesve privatë në vendim-marrjen dhe veprimtarinë e partisë.

— Dënon dhe distancohet nga praktikat informale dhe jo transparente të mbledhjes dhe menaxhimit jashtëpartiak të fondeve për partinë. Ajo dënon dhe distancohet nga çdo përfshirje në skema financimi dhe qarkullimi parash përmes kompanive off-shore dhe kanaleve jo të ligjshme e jo transparente financiare. Ajo angazhohet në menaxhimin profesional dhe transparencën e plotë të të gjitha financave partiake.

— Distancohet nga praktikat e lobimit me pagesë dhe dënon përdorimin e lobimit për të ndërhyrë në proceset vendim-marrëse dhe të brendshme të vendeve të tjera. Partia Demokratike:

— Rikonfirmon aspiratën për të cilën PD u themelua: integrimin europian të vendit dhe mbështetjen për institucionet euro-atlantike dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

-Rikonfirmon përqafimin dhe respektimin e të gjitha vlerave të Partive Konservatore dhe Partisë Popullore Europiane—familjeve europiane dhe botërore politike.

— Rikonfirmon parimin e konkurrencës dhe garës së brendshme si parimin themelor të organizimit partiak. Të gjithë kandidatët për poste publike (deputetë dhe kryebashkiakë) dhe të gjithë drejtuesit kryesorë të partisë në të gjitha nivelet (kryetarët nga qendra në bazë) do të përzgjidhen përmes kësaj metode, pra modelit një anëtar një votë! Vendime më të rëndësishme të politikave partiake do t’i nënshtrohen referendumit të anëtarësisë.

— Rikonfirmon vendosmërinë për të garantuar ripërtëritjen e vazhdueshme të elitave drejtuese partiake, për të garantuar aftësinë dhe cilësinë e drejtuesve të saj. Largimi i kryetarit dhe ekipit të tij nga drejtimi i partisë në rastin e humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme mbetet parim themelor dhe i panegociueshëm.

— Rikonfirmon parimin e hapjes së partisë, duke përcaktuar që çdo katër vjet të rinovohet të paktën një e treta e të gjithë drejtuesve qëndrorë statutorë të partisë. Angazhohet në mënyrë të veçantë për hapjen ndaj rinisë dhe grave: brenda vitit 2025, 40 përqind e të gjithë drejtuesve qëndrorë statutorë të partisë të jenë gra dhe 30 përqind nën moshën 40 vjeç.

— Angazhohet në një dialog të përhershëm me qytetarët dhe grupet shoqërore. Ajo do të themelojë dhe koordinojë foltore të vazhdueshme me publikun për çështjet më të rëndësishme politike, ekonomike dhe shoqërore në vend.

— Rikonfirmon përpjekjet për forcimin e demokracisë dhe lirive përmes pjesëmarrjes aktive në zgjedhje dhe në të gjitha proceset institucionale politike në vend. Rikonfirmon angazhimin e saj në të gjitha përpjekjet për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si e vetmja mënyrë për marrjen dhe ushtrimin e pushtetit.

— Angazhohet në modernizimin e administrimit të brendshëm të partisë për të krijuar një administratë profesionale, efikase dhe të paanshme partiake që garanton mbarëvajtjen e veprimtarisë politike dhe procese të paanshme të brendshme zgjedhore. Angazhohet në dixhitalizimin dhe përfshirjen e teknologjisë në çdo aspekt të menaxhimit të anëtarësisë dhe administrimit të partisë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY